Tanzania do të lejojë vajzat të ndjekin shkollën edhe pas lindjes

Qeveria e Tanzanisë do të lejojë nënat adoleshente të vazhdojnë studimet e tyre pas lindjes, duke përmbysur një politikë të kritikuar rëndë të zbatuar nga ish-presidenti i ndjerë John Magufuli.

Aktivistët e të drejtave të njeriut akuzuan Tanzaninë për diskriminim pasi Magufuli në 2017 miratoi përjashtimin e vajzave shtatzëna nga shkollat ​​shtetërore dhe parandalimin e tyre për t’u kthyer në klasë pas lindjes,  një politikë që daton që nga viti 1961.

Pas vdekjes së Magufuli në fillim të këtij viti, pasardhësja e tij Samia Suluhu Hassan është përpjekur të shkëputet nga disa prej politikave të tij. Të mërkurën, ministrja e Arsimit Joyce Ndalichako tha se “vajzat shtatzëna të shkollave do të lejohen të vazhdojnë  arsimin pas lindjes”.

“Do të nxjerr një rregullore te re. Nuk ka kohë për të pritur”, tha ajo në një ceremoni në kryeqytetin, Dodoma.

Magufuli ishte zotuar se asnjë studente që mbeti shtatzënë nuk do të përfundonte studimet nën mbikëqyrjen e tij, duke thënë se ishte e pamoralshme që vajzat e reja të ishin seksualisht aktive.

“Unë jap para që një student të studiojë falas. Dhe më pas, ajo mbetet shtatzënë, lind dhe pas kësaj, kthehet në shkollë. Jo, jo nën mandatin tim”, tha ai në mesin e vitit 2017.

Vendimi u kritikua gjerësisht nga grupet e të drejtave të njeriut dhe donatorët ndërkombëtarë, të cilët ndërprenë fondet e tyre .

Në atë kohë, Human Rights Watch (HRW) publikoi një raport duke thënë se zyrtarët e shkollave në Tanzani po bënin teste shtatzënie për të dëbuar nxënëset shtatzane, duke i privuar nga e drejta e tyre për arsimim.

Banka Botërore ngriu një hua prej 300 milionë dollarë për arsimimin e vajzave në shenjë proteste kundër ndalimit. Sipas institucionit, më shumë se 120,000 vajza braktisin shkollën çdo vit në Tanzani, 6,500 prej të cilave ishin për shkak të shtatzënisë ose lindjes së fëmijëve.

“Ky vendim i rëndësishëm nënvizon angazhimin e vendit për të mbështetur vajzat dhe gratë e reja dhe për të përmirësuar shanset e tyre për të marrë një arsim më të mirë,” tha Banka Botërore në një deklaratë.

Suedia, e cila gjithashtu shkurtoi fondet e saj për Tanzaninë vitin e kaluar duke përmendur tkurrjen e lirive, përshëndeti masën.

“Ky është një hap i mirëpritur për shumë vajza, duke i lejuar ato të zhbllokojnë potencialin e tyre të plotë”, tha ambasada suedeze në Dar es Salaam në Twitter.

Partia opozitare Aleanca për Ndryshim dhe Transparencë (ACT Wazalendo) tha se shtytja e tyre për të ndryshuar politikën kishte dhënë rezultat.

“Ne e bëmë atë! Një shembull i qartë i një lufte. Të gjithë ata që ishin të përfshirë bënë diçka për këtë arritje,” tha udhëheqësi i ACT Wazalendo, Zitto Kabwe.

Magufuli, një skeptik ndaj COVID-it, vdiq nga një sëmundje e zemrës më 17 mars pas një mungese misterioze tre-javore. Kundërshtarët e tij politikë këmbëngulën se ai kishte koronavirus.

Në javët pas betimit të saj, pasardhësja e tij Hassan kontaktoi opozitën politike të Tanzanisë, duke premtuar se do të mbronte demokracinë dhe liritë themelore dhe do të rihapte mediat e ndaluara.

Por shpresat se Hassan do të sillte një epokë të re u prishën nga arrestimi i një lideri të profilit të lartë të opozitës me akuza për terrorizëm dhe një goditje ndaj gazetave të pavarura.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.