“Të rrisim zbulueshmërinë e akteve kriminale!”, Balla nga Elbasani: Policia duhet të kontrollojë çdo makinë për armë

te rrisim zbulueshmerine e akteve kriminale balla nga elbasani policia duhet te kontrolloje cdo makine per arme
te rrisim zbulueshmerine e akteve kriminale balla nga elbasani policia duhet te kontrolloje cdo makine per arme

Ministri i Brendshëm Taulant Balla takoi Forcat Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë së Elbasanit për t’i përgëzuar në lidhje me rezultatet e arritura në kuadër të operacionit “Tempulli” si dhe për t’u njohur me zbatimin e masave lidhur me “paketën e sigurisë në shkolla”.

Ministri vlerësoi punën e bërë nga strukturat e DVP Elbasan, dhe njëherësh kërkoi angazhim të fortë në zbulimin e ngjarjeve të ndodhura në të kaluarën.

Balla nënvizoi gjithashtu se detyrë primare e punës së policisë është parandalimi e më pas zbulimi i veprave penale.

Në përshëndetjen e tij për strukturat vendore të policisë Elbasan, Ministri i Brendshëm theksoi se: “Sot dua që, përveçse t’ju falënderoj për pjesën që lidhet me suksesin e parë të operacionit kombëtar “Tempulli” kundër shpërndarësve të lëndëve narkotike në qarkun tuaj, por në mënyrë të veçantë me fokusin te shkollat ose pranë shkollave, te moshat e reja, sot jam edhe për një arsye tjetër.

Dua të jem shumë i qartë dhe shumë i prerë në rolin që ka Policia e Shtetit, për sa i përket luftës kundër kriminalitetit. Nuk mund të mjaftohemi thjesht dhe vetëm me këtë operacion ose këtë vëmendje. Natyrshëm kjo është një vëmendje kryesore. Na duhet që të punojmë fort me zbulimin e krimeve të ndodhura në të kaluarën. Për këtë Drejtori i Përgjithshëm i policisë ju ka nisur një udhëzim të posaçëm për evidentimin e personave që janë në kërkim dhe për rritjen e zbulueshmërisë së akteve kriminale.

Dhe unë kam shumë besim që drejtoria e Elbasanit ka shumë për të zbuluar pra, vepra kriminale të ndodhura në të shkuarën. Mos harroni një gjë që është shumë e rëndësishme: – grupet kriminale mezi ç’presin që ne të mbyllim një sy apo një vesh për të mos dëgjuar apo një sy për të parë, dhe ata janë të gatshëm të rikthehen dhe të godasin përsëri.

Kështu që ne na duhet të nisim gatishmërinë, të rrisin prezencën tonë në territor, në mes lagjeve, në rrugë dhe ndërkohë sapo ndodh një ngjarje kriminale, ne të kemi të gjithë rrjetën tonë, për të identifikuar dhe për të ndaluar në kohë, autorin apo autoret.

Prandaj kjo njësi elitare e Policisë së Shtetit në Elbasan, ka detyrën prioritare për të paraprirë dhe prandaj ne duhet të nisim kontrollet dhe Drejtori i Përgjithshëm i policisë ka tashmë një kalendar veprimesh dhe ka një plan kombëtar, për t’i dalë përpara akteve të rënda kriminale, sikurse kemi pasur në ditët e fundit, ku ne na duhet që të kontrollojmë çdo makinë, çdo kroskot, çdo tapiceri ku fshihet një armë, e cila mund të jetë burimi i një vepre të rëndë kriminale.

Prandaj na duhet që të rrisim forcën tonë identifikuese ndaj personave, të cilët mund të jenë mbajtës të armëve pa leje, por dhe na duhet të identifikojmë ose, le të themi, të kemi gjurmueshmëri dhe parashikim të akteve të mundshme kriminale që një grup i caktuar mund të kryejë ndaj një grupi, ose një individ i caktuar ndaj një individi. Detyra primare e policisë duhet të jetë parandalimi. Dhe ne mund të parandalojmë, nëse arrijmë që t’u kapim armët, dhe t’i gjurmojmë për t’i vënë para ligjit.

Unë pres nga Policia e Elbasanit në ditët dhe javët në vijim, suksese ose operacione të suksesshme në disa drejtime. Dhe kam shumë besim që ajo që duhet të tregohet kësaj radhe, është dhe konfidencialiteti i veprimeve që do të zhvilloni në ditët dhe javët në vijim sipas atij plani pune dhe kalendari. I takon drejtor Prodës, i cili, në bashkëpunim me të gjithë ju, të ndërtojë pastaj planin e veprimit të detajuar në secilën prej bashkive. E vërteta është që operacioni “Tempulli” u parapri këtu nga një operacion tjetër po aq i madh gjatë verës, në Elbasan. Por duhet të mos harrojmë që fenomeni i përdorimit të drogës nga moshat e reja, është jo vetëm në Elbasan, por dhe në bashkitë e tjera më të vogla. Është në Gramsh, është në Librazhd, është në Përrenjas, është në Cërrik, është në Belsh, është në Peqin. Prandaj ne duhet që ta rrisim prezencën”.

Në lidhje me paketën e sigurisë në shkolla, ministri Balla u shpreh se: “paketa e sigurisë në shkolla është një përgjegjësi direkte e drejtorit të Policisë Vendore, i cili në bashkëveprim me kryetarët e bashkive dhe të gjitha agjencitë e tjera ligjzbatuese të shtetit, duhet të garantojë që brenda perimetrit të sigurisë në shkolla, ne të mos kemi asnjë incident. Unë kam besim te ju dhe jam shumë i sigurt që do të kemi rezultate shumë të mira”.

Ministri Balla e mbylli përshëndetjen e tij në këtë takim me një angazhim për përmirësimin e trajtimit financiar të punonjësve të policisë, duke thënë se “në fund, që është gjëja më e rëndësishme për mua, zotimet që kam marrë para çdo punonjësi të policisë, flas të nivelit bazë, për sa i përket kujdesit të veçantë, për sa i përket trajtimit financiar, të jeni të sigurt që nuk tërhiqem dhe do t’i qëndroj fjalës së dhënë para jush. Sikurse kam shumë besim që edhe ju, fjalës së dhënë për më shumë sukses do t’i shkoni deri në fund”.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Rrumbullaku, duke folur rreth rezultateve të policisë sidomos në kuadër të sigurisë në shkolla, tha se
“ky operacion i ka shërbyer më së miri paketës në lidhje me masat e sigurisë në shkolla që është detyrë prioritare e Policisë së Shtetit. Mund t`ju them z. Ministër që Drejtoria e Policisë Elbasan, nën drejtimin e Drejtorit, ka kapacitetet më të mira profesionale për të qenë shembull në të gjitha drejtoritë vendore të policisë në shkallë vendi, jo vetëm për operacionet antidrogë por edhe për operacionet e tjera të krimit kundër personit, ku mund të themi, ka pasur rezultate dhe kemi pritshmëri për rezultate të ardhshme”.

Takimet e Ministrit Balla do të vijojnë edhe në disa bashki të tjera për të parë nga afër masat e marra dhe rezultatet e arritura nga strukturat e policisë në qarqe.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb


Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts