Sulmohet anija me mallra në Detin e Kuq, helikopterët amerikanë godasin rebelët Houthi, 10 të vdekur

sulmohet anija me mallra ne detin e kuq helikopteret amerikane godasin rebelet houthi 10 te vdekur

Ushtria amerikane tha të dielën se forcat e saj hapën zjarr ndaj rebelëve Houthi pasi ata sulmuan një anije mallrash në Detin e Kuq, duke vrarë disa prej tyre në një përshkallëzim të konfliktit detar të lidhur me luftën në Gazë. Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara tha se ekuipazhi i luftanijes USS Gravely fillimisht rrëzoi dy raketa balistike pasi anija Maersk Hangzhou me flamur të Singaporit njoftoi se ishte goditur nga një raketë të shtunën në mbrëmje, ndërsa lundronte në pjesën jugore të Detit të Kuq. Më pas, katër varka të vogla sulmuan të njëjtën anije mallrash me armë të lehta të dielën herët dhe rebelët u përpoqën të hipnin në anije, tha Marina amerikane.

Më pas, USS Gravely dhe helikopterët nga aeroplanmbajtësja USS Dwight D. Eisenhower iu përgjigjën thirrjes së alarmit të anijes Maersk Hangzhou dhe bënë paralajmërime me autoparlant për autorët e sulmit, të cilët reaguan duke qëlluar mbi helikopterët. “Helikopterët e marinës amerikane u përgjigjën me zjarr për vetëmbrojtje”, duke fundosur tre nga katër varkat dhe duke vrarë personat në bordin e tyre, ndërsa anija e katërt u largua nga zona, tha Komanda Qendrore e SHBA-së. Nuk pati njoftime për dëmtim të personelit apo pajisjeve të Shteteve të Bashkuara dhe as viktima nga anija e mallrave.

Rebelët Houthi pranuan se 10 nga luftëtarët e tyre u vranë dhe paralajmëruan për pasojt.
Ishte sulmi i 23-të i paligjshëm nga ky grup ndaj mjeteve të transportit ndërkombëtar që nga 19 nëntori, tha Komanda Qendrore.

Ishte hera e parë që Marina e SHBA-së konfirmonte se personeli i saj kishte vrarë luftëtarë Houthi që nga fillimi i sulmeve në Detin e Kuq. Për më shumë se një muaj, rebelët e mbështetur nga Irani kanë marrë përgjegjësinë për sulme ndaj anijeve në Detin e Kuq që ata thonë se ose janë të lidhura me Izraelin ose shkojnë në portet izraelite. Ata thonë se sulmet e tyre kanë si objektiv që t’i jepet fund ofensivës izraelite ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës që filloi pas sulmit të Hamasit në 7 tetor në Izraelin jugor.

Gjigandi i anijeve me bazë në Danimarkë, Maersk, pronar i Maersk Hangzhou, tha të dielën se do të pezullojë përsëri transportin përmes Detit të Kuq pas dy sulmeve ndaj anijes së saj të mallrave. Të shtunën, komandanti më i lartë i forcave detare të SHBA-së në Lindjen e Mesme tha se rebelët Houthi nuk kanë treguar asnjë shenjë se do të ndalin sulmet ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq edhe pse është rritur numri i vendeve që i janë bashkuar misionit ndërkombëtar detar për mbrojtjen e anijeve dhe trafiku në rrugët ujore dhe tregtare po intensifikohet.

Në fillim të këtij muaji, Uashingtoni njoftoi krijimin e një koalicioni të ri ndërkombëtar për të mbrojtur anijet që udhëtojnë përmes rrugëve ujore. Britania, Bahreini, Kanadaja, Franca, Italia, Holanda, Norvegjia, Sejshelle dhe Spanja janë gjithashtu pjesë e misionit të ri të sigurisë detare. Që kur Pentagoni ndërmori Operacionin “Prosperity Guardian” për t’iu kundërvënë sulmeve pak më shumë se 10 ditë më parë, 1200 anije tregtare kanë udhëtuar nëpër rajonin e Detit të Kuq dhe asnjë nuk është goditur nga sulmet me dron ose raketa, tha zëvendës-adm. Brad Cooper në një intervistë për agencinë Associated Press./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts