Sudan, mbi 1200 fëmijë vdesin nga fruthi dhe kequshqyerja në kampe në 5 muaj

Më shumë se 1200 fëmijë nën moshën pesë vjeç kanë vdekur nga fruthi dhe kequshqyerja në nëntë kampet e refugjatëve të Sudanit që nga maji, dhe dhjetëra mijëra të tjerë janë në rrezik të vdesin deri në fund të vitit, tha sot OKB.

“Për shkak të sulmeve të vazhdueshme ndaj shërbimeve shëndetësore dhe sigurisë ushqimore që ka pësuar një goditje të madhe” në Sudan, UNICEF ka frikë se “shumë mijëra të porsalindur do të vdesin nga tani deri në fund të vitit”, nënvizon agjencia.

Sipas kësaj agjencie të Kombeve të Bashkuara, siguria ushqimore në vend, ku ka shpërthyer një konflikt i përgjakshëm mes gjeneralëve rivalë, ka marrë një “goditje katastrofike”.

“Çdo muaj, 55,000 fëmijë kanë nevojë për trajtim për formën më vdekjeprurëse të kequshqyerjes. Megjithatë, në Khartoum, më pak se një në 50 qendra ushqimore dhe një në 10 në West Darfur funksionojnë,” u tha gazetarëve zëdhënësi i UNICEF-it, James Elder.

Sipas ekipeve të UNHCR-së, më shumë se 1200 fëmijë nën moshën 5 vjeç vdiqën nga fruthi dhe kequshqyerja në nëntë kampe refugjatësh të vendosura në shtetin e Nilit të Bardhë midis 15 majit dhe 14 shtatorit.

Këta fëmijë janë refugjatë nga Etiopia dhe Sudani i Jugut, tha Dr. Alain Maina, Shefi i Shëndetit Publik të Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, gjatë konferencës për shtyp.

Sipas UNHCR-së, më shumë se 3,100 raste të dyshuara të fruthit u raportuan gjithashtu gjatë së njëjtës periudhë dhe më shumë se 500 raste të dyshuara të kolerës në pjesë të tjera të vendit, si dhe raste të dengës dhe malaries.

“Bota ka mjetet dhe paratë për të parandaluar çdo një nga këto vdekje të lidhura me fruthin ose kequshqyerjen,” tha në një deklaratë për shtyp Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët Filippo Grandi.

“Dhe megjithatë dhjetëra fëmijë vdesin çdo ditë si rezultat i këtij konflikti shkatërrues dhe mungesës së vëmendjes nga komuniteti ndërkombëtar. Ne mund të parandalojmë më shumë vdekje, por na duhen para (…), akses tek ata që kanë nevojë dhe, mbi të gjitha, për t’i dhënë fund luftimeve,” theksoi ai.

Përveç kësaj, UNICEF-i ka mungesë fondesh. Agjencia ka marrë më pak se një të katërtën e 838 milionë dollarëve që kishte kërkuar për të ndihmuar rreth 10 milionë fëmijë në Sudan, zëdhënësi i saj tha në Gjenevë. “Një mungesë e tillë fondesh do të çojë në jetë të humbura,” paralajmëroi ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb


Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts