Sulmi ndaj prokurorit/ Meta: Të zbardhet sa më parë ngjarja, t’i garantohet mbrojtje e posaçme atij dhe familjes

ilir meta

Presidenti Ilir Meta ka reaguar duke e dënuar sulmin me tritol ndaj prokurorit Arian Muçaj.

Në një postim në rrjetet sociale, kreu i shtetit kërkon nga institucionet e ngarkuara nga ligji “të garantojnë mbrojtjen e posaçme për Prokurorin Muça dhe familjen e tij”.

“Organi i akuzës dhe të gjithë agjencitë ligjzbatuese e të sigurisë duhet të angazhohen maksimalisht për të zbardhur sa më parë ngjarjen dhe identifikuar autorët”, shprehet Meta.

POSTIMI I PLOTE

Dënoj me forcë aktin kriminal ndaj funksionarit të sistemit të drejtësisë, Prokurorit Arjan Muça.

Duke mbështetur plotësisht vendimmarrjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë për sigurinë e tij, u kërkoj institucioneve të ngarkuara nga ligji të garantojnë mbrojtjen e posaçme për Prokurorin Muça dhe familjen e tij.

Organi i akuzës dhe të gjithë agjencitë ligjzbatuese e të sigurisë duhet të angazhohen maksimalisht për të zbardhur sa më parë ngjarjen dhe identifikuar autorët.

Çdo sulm apo intimidim ndaj funksionarëve të Drejtësisë duhet të marrë ndëshkimin më të ashpër ligjor.

***

Kujtojmë që Prokurori Arian Muçaj shprehet se pas sulmit të së enjtes mbrëma, kur një sasi eksplozivi shpërtheu në makinën e tij, ai ndjehet i kërcënuar për vete dhe familjen.

Prokurori Arian Muçaj, dje rreth orës 11:00, i ka nisur një kërkesë në mënyrë elektronike, Komisionit të Posaçëm të Mbrojtjes së Prokurorëve, në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

“Arian Muçaj, me adresë banimi, rruga ‘Robert Shvarc’, Tiranë, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, komanduar këshilltar pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Tiranë. I nderuar zoti Bazaj, për shkak të ngjarjes së datës 11 mars 2021, në të cilën është vendosur një sasi eksplozivi mbi mjetin tim, ndihem i kërcënuar për vete dhe familjen time.

Për këtë arsye kërkoj nga ana juaj miratimin e kërkesës për mbrojtje të posaçme. Faleminderit për marrjen në konsideratë të kërkesës time. Me respekt, Arian Muçaj”, shprehet prokurori në kërkesën e tij.

Policia e Shtetit i ka marrë detyrat dhe kanë dalë edhe vendimet përkatëse për mbrojtjen e prokurorit Muçaj.

Por nga ana tjetër, edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka dalë me vendim për mbrojtjen e prokurorit, të jetës së tij dhe familjarëve të tij, paralelisht edhe të pronës së tyre.

Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *