Studentët akuzojnë Iranin për kufizime të ‘epokës së gurit’ në universitete

10:00 30/04/2022

Studentët iranianë kanë protestuar kundër kufizimeve të “epokës së gurit” të vendosura në universitete, duke përfshirë rregulla më të rrepta të mbulesës për studentet vajza.

Derisa dhjetëra mijëra studentë iranianë u dyndën përsëri në universitet këtë muaj, pas një mungese dyvjeçare për shkak të pandemisë së koronavirusit, shumë prej tyre u përshëndetën me kufizime të reja.

Masat, duke përfshirë rregulla më të rrepta të mbulesës për studentet, kanë shkaktuar protesta në të paktën dy universitete në Iran. Studentët i kanë cilësuar kufizimet e reja si të paprecedenta dhe fajësojnë Qeverinë e presidentit ultrakonservator, Ebrahim Raisi, i cili erdhi në pushtet në gusht.

Kritikët thanë se masat duket se synojnë të shtrëngojnë kontrollin e Qeverisë mbi universitetet, të cilat kanë qenë skenë e protestave politike në të kaluarën. Ndjenjat anti-qeveritare ka qenë në rritje vitet e fundit në Iran, ku ekonomia është gjymtuar nga sanksionet e SHBA-së dhe periudha e keqmenaxhimit ekonomik.

Universiteti i kthyer në ‘bazë ushtarake’

Dhjetëra studentë në Universitetin prestigjioz, Amir Kabir, në Teheran organizuan një tubim më 24 prill, gjatë të cilit studentët kundërshtuan kufizimet e reja dhe paralajmëruan se nuk do të lejonin autoritetet të impononin “idetë e epokës së gurit” në institucion.

Protestuesit thanë, gjithashtu, se universiteti ishte kthyer në një “bazë ushtarake”, me roje sigurie me motoçikleta nëpër kampus.

Tubimi pasoi një parlajmërim zyrtar për një studente nga autoritetet e universitetit për gjatësinë e mëngëve dhe çorapeve të saj. Një studente tjetër u pengua të hynte në kampus, sepse palltoja e saj u konsiderua shumë e shkurtër.

Kufizime të ngjashme thuhet se janë vendosur në universitete të tjera në Iran, duke përfshirë Universitetin e Shkencave Mjekësore të Tabrizit. Një video amatore e postuar në internet më 28 prill tregon një protestë studentore në universitet.

Sindikata e studentëve në Universitetin e Teheranit, ndërkohë, paralajmëroi, në një deklaratë të 13 prillit, qëndrimin kundër atyre që tha se ishin “masa të shpeshta disiplinore që cenonin dinjitetin e studentëve”.

Sipas një kodi veshjeje të vendosur pas Revolucionit Islamik më 1979, gratë duhet t’i mbulojnë flokët dhe trupin e tyre në publik.

Shumë gra i kanë rezistuar rregullit të mbulesës dhe i kanë shtyrë kufijtë duke i ekspozuar flokët nga poshtë shamive të kokës dhe duke veshur pallto të shkurtra.

Kodi i veshjes zbatohet në mënyrë më strikte në ndërtesat qeveritare dhe institucionet e arsimit të lartë. Por, para masave të reja, atmosfera në universitete thuhet se ishte bërë më e relaksuar vitet e fundit.

Aktivisti politik iranian me bazë në Suedi, Mahdieh Golrou, duke folur për Radion Evropa e Lirë, tha se masat e reja janë një sinjal për studentët se autoritetet “kanë kontroll të plotë mbi paraqitjet dhe idetë e tyre”.

Një student i paidentifikuar në Universitetin, Amir Kabir i tha faqes iraniane të lajmeve Ensafnews.ir javën e kaluar se “imponimi i këtyre masave kufizuese duket të jetë politika e zyrtarëve të rinj të universitetit” të emëruar pasi “Qeveria aktuale erdhi në pushtet”.

Studentët e universitetit thanë se rojet e sigurisë kanë qenë duke bredhur nëpër kampus me motoçikleta dhe kanë zbatuar rregullat e reja.

“Kur dëgjojmë zhurmën e motoçikletave në universitet, shqetësohemi se rojet e sigurisë do të na paralajmërojnë për paraqitjet tona”, tha një studente tjetër e paidentifikuar, duke shtuar se asaj iu dha një paralajmërim se nuk i mbulonte plotësisht flokët.

“Nuk mund ta besoj se kjo po ndodh në universitet, sepse nuk kishte gjëra të tilla përpara koronavirusit [pandemisë],” tha ajo.

Më 27 prill, ekipi i futbollit i universitetit refuzoi të merrte pjesë në një turne lokal, sepse rojet e sigurisë penguan studentet vajza të merrnin pjesë.

“Të shqetësuar për protestat e mundshme”

Golrou, e cila u dënua me burg në Iran dhe u pengua të ndiqte studimet për shkak të aktivizmit të saj, tha se masat e reja janë edhe më “të ashpra” në provinca.

“Nxënëset vajza po shqyrtohen me kujdes për manikyrin e thonjve dhe gjatësinë dhe ngjyrën e çorapeve të tyre”, tha ajo.

“[Autoritetet] kanë dështuar të zbatojnë [plotësisht] këto politika në shoqëri, kështu që tani ata shpresojnë që të paktën t’i zbatojnë ato në universitete”, shtoi Golrou.

Golrou tha se autoritetet duken të vendosura për të parandaluar protestat në universitete mes rritjes së ndjenjës anti-qeveritare.

“Studentët me histori të aktivizmit politik janë thirrur që nga rihapja e universiteteve dhe u është thënë që të mos merren me asnjë aktivitet të tillë”, tha ajo. “Kjo tregon se ministritë e arsimit dhe inteligjencës janë të shqetësuara për protestat e mundshme.”

Alireza Moini, një zyrtar në Universitetin Amir Kabir, fajësoi për protestën e fundit mediat e huaja në gjuhën perse që ai pretendoi se i kishin inkurajuar studentët të mos i binden ligjit.

Ai nuk dha asnjë provë për të mbështetur pretendimin e tij.

Moini tha, gjithashtu, se prania e rojeve të sigurisë në motoçikleta nuk ishte asgjë e re në kampus.

“Për sa i përket hixhabit [mbulesës], [studentet] duhet të respektojnë ligjet e Republikës Islamike,” i tha Moini agjencisë gjysmë zyrtare të lajmeve ISNA më 24 prill.

Kufizimet e reja në universitetet iraniane vijnë pas shkarkimit të tre profesorëve të shquar universiteti në Teheran në janar.

Shkarkimet e raportuara ngjallën frikën për një spastrim të ri kundër akademikëve kundërshtarë.

Për vite me radhë, autoritetet janë akuzuar për largimin e profesorëve të shquar universitarë për arsye politike. Ata gjithashtu kanë burgosur dhe penguar studentë aktivistë që të ndjekin universitetin.

Presioni mbi studentët arriti kulmin nën ish-presidentin e linjës së ashpër Mahmud Ahmadinejad, administrata e të cilit detyroi dhjetëra profesorë të tërhiqen dhe ndaloi shumë studentë të universitetit të studionin./REL

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *