Sulme në rrjete sociale dhe kërcënim me 1 vit pa futboll! Gjasula e nis nga zero pa… kokore: E çuditshme për 15 minuta










Me siguri të gjithë tifozët shqiptarë e kujtojnë Klaus Gjasulën vetëm me kokoren e tij të famshme që i dha edhe nofkën “Gladiatori” mes fansave të përfaqësueses kuqezi. Por tani ky emër duhet harruar, pasi pas 8 vitesh me kokoren në kokë, mesfushori i përfaqësueses shqiptare ka vendosur që ta heqë atë.

gjasula

Një dëmtim në mollëzën e faqes dhe pastaj një tjetër në kokë, bënë që Gjasula të vendoste kokoren në vitin 2013 dhe ta mbante atë gjithmonë që atëherë në ndeshje. Por që në sfidën e parë të debutimit me Darmshtad, ai është shfaqur në fushë pa mjetin që e dallonte.

“Në 15 minutat e para më dukej e çuditshme. Sidomos në duelet e para me kokë. Por shpejt gjeta ritmin tim. Dëshiroja të nisja një  kapitull të ri, ta filloja gjithçka nga zero”, shpjegoi lojtari i cili tregoi në mediat gjermane se e kishte menduar që të luante pa kokore që te Hamburgu.

Pikërisht ish-skuadra e tij do të jetë kundërshtari i radhës në kampionat dhe Gjasula pranon se po e pret me padurim. “Do të jetë e çuditshme të kthehem kaq shpejt në atë stadium dhe të luaj kundër djemve me të cilët deri vonë ulesha çdo ditë. Por është diçka e jashtëzakonshme gjithashtu. Po  e pres me padurim pasi e kam kaluar mirë me ata djem. Ajo ishte e vetmja arsye pse isha i lumtur te Hamburgu pavarësisht çdo gjëje”, tregoi lojtari, duke shpjeguar se si në ish-klubin e tij i ishte bërë e qartë se nuk do të kishte me vend për të në skuadër dhe se ai kishte menduar për kombëtaren shqiptare.

“M’u sinjalizua se nuk do të isha më i lumtur këtu, në rastin më të keq nuk do të luaja për një vit, e pastaj do të isha 32-vjeçar me një vit pa eksperiencë loje. E kuptova që duhej të orientohesha drejt një destinacioni tjetër.

Dështimi te Hamburgu? Së pari jam unë përgjegjës. Dëshiroja që të isha një konkurrues i denjë e të tregoja formën time më të mirë. Për fat të keq, tifozët panë një anë tjetër timen”, tha lojtari i cili pranoi se kishte patur vështirësi edhe nga sulmet e pazakonta që kishte marrë nga tifozët në rrjetet sociale. “Nuk isha mësuar të më sulmonin në atë mënyrë nga çdo kënd pas një ndeshje të keqe. Kjo të heq argëtimin nga futbolli. Kur nuk ndjehesh mirë, nuk mund të përmirësosh as paraqitjet e tua. Ky është një problem i madh te Hamburgu dhe më shumë se në vendet e tjera. Çdo lojtar e kupton këtë, edhe pse nuk e thotë”, tregoi futbollist shqiptar kalvarin e vuajtjeve te Hamburgu.

PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *