Sulmuesi mban në “ankth” Partizanin, ja si paraqitet gjendja e “demave” përpara sfidës ndaj Vllaznisë






Bomberi i Partizanit, Stenio Zhunior, shpreson shumë që të jetë gati për sfidën kundër Vllaznisë që do të luhet ditën e premte, në orën 17:00. “Demat” janë tashmë në krye të Kategorisë Superiore dhe titulli kampion është në dorën e tyre.

Stenio Zhunior

Për të marrë kreun, Partizanit iu desh të fitonte në transfertë kundër Teutës dhe të kuqtë ia dolën edhe pa sulmuesin kryesor të skuadrës, Stenio Zhunior. Edhe pse ishte në stol dhe gati për çdo situatë të vështirë, Daja nuk preferoi ta rrezikojë me gjendjen e sulmuesit, duke e ruajtur për sfidën ndaj Vllaznisë.

Pas ndeshjes me Teutën, Zhunior u pyet për gjendjen e tij fizike dhe a do të jetë gati për takimin kundër shkodranëve me sulmuesin që u përgjigj me një batutë në shqip: “Me kismet (qesh)”. Braziliani e ka mësuar disi gjuhën shqipe dhe po përshtatet mjaft mirë te Partizani, duke qenë një ndër goleadorët e ekipit së bashku me Çinarin dhe Jasir Asanin.

Zhunior Partizani

Deri më tani, 29-vjeçari ka shënuar 6 gola në Superiore, duke u dhënë shumë pikë “demave të kuq” me golat e tij dhe duke qenë një ndër arsyet kryesore pse sot Partizani është në krye të klasifikimit. Te Partizani shpresojnë shumë që Zhunior të jetë nga minuta e parë në fushë, pasi duke parë edhe mungesën e Asanit për shkak kartonësh, sulmi është disi i rezervuar. Ndeshja me Vllazninë është e parafundit për të kuqtë, që mbyllin edicionin futbollistik kundër Bylisit ditën e mërkurë, me datë 26 maj.

PARTIZANI FITORJA

PROBLEMET NË SULM – Partizani ka përpara një tjetër sfidë shumë të rëndësishme sa i takon titullit kampion. Pas fitores në Durrës, “demat” do të përballen me Vllazninë dhe në rast se fitojnë në këtë përballje, me shumë gjasa janë ata kampionët e rinj të Shqipërisë. Por, për duelin me shkodranët, Partizani ka një mungesë tepër të rëndësishme si ajo e Jasir Asanit. Mëngjarashi është golashënuesi më i mirë i ekipit të kuq, me 9 rrjeta të realizuara deri më tani, por kundër Teutës u ndëshkua me karton të verdhë dhe nuk do të jetë në fushë. Ndërsa sulmuesi tjetër, Stenio Zhunior, është në dyshim për shkak të një dëmtimi të lehtë. I vetmi sulmues titullar që Daja ka në dispozicion 100%, është Eraldo Çinari, ndërsa dhe Cara e Lukas Kardozo mund të kenë fanella titullari.

KARTONËT – Plot 5 lojtarë të Partizanit mund ta mbyllin para kohe sezonin. Rron Broja, Egzon Belica, Esin Hakaj, Stenio Zhunior dhe Eraldo Çinari do e mbyllnin këtë edicionin futbollistik në rast se ndëshkohen me kartonë të verdhë kundër Vllaznisë, pasi janë në kuotën e tre të tillëve. Në sfidën kundër Vllaznisë, të pestë këta futbollistë duhet të bëjnë shumë kujdes, që të mos jetë takimi i fundit për ta. Normalisht, të pestë këta futbollistë do të donin të ishin në fushë kundër Bylisit jo vetëm për të ndihmuar skuadrën të fitonte sfidën, por edhe për të qenë protagonistë e për ta mbyllur sezonin në mënyrën e duhur, pse jo dhe me festën e titullit kampion.

PAR

PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *