“Taksa e ryshfetit u kushton bizneseve rreth 550 milionë euro në vit”/ Përplasja në Parlament për korrupsionin dhe vetingun e politikanëve, Basha: Kundërshtarët e egër rrezikojnë në këtë sallë








lulzimbashakuvend

Të dhënat e raportit të “World Justice Project” të cituar dje në sallën e Kuvendit nga kryedemokrati Lulzim Basha kanë nxitur debatin me socialistët, ku mungonte Kryeministri Rama. Duke argumentuar se përse vendit i kërkohet vetingu në politikë, Basha, citoi se sipas raportit të “World Justice Project”, në 8 vitet e qeverisë së Ramës, Shqipëria është e kapur nga korrupsioni dhe se vendi renditet krah vendeve si Algjeria apo Surinami.

Por, kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, në fjalën e tij në Parlament u shpreh se maxhoranca mirëpret propozimet e Partisë Demokratike për ndryshimet kushtetuese. Sipas Ballës, ato janë 100% kushtetuese, ndërsa bën apel që të ulen dhe të diskutojnë pa asnjë paragjykim apo kusht. Basha u shpreh se politika duhet të pastrohet nga të gjithë të korruptuarit dhe të lidhurit me krimin, nga ata që kanë abuzuar dhe abuzojnë me fuqinë që u është besuar për përfitime personale, duke braktisur interesin e qytetarëve.

Mes të tjerash, kryedemokrati iu përgjigj kritikëve të këtij propozimi të PD-së, duke u shprehur se “Jam po ashtu i bindur që kundërshtarët e egër të këtij propozimi janë ata që rrezikojnë qëndrimin në këtë sallë, apo në çdo karrige tjetër që mbajnë në emër të qytetarëve, për shkak të korrupsionit dhe lidhjeve të tyre me krimin.

Por, kjo nuk do të na pengojë”. Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, vlerësoi Reformën në Drejtësi, ndërsa i kujtoi kryedemokratit se kishte shpëtuar me procedurë ndaj akuzave penale ndaj tij për korrupsion. Basha nga ana e tij, e akuzoi Spiropalin, si drejtoresha e doganave që mburrej se kishte fituar 5 milionë euro.

DEBATI DJE NË SEANCËN PLENARE

Lulzim Basha: Pak ditë më parë, “World Justice Project”, një institut kërkimor ndërkombëtar me qendër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, publikoi Indeksin e Sundimit të Ligjit, 2020-2021, në të cilin Shqipëria renditej e fundit në Europë. E 83-ta nga 139 shtete, është renditur vendi ynë, mes Algjerisë dhe Surinamit, një shtet për të cilin disa prej njerëzve në këtë sallë duhet të klikojnë në “google” për ta gjetur. Një tjetër raport që dua të sjell përpara vëmendjes së qytetarëve sot, është ai i kryer nga Banka Botërore dhe BERZH në 141 shtete.

Sipas të dhënave të Bankës Botërore dhe BERZH, sipërmarrjet shqiptare paguajnë mesatarisht 3.1% të xhiros së tyre vjetore si ryshfet për zyrtarët dhe politikanët. Kjo shifër është tre herë me e lartë se ajo e raportuar në vitin 2013. Fatkeqësisht, taksa e ryshfetit, e rendit Shqipërinë të dytën në botë pas Zambias. Pra edhe njëherë kemi një zhvendosje në një tjetër kontinent të vendit tone, në Afrikë, për shkak të korrupsionit. Sipas përllogaritjeve, taksa e ryshfetit u kushton bizneseve shqiptare rreth 550 milionë euro në vit në raport me xhiron e tyre, ose 1.5 milionë euro në ditë.

Taulant Balla: Ky është raporti i parë që të gjitha detyrat e lënë sa i përket Reformës në Drejtësi skontohen si të arritur nga Shqipëria. Duke iu referuar edhe afatit të Gjykatës Kushtetuese. Natyrshëm është edhe adresimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për sistemin zgjedhor. Të gjithë e dimë që është në praktikën parlamentare që me fillimin e një sesioni të ri parlamentar, kuvendi ngre edhe një komision të posaçëm të reformës zgjedhore. Nga ana e Ramës është bërë e ditur oferta jonë për tu ulur pa asnjë kusht dhe paragjykim. Unë nuk do të hyj në përgjigjen e propozimeve tuaja për ndryshimet kushtetuese. Ju keni propozuar një sërë çështjet, e mirëpresim 100%, është një e drejtë që buron nga kushtetuta, janë 28 firma deputetësh që e vënë kuvendin në punë. Të presim plotësimin e afatit për të hyrë në një procedurë parlamentare dhe në këtë aspekt natyrshëm që do ti shqyrtojmë të gjitha nën dritën e rekomandimeve të ODIHR, kur bëhet fjalë për zgjedhjet, rekomandimet e Venecias për çështje të tjera dhe të ecim përpara.

Lulzim Basha: Vetingu i politikanëve, është edhe një nga mjetet që do të çojë drejt pastrimit të politikës nga të korruptuarit dhe të lidhurit me krimin. Pastrimin e politikës nga të gjithë ata që kanë abuzuar dhe abuzojnë me fuqinë që u është besuar për përfitime personale, duke braktisur interesin e qytetarëve, duke u kthyer ne pengesë të mirëqeverisjes dhe prodhues krizash që i shërbejnë vetëm një grushti të vogël njerëzish, që përfitojnë nga korrupsioni dhe mungesa e besimit që ai ngjall te aftësia dhe forca e njerëzve për të ndryshuar rendin e gjërave. Ne e kemi hedhur hapin e parë. Jam i bindur që debati nuk do të mungojë. Jam po ashtu i bindur që kundërshtarët e egër të këtij propozimi janë ata që rrezikojnë qëndrimin në këtë sallë, apo në çdo karrige tjetër që mbajnë në emër të qytetarëve, për shkak të korrupsionit dhe lidhjeve të tyre me krimin. Por kjo nuk do të na pengojë.

Nuk do të na pengojnë as ata që opozitën e opozitës e kanë sport kombëtar, të cilët, pasi për tre dekada kanë lëshuar romuze kundër politikanëve, nëpër kafe apo emisione, e sot kanë zhvilluar empati dhe dhembshuri për politikanët që do të kalojnë sitën e vetingut. I takon anëtarëve të këtij Parlamenti të mbajnë një qëndrim mbi atë që shqiptarët duan dhe presin për të pasur një të ardhme më të mirë, e për t’i dhënë fund një tranzicioni të tejzgjatur. Dikush, vite më parë, ka thënë që ekziston një lidhje e ngushtë midis frikës dhe korrupsionit. Sepse vetë frika e humbjes së pushtetit korrupton. Por frika e pak njerëzve që kanë përdorur besimin e qytetarëve për të shpërdoruar pushtetin, nuk mund të pengojë aspiratën e shumicës dërrmuese të shqiptarëve për një ndryshim rrënjësor që ndan politikën nga krimi dhe e pengon shndrimin e kësaj salle në një strehë për të korruptuarit. Në këtë sallë nuk mund të ketë vend për ta dhe jam i bindur që mungesa e tyre nuk do të trishtojë askënd.

Erion Braçe: Pastrimi nga korrupsioni dhe lufta nga korrupsioni kërkon prova dhe fakte. Veçanërisht kur bëhet fjalë për përdorimin e parasë publike. Në dy periudha të ndryshme kohore, nga 1999-2001 dhe 2005-2007 dy qeveri të ndryshme, njëra e jona dhe tjetra e opozitë sot morën përsipër të ndërtojnë rrugën që kalon nëpër Lushnje dhe shkon në jug të vendit. E para mori përsipër dhe ndërtoi aksin nga Rrogozhina në Lushnje e dyta mori përsipër të ndërtojë rrugën nga Lushnja në Fier. Të dyja rrugët të ndërtuara gabim, kur ndërprenë apo ndanë përgjysmë fshatra të tërë. Një poshtë rrugës dhe një sipër rrugës. Ndërkohë që qeveria e parë zgjidhi problemin duke ndërtuar disa rrotullame për t’i dhënë mundësi njerëzve të ktheheshin në shtëpi apo në tokat e tyre, qeveria tjetër për herë të parë na dha mundësi të shohim një autostradë që ndërpritet në 4 segmente. Shkon me shpejtësi dhe pas 4 km duhet të ndalosh për t’u kthyer o majtas o djathtas. Kjo rrugë ishte vepra e parë e një ylli të ri ngjitës në fushën e infrastrukturës.

Lulzim Basha: Meqë po flasim për një zonë të cilën dhe unë e kam shumë përzemër, ndonëse nuk ka pasur nderin ta përfaqësojë asnjëherë drejtpërdrejtë, sigurisht e përfaqësojë si kryetar i Partisë Demokratike dhe i opozitës. Atyre me siguri iu kujtohet diçka që papritur nuk i kujtohet përfaqësuesit të tyre në këtë sallë. Rruga ishte projektuar, financuar dhe ishte gati për të filluar, po nuk fillonte dhe nuk fillonte në kohën kur qeveriste Partia Socialiste. Se pse nuk fillonte, këtë mund t’ua thonë përfaqësuesit italo-shqiptarë që ishin kontraktuar. Dhe pse kjo pengesë u zhbllokua menjëherë me ndryshimin e 3 korrikut 2005, po kështu mund t’ua faktojnë ata. Pa diskutim që fondet në dispozicion nuk parashikonin as rrugë dytësore dhe as përfundimin e mbikalimeve.

Por një gjë është e sigurt, jo vetëm këtë rrugë, por në çdo rrugë dhe në çdo vepër infrastrukturore tenderuar në periudhën 2005-2007 sipas raporteve të KLSH, kursimi minimal i preventivit ishte 16%. Numri minimal i pjesëmarrësve në tender ishte 5. Krahasojeni pak me sot. Më numëroni me gishtat e një dore një tender të këtij shteti që nuk fitohet nën 99%. Numëro tenderët ku ke më shumë se 5 ofertues. Pse? Sepse ky reagim është nona dhe baba e korrupsionit dhe korrupsioni është arsyeja kryesore e varfërisë, dëshpërimit dhe revoltës legjitime të banorëve të Divjakës, Lushnjës dhe gjithë Shqipërisë

Elisa Spiropali: Shqipëria nuk është në garë as me Zambian, as me Gambian as me Gjermaninë si në kohën tuaj të ndritur, por patjetër është në garë me rajonin. Ajo që ju treguar me foto, është raport i një instituti. Ju shikoni këtë gjëmë dhe nuk shikoni traun para syve tuaj, që është raporti i KE që e thotë Shqipëria ka plotësuar të gjitha kushtet për Konferencën e Parë Ndërqeveritare. Edhe atdheu juaj i dytë, Holanda, ka votuar pro Shqipërisë. Nga 2013-ta deri më sot Shqipëria ka vijuar të përmbushë të gjitha kushtet, duke filluar nga Reforma në Drejtësi, që ju e latë në kthetrat e politikës. Ju dhe të tjerë i keni shpëtuar kësaj drejtësie pa procedurë për rrugë dhe për ura. Është e paimagjinueshme që lideri i opozitës, sado në hall të jetë në partinë e tij, të dalë në Kuvend dhe tu drejtohet partnerëve duke u thënë që Shqipëria nuk është gati të integrohet në BE. Të tjera halle, pyetje duhet t’ia shtroni vetes dhe të përgjigjeni po vetë.

Lulzim Basha: Në qoftë se korrupsioni që gërryen xhepat e shqiptarëve dhe shkatërron jetët e tyre, që i bën ti largojnë fëmijët në emigracion nuk qenka halli i shqiptarëve, por halli i parafolëses qenkan proceset në Partinë Demokratike atëherë nuk ka njeri në botë që s’e kupton se çfarë rrote i ka zënë prej bishti këta. A ka hall më të madh se rritja e çmimeve?! A ka hall më të madh se rënia e fuqisë blerëse?! A ka hall më të madh sesa prindërit, pensionistët, gjyshet, gjyshërit tanë pasi paguajnë faturën e energjisë, ilaçet, ujin nuk ju ngelet më shumë se për bukën e pak djathë? Kush ka 8 vite në pushtet dhe s’ka arritur dot ti rrisë pensionet as sa inflacioni? Kush ka 8 vite në pushtet dhe ka rritur vetëm taksat, faturat e energjisë dhe ka ulur apo ka hequr akcizat për jahtet e oligarkëve? Kush mburret tavolinave se vetëm si drejtoreshë doganash nxori 5 milion euro?! Dhe mesa duket është vrima fundit e kavallit se të tjerët i kanë me dy e me tre shifra nga mbrapa, të paktën sipas raportimeve të OSBE-së. Për njërin thotë ka 200 milion euro, OSBE-ja.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *