“Sulm në shkelje të ligjit që synon dëmtimin e aktivitetit të FRD”-së”/ Meta tregon momentet e përplasjes: Letra e bashkisë ishte pa firmë e vulë, ja momenti kur reagova

Presidenti Ilir Meta e konsideron një sjellje të papërgjegjshme dhe në shkelje të ligjit atë të bashkisë së Tiranës për të nxjerrë nga zyrat partinë Fryma e Re Demokratike.

Kreu i shtetit ka treguar sot momentet e përplasjes në selinë e FRD-së, duke rrëfyer se dera ishte mbyllur dhe rrethuar me policë bashkiakë si të ishte skenë krimi, ndërsa u penguan me forcë stafi i Presidentit dhe drejtuesit e FRD-së. 

“Po e nis me një ngjarje të rëndë që ndodhi në selinë e FRD para pak ditësh. Situata e paligjshme dhe e dhunshme që ndodhi në selinë e FRD dhe sulmi i dhunshëm ndaj kësaj force politike opozitare, vetëm pak ditë pas nënshkrimit të një marrëveshje me PD dhe aleatët, është një tjetër tregues i sjelljes së papërgjegjshme të mazhorancës për dëmtimin e aktivitetit të kësaj force politike. Ky sulm siç u ndoq nga të gjithë shqiptarët bie ndesh me të gjitha parimet demokratike të shtetit të së drejtës.

Të gjitha veprimet janë kryer në kundërshtim flagrant me kushtetutën dhe ligjin. E gjitha veprimtaria e kryetarit të bashkisë është në shkelje të hapur të parimeve të administratës publike, ajo minon liritë dhe të drejtat themelore të njeriut dhe minon frymën demokratike dhe barazinë para ligjit.

Le të kalojmë te faktet. Në ambientet e FRD ishte ngjitur diku në korridoret e saj një letër, pa origjinë, pa nënshkrim, pa emër titullari, pa vulë institucioni, pa numër protokolli, e datës 3 mars, me qëllim që ta bënin të dukej si një akt zyrtar për të justifikuar veprimet e dhunshme dhe arbitrare për terrorizimin e kësaj force politike. Përmes kësaj letre që nuk plotëson asnjë element minimal të një akti administrativ, i kërkohej FRD lirimi i ambienteve për nevoja të bashkisë së Tiranës. Kjo letër nuk citonte në përmbajtjen e saj asnjë bazë ligjore apo asnjë referencë ku mbështetej ky njoftim.

Më pas rezulton se FRD ti jetë shkëputur energjia elektrike, dhe në ambientet e saj janë paraqitur punonjës bashkiakë që nuk kanë lejuar funksionarët, ndërkohe që kryetari ishte bllokuar brenda. Ky ishte momenti kur kreu i FRD njoftoi edhe Presidentin. Me cilësinë e kryetarit të shtetit, duke vënë re një tensionim absurd, ndoqa me vëmendje situatën dhe kam shkuar për të verifikuar situatën e paprecedentë që po ndodhte aty.

Kam vendosur të ndryshojë axhendën dhe të vizitojë selinë e kësaj force politike. Jemi drejtuar për në zyrë për të biseduar me kryetarin dhe drejtues të tjerë. Në momentin që jemi drejtuar për në hyrjen e godinës, dera ka qenë e mbyllur dhe ka qenë e rrethuar me policë, sikur të kishte ndodhur një skenë krimi. Stafi i Presidenti ka kërkuar të hapej dera për të mundësuar hyrjen e Presidentit. Fillimisht është hapur dera edhe është lënë të hyjë vetëm presidenti, ndërkohë që stafi i policisë bashkiake në mënyrë të dhunshme ka penguar me forcë stafin që shoqëronte presidentin, përfshirë edhe drejtuesit e FRD. Ky ka qenë momenti kur unë si kryetar i shtetit kam reaguar.

Edhe pasi ngjarja u bë publike, edhe pas ndërhyrjes sime, në korridoret e FRD është dërguar një shkresë për lirimin e ambienteve të FRD. Edhe kjo shkresë që nuk përmend asnjë arsye të ligjshme. Përmendet fakti që FRD paska zaptuar ambientet e bashkisë. Ky është një tjetër falsifikim i bashkisë Tiranë. FRD nuk është futur me forcë dhe nuk ka zaptuar asnjë ambient.  FRD ndodhet në këtë seli që prej datës 23 mars 2016 mbi bazën e një marrëveshje të lidhur më bashkinë Tiranë”, shprehet Meta.

Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *