Superfuqi në minifutboll/ Prestige kurorëzon sezonin fantastik, shpallet kampion për herë të tretë (VIDEO)






Prestige vijon të mahnitë dhe të regjistrojë suksese të njëpasnjëshme në çdo aktivitet ku merr pjesë, teksa mbrëmjen e djeshme është shpallur kampion në kompeticionin që organizon Shoqata Shqiptare e Minifutbollit Amator. Ndonëse i mjaftonte vetëm një pikë për ta siguruar matematikisht titullin, Prestige nuk bëri aspak llogari dhe shpërtheu me një fitore të thellë 8-1 ndaj skuadrës Jata Market, për të koleksionuar triumfin e tretë në katër edicionet që është zhvilluar ky event.

prestige 1

Një fitore e merituar që shpërblen punën e bërë në një sezon të gjatë e të vështirë me një kalendar shumë të ngjeshur ndeshjes. Edhe një herë tjetër, organizimi në nivele profesioniste i skuadrës Prestige, kurorëzohet me trofe. Me 10 fitore dhe vetëm 2 humbje, në 12 takimet e luajtura në këtë event, Prestige i shton kështu një tjetër kupë muzeut, duke qenë një pikë referimi për të gjitha skuadrat e minifutbollit në vend. Fryma e grupit, profesionalizmi i lartë, puna serioze me një staf të përgatitur e kanë shndërruar vit pas viti skuadrën Prestige një superfuqi.

NDESHJA

Edhe pse java e fundit e vendoste përballë një skuadre modeste si Jata Market, Prestige si gjithnjë e kishte vlerësuar maksimalisht kundërshtarin. Trajneri Andi Koçi, e filloi ndeshjen me Myrtën në portë, Antonin, Bibën, Muçën, kapitenin Hysenbelliu dhe Shimën në majën e sulmit. Pas vetëm 30 sekondave lojë, Muça lëshoi një predhë, duke përshëndetur rrjetën e portierit Rei Xhaferri, për t’i hapur rrugë goleadës.

prestige 2

Më pas Shima i dyfishoi shifrat me një gjuajtje fluturimthi, pas një topi të marrë nga rivënia anësore prej Hysenbelliut. Serinë e golave e vijoi Dajti, i cili finalizoi saktë një asist në shtyllën e dytë, sërish nga Hysenbelliu. Prestige luan rjedhshëm dhe argëtohet në fushë, me kombinime të shpejta dhe të sakta. Pas një aksioni model Shima realizoi edhe golin e katërt. Në fundin e pjesë së parë Jata Market ngushtoi në 4-1 me një gol të shënuar direkt nga këndorja. Pjesa e dytë është thjesht një formalitet, ku Shima, Xhepaj, Dajti dhe Lleshi kompletuan fitoren 8-1. Në fund shpërtheu festa në fushë, teksa kampionët iu gëzuan titullit të merituar. Më pas, ishte radha e ceremonisë, teksa kapitenit Fatmir Hysenbelliu iu dorëzua trofeu i kampionit nga organizatorët e kampionatit.

prestige 3

PRESTIGE, NË CHAMPIONS

Siç dihet skuadra fituese e kampionatit që organizon Shoqata Shqiptare e Minifutbollit Amator ka drejtën e përfaqësimit në Champions, event ku Prestige ka lënë gjurmë në dy pjesëmarrjet e sa gjatë viteve të kaluara. Në eksperiencën e parë në 2018- ën, Prestige arriti që të kalojë fazën e grupeve, për t’u eliminuar më pas vetëm me penallti nga një prej skuadrave pretendente. Ndërsa, në pjesëmarrjen e dytë shkroi historinë duke avancuar deri në gjysmëfinale. Kujtojmë që asnjë skuadër tjetër shqiptare nuk ka mundur që ta kalojë fazën e grupeve në arenën ndërkombëtare.

prestige

Risia në edicionin e ardhshëm të Champions-it është se do të marrin pjesë dy ekipe nga Shqipëria, ku përveç Prestige, do të jetë edhe skuadra ATS (fituesja e kampionatit të vjetshëm), pasi siç dihet në këtë sezon Liga e Kampioneve nuk u zhvillua për shkak të pandemisë. Ndërsa, në Ligën e Europës kualifikohen skuadrat Vila L dhe Jata Market, duke e dërguar kështu në 4 numrin e ekipeve shqiptare që do të luajnë në Europë.

PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *