
16:12 08/09/2021
Qeveria e përkohshme me disa të kërkuar për terrorizëm
Ky filmim amator i kësaj afganeje është një tjetër dëshmi që tregon se si talebanët i trajtojnë gratë në mënyrë çnjerëzore.
Pamjet tregojnë grupe grash, punonjëse të një banke, të cilat talebanët i mbyllën në parkingun e ndërtesës në Kabul për t’i penguar t’u bashkoheshin protestave të orëve të fundit, në mbështetje të të drejtave të tyre. Në një tjetër video shfaqet dhuna e egër që militantët talebanë përdorën për të shpërndarë grupet e protestuesve në Kabul.
Përveçse qëllojnë në ajër për t’i trembur, talebanët përdorin automatikët në vend të shkopinjëve të gomës për të goditur pjesëmarrësit.
Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar se me të tilla taktika të shkeljes së të drejtave të njeriut, nuk do ta njohin për legjitime qeverinë talebane.
Të martën, ata shpallën qeverinë e përkohshme ku në përbërje ka disa emra të përfshirë në listat e të kërkuarve për terrorizëm, ndër të cilët edhe Kryeministri Mullah Hasan Akund dhe ministri i brendshëm Siraxhudin Hakani, për të cilin amerikanët kanë vënë shpërblim prej 10 milionë dollarësh për kokën e tij.
Tv Klan
Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al