Sulmet ajrore mbi talebanët në Afganistan, Pentagoni: Po godasim atë që synojmë, por nuk janë të mjaftueshme

Për javë të tëra, Shtetet e Bashkuara kanë nisur sulme nga baza e saj ajrore Al Udeid në Katar dhe nga Gjiri Persik, duke goditur talebanët.

Por janë hedhur pikëpyetje lidhur me efektivitetin e sulmeve, ndërsa zyrtarët talebanë pohojnë se grupi ka kapur shtatë kryeqytete provincash gjatë pesë ditëve të fundit, kurse të martën shkroi në rrjetin twitter se kryeqyteti i tetë, Faizabad, në provincën Badakhshan të Afganistanit, ishte para rënies.

“Ne jemi të bindur se sulmet po godasin atë që ne po synojmë dhe po ndikojnë mbi talebanët,” u tha të martën gazetarëve zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, duke theksuar se sulme shtesë janë kryer “gjatë disa ditëve të fundit”.

Zoti Kirby pranoi se vetëm sulmet ajrore amerikane nuk do të jenë të mjaftueshme për të bllokuar luftëtarët talebanë.

“Askush nuk po thotë, askush nuk ka thënë këtu në Pentagon, se sulmet ajrore janë një ilaç që do të zgjidhë të gjitha problemet, të gjitha situatat në terren,” tha ai.

“Ajo që ne kemi thënë është se forcat afgane kanë aftësinë, kanë mundësinë dhe përparësinë numerike”, shtoi zoti Kirby, duke theksuar se “çështja është te udhëheqja dhe vullneti për t’i përdorur ato aftësi”.

Në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Joe Biden i bëri jehonë të martën kësaj thirrjeje.

“Ata duhet të duan të luftojnë,” u tha ai gazetarëve, duke shtuar se nuk do të ketë rishqyrtim të vendimit të Shteteve të Bashkuara për të përmbyllur tërheqjen e saj ushtarake deri më 31 gusht.

“Kemi shpenzuar mbi një trilion dollarë gjatë 20 viteve. Ne kemi trajnuar dhe pajisur me mjete moderne mbi 300,000 forca afgane,” tha presidenti Biden. “Ata janë më të shumtë se talebanët”.

“Ata duhet të luftojnë për veten e tyre, të luftojnë për kombin e tyre,” tha ai.

Zyrtarët amerikanë argumentojnë se lufta do t’i mundësojë qeverisë afgane të fitojë ndikim në negociatat me talebanët. Por, pavarësisht një njoftimi në fillim të këtij muaji nga presidenti afgan, Ashraf Ghani, se ushtria kishte nisur një fushatë të re për të stabilizuar vendin, ka pasur pak shenja përparimi në terren.

Në një seri postimesh në rrjetet sociale të martën, zëdhënësi i talebanëve Zabihullah Mujahid, tha se luftëtarët talebanë kishin kapur kryeqytetin e provincës Farah të Afganistanit dhe tha se ishin “në prag të hyrjes në qytetin Feyzabad”, kryeqyteti i provincës Badakhshan.

Zëri i Amerikës nuk arriti të vërtetojë në mënyrë të pavarur këto pretendime, ndërsa nuk pati asnjë konfirmim të menjëhershëm nga zyrtarët e qeverisë afgane.

Zyrtarët amerikanë kanë premtuar mbështetje të vazhdueshme për qeverinë afgane dhe forcat e sigurisë përtej afatit të 31 gushtit për tërheqjen ushtarake të Uashingtonit. Kjo përfshin një financim të propozuar prej 3.3 miliardë dollarësh për forcat afgane të sigurisë në buxhetin e propozuar për vitin 2022.

Zyrtarët amerikanë gjithashtu thonë se Shtetet e Bashkuara tashmë u kanë siguruar forcave ajrore afgane tre helikopterë të rinovuar Black Hawk që kur filloi tërheqja majin e kaluar dhe se 34 të tjerë janë rrugës.

Shtetet e Bashkuara janë gjithashtu në procesin e blerjes së më shumë avionëve sulmues A-29 Super Tucano për Afganistanin dhe vazhdojnë të ofrojë mbështetje mirëmbajtjeje nga larg. Uashingtoni, gjithashtu, ka premtuar se do të vazhdojë të furnizojë forcat afgane të sigurisë me ushqime e pajisje dhe të paguajë pagat e tyre.

Zyrtarë amerikanë, shfaqën shpresës se përpjekjet e tyre mund të gjejnë një mënyrë për të bindur udhëheqësit talebanë se ofensiva e tyre aktuale nuk është në interesin e askujt.

“Ka vend për përparim diplomatik”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, duke vënë theksin te prania në Doha të zotit Zalmay Khalilzad, përfaqësuesit të posaçëm amerikan për Afganistanin.

/VOA

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *