Talibanët u afrohen rrethinave të Kabulit, kontrollojnë shumicën e administratave lokale në krahinat e Afganistanit

Talibanët morën të shtunën dy krahina të tjera dhe u janë afruar rrethinave të kryeqytetit, Kabul, thonë zyrtarët afganë.

Kryengritësit kanë marrë nën kontroll një pjesë të mirë të zonave veriore, perëndimore dhe jugore të vendit në një ofensivë të shpejtë kur mbeten më pak se tre javë nga data e caktuar për tërheqjen e plotë të trupave amerikane nga vendi.

Grupi ekstremist ka nën kontroll të gjithë krahinën Logar, në jug të kryeqytetit dhe ka nën arrest zyrtarët lokalë, njofton një ligjvënëse e zonës. Talibanët kanë marrë edhe kryeqytetin e krahinës Paktika, në kufi me Pakistanin, sipas deklaratës së një ligjvënësi lokal. Ai tha se luftimet shpërthyen herët në mëngjes dhe më pas kryepleqtë e zonës ndërhynë për të negociuar tërheqjen nga krahina. Ndërsa guvernatori dhe zyrtarët u dorëzuan dhe u nisën drejt Kabulit.

Ndërkaq, qyteti verior i Mazar-i-Sharifit po sulmohet nga të gjitha drejtimet. Në periferitë e tij vazhdojnë luftime të ashpra, sipas një zëdhënësi të qeverisjes lokale. Nuk ka ende njoftime për viktima.

Talibanët kanë arritur të avancojnë me shpejtësi gjatë javëve të fundit dhe tani kontrollojnë administratat lokale në 19 nga 34 krahinat e vendit.

Rezistenca e dobët e forcave afgane dhe shpesh dorëzimi i tyre pa bërë qëndresë të mirëfilltë, megjithë qindra miliarda dollarë të shpenzuar nga Shtetet e Bashkuara për stërvitjen dhe pajisjen e tyre, ka zgjuar frikën se talibanët mund të kthehen brenda pak muajsh në pushtet ose mund të plasë konflikti mes fraksioneve etnike siç ndodhi pas largimit të sovjetikëve në 1989.

Me avancimin e talibanëve, vendet perëndimore aleate të qeverisë afgane kanë njoftuar planet për evakuimin e personelit të tyre diplomatik.

Ndërkaq, nga i gjithë vendi ka pasur zhvendosje masive të civilëve të pambrojtur që përpiqen t’u shpëtojnë luftimeve. Sipas Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë të OKB-së për Refugjatët, që nga fillimi i vitit janë detyruar të braktisin banesat afro 400,000 afganë. Grupet bamirëse po i bien këmbanave të alarmit mbi rrezikun e një krize humanitare. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres bëri thirrje të premten për ndalimin e luftimeve, duke shtuar se situata në Afganistan ka dalë jashtë kontrollit.

/VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *