Talibanët shpërndajnë me dhunë protestuesit në Xhalalabad

21:41 18/08/2021

Ektremistët talibanë sulmuan protestuesit në lindje të Afganistanit, që guxuan të heqin flamurin e talibanëve dhe ta zëvendësojnë me flamurin kombëtar.

Dhjetëra vetë ishin mbledhur në qytetin lindor të Xhalalabadit dhe në një qytet tregtar jo larg, duke ngritur flamurin me tre ngjyra, një ditë para Ditës së Pavarësisë së Afganistanit, e cila feston traktatin e vitit 1919 që i dha fund sundimit britanik. Ata ulën flamurin e bardhë të talibanëve me një frazë fetare në të.

Videot e regjistruara në zonë tregojnë talibanët duke qëlluar në ajër dhe duke sulmuar protestuesit me shkopinj gome për të shpërndarë turmën. Babrak Amirzada, gazetar për një agjenci lokale lajmesh tha se talibanët e kishin rrahur dhe kishin rrahur edhe kameramanin e një agjencie tjetër.

Të paktën një person mbeti i vrarë dhe gjashtë u plagosën nga reagimi i talibanëve, konfirmoi një zyrtar i shëndetësisë që foli në kushte anonimiteti. Ky reagim thelloi frikën mbi mënyrën si do të qeveriset vendi nën talibanët.

Talibanët nuk kanë komentuar mbi protestën ose dhunën për shpërndarjen e saj.

Rrjeti taliban ka këmbëngulur se do të respektojnë të drejtat e njeriut, ndryshe nga mënyra se si e qeverisnin vendin deri në vitin 2001. Por sulmi në Xhalalabad ndodhi ndërkohë që shumë afganë janë mbyllur në banesa ose po përpiqen të largohen nga vendi pasi shtohen njoftimet për abuzime nga grupe paraushtarake që veprojnë përgjithësisht pa kontroll.

Shumë afganë kanë shprehur shqetësimin se vizioni perëndimor për ta shndërruar Afganistanin përmes angazhimit të ndërkombëtarëve gjatë 20 vjetëve të fundit nuk do t’i mbijetojë sundimit taliban.

Udhëheqësit talibanë diskutuan të mërkurën me zyrtarë të lartë afganë të qeverisë së mëparshme mbi drejtimin e Afganistanit në të ardhmen, në kuadër të përpjekjeve për të krijuar “një qeveri inkluzive, islamike”.

Një ndër figurat më të larta të qeverisë së mëparshme që mungonte në këtë mbledhje ishte Presidenti afgan, Ashraf Gani, i cili u arratis kur talibanët po i afroheshin kryeqytetit, Kabul të dielën. Emiratet e Bashkuara Arabe pohuan të mërkurën se kanë strehuar presidentin dhe familjen e tij.

Talibanët kanë zhvilluar bisedime me ish-presidentin afgan, Hamid Karzai dhe me Abdullah Abdullahun, një zyrtar i lartë i qeverisë së rrëzuar. Mohammad Yusof Saha, zëdhënës për zotin Karzai tha se takimet paraprake me zyrtarët talibanë pritet t’u hapin rrugën negociatave me Mullah Abdul Ghani Baradar, udhëheqësi më i lartë politik taliban, i cili sapo ka ardhur në Afganistan nga Katari.

Zoti Karzai dhe zoti Abdullah u takuan të mërkurën me Anas Hakanin, një udhëheqës i lartë në fraksionin e fuqishëm taliban të njohur si Rrjeti Hakani. Ky rrjet, dikur në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara gjatë luftës kundër sovjetikëve në Afganistan, është fajësuar për një numër sulmesh të rënda vetëvrasëse gjatë 20 vjetëve të fundit në Afganistan. Rrjeti Hakani, ashtu si talibanët, është nën sanksione amerikane.

Ndërkaq, qindra vetë mbeten të bllokuar në aeroportin ndërkombëtar të vendit në përpjekje për të ikur. Talibanët u kërkonin njerëzve të tregonin dokumente dhe lejuan vetëm një numër fare të vogël të kalonte. Shumë njerëz nuk kishin pasaporta. Ndërsa turma shtynte për të hapur me forcë portën, talibanët qëllonin në ajër për t’i sprapsur.

Një afgan, i cili më parë ka punuar me ushtrinë amerikane tha se trupat amerikane nuk e lanë të kalonte, megjithëse Departamenti i Shtetit e kishte njoftuar të vinte për evakuim, sipas Sam Lerman, veteran i Forcave Ajrore amerikane, i cili po ndihmon ish-kolegët e tij të largohen nga Afganistani. Zoti Lerman thotë se shtetasit afgan i kishin thënë se duhet të kishte kartën e gjelbër të rezidentit të përehershëm në SHBA.

“Njerëz do të vriten, për faj të këtij konfuzioni,” tha zoti Lerman.

Talibanët kanë premtuar të ruajnë sigurinë, por banorët thonë se ka pasur grupe të armatosura që shkojnë derë më derë duke pyetur nëse ka në atë banesë afganë që kanë punuar me amerikanët apo me qeverinë e rrëzuar. Nuk është e qartë nëse këto grupe të armatosura janë pjesë e talibanëve apo elementë kriminalë që prezantohen si pjesë e ekstremistëve.

Ndërkaq, Ashraf Gani, megjithëse i strehuar aktualisht në Emiratet e Bashkuara Arabe, në teori vazhdon të jetë president i vendit. Shumë në Afganistan e fajësojnë zotin Gani për dështimin e forcave të armatosura. Ambasada amerikane në Abu Dabi nuk iu përgjigj një kërkese për koment lidhur me vendndodhjen e zotit Gani. Ai përballet gjithashtu me akuza nga diplomatë rusë se ka marrë me vete miliona dollarë kur iku nga vendi.

Si parathënie e vështirësive monetare me të cilat do të ndeshet Afganistani, kreu i Bankës Qendrore të Afganistanit tha se sasia e dollarëve në vend është “thuajse zero”. Afganistani ka rreth 9 miliardë dollarë në rezerva, por pjesa më e madhe mbahet jashtë vendit. 7 miliardë dollarë janë në Rezervat Federale amerikane në formë bonosh thesari dhe rezerva ari.

Një zyrtar amerikan konfirmoi se Departamenti i Thesarit ka ngrirë asetet e qeverisë afgane dhe ka ndalur ndihmat me pagesa për qeverinë.

“Talibanët fituan betejën ushtarake, por tani duhet të qeverisin. Nuk do të jetë e lehtë,” tha kreu i Bankës Qendrore të Afganistanit./VOA

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *