Taksa 6 për qind për fermerët, Rama e Braçe përplasen në distancë/ Kryeministri: Atyre që thonë se bujqësia ka marrë fund, u them jeni ‘out’”. Deputeti i PS: Unë nuk keqinformoj!








Taksa prej 6 për qind për fermerët ka krijuar një përplasje në distancë mes Kryeministrit Edi Rama dhe ish-zëvendësit të tij, deputetit Erion Braçe.

Rama Brace

Gjatë prezantimit të buxhetit të 2022 për bujqësinë, të cilin e konsideroi si më të madhin e shënuar ndonjëherë në këtë sektor, kreu i qeverisë ka deklaruar se fermerët, të cilët protestuan, ishin të keqinformuar për përmbajtjen dhe shpërndarjen e fondeve. Rama thumboi deputetin e PS-së, Erion Braçe, për qëndrimet e tij në publik kundër paketës fiskale, duke argumentuar se tani ato para do transferohen drejtpërdrejtë në buxhetin e bujqësisë.

Duke iu përgjigjur mesazheve të shumta të rrjetet sociale, Kryeministri, ndonëse nuk e përmendi me emër ish-zëvendësin e tij tha se ata që bëjnë komente në “Facebook” dhe thonë se bujqësia po merr fund, nuk e dinë për çfarë flasin, ndërsa i cilësoi si “out”. “Dua ta filloj me atë konfuzionin e pragut të miratimit të buxhetit, i materializuar dhe në disa protesta, të cilat janë legjitime, por për të cilat unë besoj se ata që kanë marrë pjesë, në një masë të madhe, janë të keqinformuar. Çfarë ka ndodhur, në fakt, është shumë e thjeshtë në shifra, dhe pse ne kemi vendosur ta heqim atë rimbursimin e 6% dhe çfarë do bëjmë me atë masë parash që përdorej për rimbursimin, se këto janë pastaj të nevojshme për të kuptuar që është hedhur një hap përpara, jo mbrapa. Duke vendosur atë skemë të rimbursimit të 6%, ne kemi synuar që përmes shfrytëzimit të kapacitetit logjistik të grumbulluesve, të çojmë paratë te fermeri, në raport me prodhimin e grumbulluar.

Në këndvështrimin tonë, ajo shumë që në fund fare ka rezultuar rreth 9 milionë dollarë të transferohet drejtpërdrejtë në buxhetin e bujqësisë dhe në vend që të shpenzohet përmes një sistemi jo transparent dhe të paqartë rimbursimi, ku siç thashë, pjesa dominante e këtyre parave kontrollohet nga grumbulluesit, të shkojë drejtpërdrejtë për produktivitetin. Atyre që nga ‘smartphone’-i bëjnë komente në ‘Facebook’ që bujqësia ka marrë fund, fshati ka marrë fund, gjithçka ka marrë fund, u them që jeni ‘out’, nuk dini se çfarë flisni. E kundërta është e vërtetë. Mjafton të shikojmë faktet, eksportet. Ne kemi të vetmin sektor bujqësor, krahasuar me gjithë të tjerët ku nuk marrim asnjë taksë, zero. Nuk ekziston që uji për vaditje të merret falas në vende që e mbështesin bujqësinë shumë fort, nuk ekziston. Këtu nuk kemi hyrë fare në ato procese. Pse? Sepse duam t’i japim frymëmarrje sektorit”, tha Rama.

REAGIMI

Pak orë pas deklaratës së Kryeministrit, deputeti i PS-së Erion Braçe i është përgjigjur në distancë duke i kujtuar se ai nuk dhe keqinformon fermerët për asnjë arsye apo përfitim personal. Përmes një statusi të gjatë në “Facebook”, ish-zëvendëskryeministri shpjegon përse e ka kundërshtuar këtë skemë trajtimi për fermerët, që sipas tij në 2022 do të humbasin më shumë. “Unë nuk keqinformohem! Unë nuk keqinformoj, as me qëllim politik, as me qëllim ekonomik apo përfitimi personal! Për bujqit, prodhimin, grumbullimin, përpuniminbrenda vendit, eksportin, them. Ndaj po marr përsipër ta shpjegoj: Që bujku të prodhojë, duhet që ta shesë, të sigurojë të ardhura për të prodhuar përsëri dhe më shumë e për të jetuar; Që bujku të shesë duhet që blerësi, grumbullues apo përpunues, supermarket, të ketë interes, pra të fitojë edhe ai ose minimumi të mos humbasë para; nëse humb para, pse të blejë?!

Skema 6% në blerje dhe 20% në shitje funksionon kështu: Bujku ka prodhuar e do të shesë 1 kilogram domate, çmimi 500 lekë (të vjetra); Blerësi që është grumbullues ose përpunues, blen 1 kilogram domate me çmim 500 lekë; Blerësi ka detyrim ligjor të autofaturojë blerjen me 6% te bujku: 471.5 (vlere e tatueshme)+28.5 (TVSH 6%)=500 lekë. Blerësi do dalë të shesë, pasi shton vlerën e 1 kg domate nga 500 në 650 lekë. Blerësi tani si shitës, shet me 20% TVSH, pra i paguan qeverise/tatimeve, 20% të vlerës në shitje: 20 për qind e 650 lekëve=108.3 lekë TVSH. Pra: Blerësi nga bujku (grumbullues, shitës, përpunues, shitës), krediton të bujku kur blen prej tij 6%=28.5 lekë; Blerësi si shitës (grumbullues, përpunues), paguan tek qeveria 20%=108.3 lekë. Llogaria shumë e qartë: 108.3- 28.5=79.8 leke! Blerësi nga bujku, kur i ble prodhimin bujkut, humbet 79.8 lekë për një kilogram domate!

Me skemën e re 0 në blerje e 20% në shitje, blerësi nga bujku, humbet 108.3 lekë! Tani pyetjet që kam: Përse duhet të blejë unë nga bujku kur humbas para? Përse? Nëse unë nuk blej sepse humbas para deri në 16% të 500 lekëshit të një kilogram domate, përse duhet të prodhoj bujku? Cili idiot apo bamirës do ia blej prodhimin? Askush! Kaq e thjeshtë është. Të gjithë kemi shqetësimin e prodhuesit, unë, ministrja, Kryeministri. Por, shqetësimi nuk zgjidhet duke thelluar dëmin, pra duke thelluar humbjen e blerësit, shkatërruar interesin e tij për të blerë nga bujku, për pasojë prodhimin pa shitur nga bujku! Ato që kërkohen nuk janë para më shumë; Kërkohet barazimi i TVSH-së në blerje e në shitje si kudo në këtë vend, kudo jashtë këtij vend, siç te peshkimi xhanëm!”, shkruan Braçe.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *