
20:00 12/04/2022
Gjenden eksplozivë të pashpërthyer, autori largohet
Një sulm me armë zjarri në një metro të New York-ut ka shkaktuar të paktën 29 të plagosur.
Autoritetet mbërritën në vendngjarje ku sipas raportimeve ka pasur një shtëllungë tymi dhe janë dëgjuar disa të shtëna. Departamenti i Zjarrfikësve ka njoftuar se është gjetur edhe një sasi eksplozivi e pashpërthyer.
Ngjarja ndodhi rreth orës 8:30 të mëngjesit në stacionin e metrosë në Brooklyn. Këto pamje tregojnë njerëzit e gjakosur të cilët po marrin ndihmën e pare.
Sipas dëshmitarëve, autori mbante një jelek portokalli dhe kishte vënë një maskë gazi. Ai ishte i veshur si një punonjës i Autoritetit të Transportit Metropolitan dhe kjo gjë bëri më të lehtë arratisjen mes turmës.
Kryetari i Bashkisë së New York-ut, Erik Adams u ka kërkuar banorëve të qëndrojnë larg zonës teksa mbi ngjarjen është lajmëruar edhe presidenti Amerikan Joe Biden.
Për shkak të hetimit linja të shumta të metrosë në Brooklyn janë pezulluar dhe në shkollat aty pranë askush nuk po lejohet të dalë.
Tv Klan