“Të ndëshkohen me votë ata që terrorizojnë të varfrit”-Kryemadhi në Belsh: Kemi projekte për bujqësinë e turizmin, shafrani fuqi ekonomike e madhe

Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi u ndal sot në Belsh, prezanton kandidatin për deputet Dylber Dervishi. Në fjalën e mbajtur Kryemadhi kërkoi ndëshkimin me votë ndaj atyre që kërcënojnë fukarain me pamundësinë e tij.

kryemadhi

“Të ndëshkojnë me votë çdo institucion, çdo shtet që i mban në rresht dhe i terrorizon familjet e varfra, të sëmurët që kanë nevojë për kemp dhe këdo tjetër”, tha Kryemadhi. Ajo theksoi se LSI ka disa projekte që kërkon të zhvillojë në bujqësi dhe turizëm, për investimet në kanalet kulluese dhe ato vaditëse, që sipas saj janë në problematikë në Belsh.

Kryemadhi u ndal edhe te duhani, apo edhe tek shafrani, duke u shprehur se: “në zonën e Dumresë prodhimi i shafranit është një investim që kërkon investim fillestar nga shteti përsa i përket farës së saj, zhardhokut, por është një fuqi ekonomike shumë e madhe ekonomike, sidomos për gratë e Belshit”.

Fjala e Kryemadhit

Mungesa e punësimit, ekonomia e dobët, mungesa e sistemit arsimor dhe shëndetësor që t’ju përgjigjet qytetarëve e ka bërë të pamundur jetesën në vend.

Vazhdon akoma të jetë një gangrenë çështja e duhanit, problematika e mos marrjes së pagesave të duhanit nga fermerët, të cilët punojnë, e prodhojnë atë, e shesin dhe në fund paratë nuk i marrin. Ndërsa sot, nëse ti rri vetëm një ditë pa paguar dritat apo ujin, ta presin shërbimin, ndërkohë që njerëzit rrinë me vite pa i marrë paratë e tyre.

Për të mos folur pastaj për vaditjen e tokave, për të mos folur më pas përsa i përket problematikave të administrimit të liqeneve, administrimit të ullirit, prodhimit, shitjes dhe fabrikave të tyre.

Ne kemi Dylberin këtu kandidat për LSI-në për Bashkinë e Belshit, i cili është avokat, është djalë i zonës. Për hir të së vërtetës, për zona të tilla, është e vështirë që një njeri që diplomohet të vazhdojë të jetojë e të qëndrojë këtu, sepse edhe mundësitë e zhvillimit të biznesit apo të profesionit tënd janë shumë të vogla.

Por, unë jam e bindur që kjo pasuri natyrore këtu që është si Komo në Itali, që është një nga zonat më të pasura, me familjet më të pasura në Itali, kjo zonë këtu Belshi hyn tek bashkitë më të pasura përsa i përket burimeve natyrore, por është një nga më të varfrat.

Të mendosh që ke me ndihmë ekonomike 2 mijë familje është një fatkeqësi e madhe, ndërkohë që duhet të ishin familjet më të pasura për shkak të zhvillimit të turizmit, të ekonomisë, të bujqësisë e të shumë sektorëve të tjerë, por fatkeqësisht është një nga bashkitë më të varfra në vend.

Por unë jam e bindur që jo vetëm nga angazhimet e LSI-së, por edhe të vetë banorëve, edhe të vetë qytetarëve, por edhe të votuesve për herë të parë, që sot i kemi këtu përfaqësues, edhe pse presioni, apo mercenarët politikë të Rilindjes mundohen që të intimidojnë njerëzit, unë jam e bindur që për ta do të jetë e pamundur, dhe do të kemi një rezultat të jashtëzakonshëm, jo vetëm në Belsh, por edhe në të gjithë Qarkun e Elbasanit.

Ne sot kemi ardhur edhe me dy përforcues me Altin Toskën, me Ermir Gjinishin, me mua, pra jemi katër deputetë të Qarkut të Elbasanit, gjë që është një nga prioritetet e LSI-së dhe zona e Belshit është me të vërtetë një mundësi shumë e madhe.

Ne kemi disa projekte të cilat duam ti zhvillojmë jo vetëm përsa i përket bujqësisë, por edhe të turizmit të kësaj zone për investimet në kanalet kulluese dhe ato vaditëse, sepse një nga problemet më të mëdha që ka sot Belshi është vaditja e tokës për shkak se mungesa dhe prishja e infrastrukturës së kanaleve vaditëse  ka bërë që prodhimet të kenë një çmim shumë më të lartë. Për tu ndalur më pas tek duhani, apo edhe tek shafrani, ku në zonën e Dumresë prodhimi i shafranit është një investim që kërkon investim fillestar nga shteti përsa i përket farës së saj, zhardhokut, por është një fuqi ekonomike shumë e madhe ekonomike, sidomos për gratë e Belshit.

Beri unë të falënderoj që pranove të bëhesh pjesë e listës sonë, pasi LSI ka nevojë për figura të reja, për njerëz të rinj, ka nevojë për një mentalitet të ri, dhe besoj që në këto zgjedhje e gjithë lista e LSI-së do të jetë një risi dhe do të jetë një surprizë rezultati i saj.

Kryemadhi: Nëse ne nuk do të mbajmë një nga premtimet tona, nuk do të kërkoj më vota për LSI-në, të ndëshkojmë me votë ata që nuk mbajnë premtimet

Nuk mendoj se njerëzit prej presionit do të mbajnë fëmijët e tyre në varfëri. Nuk mendoj se njerëzit në Belsh duhet të jetojnë me ndihmë ekonomike. Përkundrazi, ndihma ekonomike është marrje peng e së ardhmes,  jo vetëm e asaj familjeje, por edhe e fëmijëve. Nuk mendoj se njerëzit me një ndihmë ekonomike duhet të paguajnë dritat, ujin. Dhe që të marrësh ndihmën ekonomike nuk duhet të kesh televizor, hekur rrobash, nuk duhet të kesh sobë, nuk duhet të kesh asgjë.

Përdorimi i pushtetit vendor, i institucioneve të shtetit për politikë dhe për të kërcënuar e terrorizuar njerëzit, iu rëntë në kokë atyre vetë që e bëjnë këtë gjë. Gjithmonë politika është e padrejtë në shumicën e rasteve me njerëzit, me qytetarët. Mendojmë që drejtësia është diçka e paprekshme, por drejtësia e Zotit lart është ajo që ta jep aty ku të dhemb shpirti më shumë. Ne për fëmijët do luftojmë, me ata do merremi, me të rinjtë. Sepse në fund të fundit ne të gjithë e dimë shumë mirë që atë çfarë ka ikur nuk e kthejmë dot më, por të mësojmë nga ato gabime, të mësojmë nga kjo mungesë respekti dhe mirënjohjeje për qytetarët dhe votuesit. Sepse këtu në Belsh njerëzit nuk kanë nevojë për fasadën që bën Rilindja, sepse do bëjë projektet e saj tre dimensionale. Këtu njerëzit kanë nevojë për bukën, kanë nevojë për ushqim, kanë nevojë për ilaçe, kanë nevojë për shërbime, kanë nevojë për punë.

Sot ne e dimë shumë mirë që faturat e Covidit janë faturat më të shtrenjta. Do prodhoj vaksina thotë ai për Kinën, se ngeli Kina që të bëjë fabrikë në Shqipëri për të prodhuar vaksinat e veta. Vetëm e vetëm si e si të gënjejë e të mashtrojë njerëzit. Thotë do bëj aeroporte, ndërkohë këtu të gjithë aeroportet  janë mbyllur, njerëzit po ikin me turma me autobusë dhe po ikin nga kufiri, sepse nuk kanë mundësi për t’i hipur avionit e jo më për të bërë udhëtime turistike që thotë ai.

Prandaj ne jemi të fokusuar tek rikthimi i të rinjve dhe krijimi i hapësirave të punësimit të tyre. Ndihmën për fermerin, kartën e fermerit, subvencionin për bujqësinë, krijimin e hapësirave, ndihmesën për familjen, ndihmesën për të rinjtë dhe shkollimin e tyre. Dhe rasti i duhanit që është këtu në Belsh, që është një nga pikat kryesore, është angazhimi ynë i drejtpërdrejtë.

Unë e shoh që është ajo fletëpalosja e shpërndarë nga Partia Socialiste, voto 29, në 2013. Sot pas 8 viteve asnjë nga këto premtime nuk është mbajtur. Jo vetëm në Belsh, por në të gjithë Shqipërinë. Nëse një nga këto premtime që është këtu në këtë fletëpalosje është mbajtur, nuk do t’ua kërkoj votën për LSI-në. Por do ua kërkoj sot të gjithë banorëve të Belshit dhe gjithë qytetarëve shqiptarë që na ndjekin, të votojnë atë parti që mban fjalën, atë parti që u përgjigjet njerëzve, atë parti që punon për të rinjtë dhe të rejat dhe të ndëshkojnë me votë ata që i kanë gënjyer dhe mashtruar. Të ndëshkojnë me votë ata që kërcënojnë fukarain me pamundësinë e tij. Të ndëshkojnë me votë çdo institucion, çdo shtet që i mban në rresht dhe i terrorizon familjet e varfra, të sëmurët që kanë nevojë për kemp dhe këdo tjetër. Arkivi më i mirë është tek populli sesa tek shteti, sepse shteti i zhduk gjurmët. Ndërsa populli është ai që nuk i zhduk dot.

Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *