Talebanët: Qeveri gjithëpërfshirëse në Afganistan

11:17 17/08/2021

Biden: SHBA e arriti misionin në këtë vend

Një ditë pas marrjes nën kontroll të kryeqytetit Kabul, liderët talebanë nisin përpjekjet për formimin e një qeverie të re. Ata shpallën nisjen e negociatave për formimin e një kabineti gjithëpërfshirës, duke i ofruar pjesëmarrjen të gjitha palëve politike. Ofertë për të qenë pjesë e qeverisë së re i bënë edhe ish-presidentit Hamid Karzai.

Vendimi i parë pas marrjes së pushtetit ishte amnistia për të gjithë funksionarët shtetërorë, të cilëve u bënë thirrje të mos tremben dhe të rikthehen në punë me besim të plotë. Është ende e paqartë nëse sistemi politik i vendit do të ndryshojë, por në krye të vendit pritet të jetë Abdul Gani Baradar, lideri politik i talebanëve.

I gjendur përballë kritikave të mediave e të politikanëve për kaosin që shkaktoi vendimi për tërheqjen e plotë të ushtrisë amerikane nga Afganistani, presidenti amerikan Joe Biden mbrojti vendimin e tij në një konferencë për shtyp.

“Në hymë në Afganistan 20 vite më parë me qëllimin e qartë të ndëshkonim përgjegjësit e sulmit të 11 Shtatorit 2001 dhe për të garantuar që Al Kaeda të mos e përdorte vendin si bazë për të na sulmuar sërish. Synimin e arritëm, vramë edhe Bin Laden-in. Por kurrë nuk e kemi pasur si mision, ndërtimin e një kombi në Afganistan”.

Sakaq në Kabul duket se talebanët rikthyen rendin publik, pas një të Hëne kaotike me skenat e dyndjeve të dëshpëruara të mijëra afganëve për të marrë arratinë nga vendi, përmes avionëve që evakuonin të huajt.

Në memorien e të gjithëve do të mbeten pamje si kjo foto, ku mbi 600 afganë mbushën një avion ushtarak amerikan mallrash, teksa kapaciteti është rreth 100 persona. Ndërsa në media është publikuar edhe kjo video ku tregohet momenti kur një afgan përpëlitej në fluturim i kapur pas rrotave të avionit në përpjekje për të ikur nga vendi. 

Tv Klan

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *