“Sulm i pabesë dhe kriminal”/ Fryma e Re Demokratike reagon për protestën e Berishës: Ideatori, peng i ideve leniniste








Fryma e Re Demokratike ka reaguar pas protestës së organizuar nga Sali Berisha para selisë së PD, ku pati edhe akte dhune. Si aleate e PD, FRD thotë se ajo që ndodhi sot ishte një sulm i pabesë dhe kriminal nga një grup të rebeluarish të cilët janë manipuluar.

protesta berisha selia e pd

Kjo forcë politike thekson se ideatori dhe projektuesit e këtij akti masakër treguan se janë peng të teorive leniniste se pushteti buron nga dhuna dhe mbrohet nëpërmjet dhunës.

Fryma e Re Demokratike i bën thirrje subjekteve politike të djathta, faktorëve politikë të fillimviteve 90, intelektualeve, kontribuesve në vite të PD, institucioneve akademike të mos qëndrojnë sehirxhinj, por të dënojnë dhunën, nga cilado anë që të vijë ajo, të ndihmojnë për një zgjidhje politiko – juridike të situatës dramatike që po kalojmë.

DEKLARATA E PLOTË

Fryma e Re Demokratike, si aleate e Partisë Demokratike, ndoqi sot me shqetësim sulmin e egër, të pa besë e kriminal nga një grup të rebeluarish, të revoltuarish e të manipuluarish kundër selisë qendrore të PD.   Fryma e Re Demokratike, ashtu si gjithë opinioni kombëtar e ndërkombëtar, është ndjerë sot e shokuar për aksionin kundër selisë, që të kujtonte sulmin mbi Bastije apo akoma me keq, sulmin që bolshevikët rusë, nën udhëheqjen e Leninit , bënë ndaj Pallatit të Dimrit në tetor të 1917-s. Aksione të tilla janë të denja për guerrilasit e revolucionarët e majtë, që kulmuan në shek.19 dhe 20. Ideatori dhe projektuesit e këtij akti masakër treguan se janë peng të teorive leniniste se pushteti buron nga dhuna dhe mbrohet nëpërmjet dhunës. Pjellat e dhunës sot shënuan fundin e tyre politik sepse i shërbyen forcave antishqiptare që janë të interesuara për destabilizimin e Shqipërisë e gjithë Ballkanit Perëndimor.   Sot, edhe dishepujt me fanatikë, të verbër e të manipuluar janë shokuar, ndjerë keq e të turpëruar. Si mundet që një lider themelues të programojë projekte të tilla të çmendura kundër shtëpisë së tij të lirisë. Dhe kjo na tregon se deri ku të çon egocentrizmi i sëmurë, arrivizmi i skajshëm, arroganca e autoritarizmi. Ne edhe një herë, të shqetësuar për fatet e opozitarizmit, e dënojmë këtë akt banditesk dhe paralajmërojmë se akte të tilla nuk do të sjellin asnjë përfitim për ideuesit dhe zbatuesit, vetëm do të shënojnë fillimin e ri të një procesi të dhimbshëm, por të domosdoshëm për ndarjen përfundimtare të PD e opozitës shqiptare nga reminishencat e enverizmit, nga trashëgimia komuniste, ndarjen nga dhuna e përdorimi i forcës, ndarjen nga urrejtja, inkriminimi, nga përçarja e format e reja të luftës së klasave, ndarjen nga berishizmi. Ne u bëjmë thirrje subjekteve politike të djathta, faktorëve politikë të fillimviteve 90, intelektualeve , kontribuesve në vite të PD, institucioneve akademike të mos qëndrojnë sehirxhinj, por të dënojnë dhunën, nga cilado anë që të vijë ajo, të ndihmojnë për një zgjidhje politiko – juridike të situatës dramatike që po kalojmë.Tani ! Nuk ka me kohë!

Sali Shehu

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.