“Tani është koha për…”, Presidenti Biden hedh poshtë propozimin e ri të republikanëve për infrastrukturën

Presidenti Joe Biden hodhi poshtë të premten një propozim të ri të republikanëve për reformën në infrastrukturë që ofronte një rritje modeste të shumës totale, por nuk i afrohej “objektivave për rritje ekonomike,” tha Shtëpia e Bardhë.

Reagimi i presidentit ka hedhur hije të reja dyshimi mbi mundësinë që dy forcat politike të arrijnë kompromis mbi një nga nismat kryesore legjislative të administrate,s ndërkohë që afron afati i fundit për të arritur marrëveshje.

Shtëpia e Bardhë nxori një deklaratë pasi Presidenti Biden bisedoi me telefon me Senatoren nga Virxhinia Perëndimore Shelley Moore Capito, kryenegociatorja e palës republikane. Të dyja palët thanë se presidenti dhe senatorja do të bisedojnë përsëri të hënën, por ekipi i zotit Biden e bëri të qartë se presidenti do të shohë mundësinë për bisedime me senatorë të tjerë republikanë.

“Presidenti shprehu mirënjohjen e tij për përpjekjet dhe vullnetin e senatores, por ia bëri gjithashtu të qartë se oferta aktuale nuk përmbush objektivat për të rritur ekonominë, për t’iu përgjigjur krizës klimatike dhe për të hapur vende të reja pune,” tha Shtëpia e Bardhë.

Një deklaratë e zyrës së Senatores Capito nuk ofronte hollësi për diskutimet apo ofertën e re.

Duke folur në emër të republikanëve, zonja Capito ka propozuar një rrritje prej rreth 50 miliardë dollarësh të shumës së mëparshme prej 928 miliardë dollarësh që kishin ofruar republikanët, tha Shtëpia e Bardhë. Ky propozim në total është 1.7 trilionë dollarë më pak se shuma që ka kërkuar administrata Biden.

Një tjetër shenjë se arritja e një marrëveshjeje në diskutimet me Senatoren Capito është e vakët, ishte deklarata e Shtëpisë së Bardhë se zoti Biden i ka thënë senatores republikane se “do të vazhdojë të angazhohet me një numër senatorësh nga të dyja partitë me shpresën për të arritur një ofertë më të madhe”.

Presidenti po përpiqet prej javësh të arrijë kompromis me republikanët për paketën e tij për investime në infrastrukturë. Të dyja palët kanë bërë lëshime: administrata duke e reduktuar propozimin fillestar prej 2.3 trilionë dollarësh dhe republikanët e kanë rritur ofertën e tyre për një paketë prej 568 miliardë dollarësh. Mes dy palëve ekzistojnë gjithashtu mosmarrëveshje mbi burimet që do të paguajnë për këto investime.

Presidenti Biden ka në plan të rrisë taksat e korporatave për të krijuar fonde për investimet në infrastrukturë. Republikanët e kundërshtojnë këtë ide prerazi. Senatorët republikanë propozojnë që për të paguar për riparimin e rrugëve, urave dhe projekteve të tjera të përdoren fonde të pashfrytëzuara nga paketa e miratuar kundër COVID-19. Demokratët nuk e pranojnë këtë sugjerim.

Më herët të premten, pasi dolën shifrat e fundit të punësimit që tregonin një përmirësim modest të tregut të punës, Presidenti Biden theksoi se paketa e tij e investimeve kundër COVID-19 dhe rënies ekonomike që solli pandemia, ka sjellë një epokë të re ekonomike.

“Tani është koha të avancojmë përtej përparimit që kemi arritur. Duhet t’i bëjmë sot këto investime që të shohim nesër suksese,” tha presidenti./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *