Teherani dhe Ankaraja zotohen për lidhje më të ngushta

Fuqitë rajonale, Irani dhe Turqia shprehën të hënën gatishmërinë për të rritur lidhjet mes tyre.

Fqinjët kanë historikisht marrëdhënie të ngushta ekonomike, por herë pas here e gjejnë veten në anët e kundërta të konflikteve rajonale, duke përfshirë Sirinë.

Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu u takua me Presidentin iranian Ebrahim Raisi pas bisedimeve me homologun e tij Hossein Amir-Abdollahian.

Të dyja palët “duhet të jenë të gatshme për të rritur marrëdhëniet e tyre nga niveli aktual në një bashkëpunim të përgjithshëm”, thuhet në një deklaratë nga presidenca iraniane.

Kjo duhet të bëhet “duke finalizuar udhërrëfyesin për forcimin e bashkëpunimeve, i cili është në axhendën e të dy vendeve,” tha ai.

Në Twitter, Cavusoglu tha se ai dhe Raisi “diskutuan marrëdhëniet dypalëshe, duke përfshirë tregtinë, investimet dhe  luftën kundër terrorizmit”, si dhe “zhvillimet më të fundit në rajon”.

Ata “riafirmuan vullnetin tonë të ndërsjellë për të zhvilluar më tej marrëdhëniet tona,” shtoi ministri.

Më herët gjatë ditës Cavusoglu dhe Amir-Abdollahian mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp pasi u takuan për më shumë se një orë.

“Zhvillimet në Afganistan, domosdoshmëria e zhvillimit të stabilitetit, sigurisë dhe qetësisë në Azinë perëndimore, vëmendja ndaj politikës rajonale të dy vendeve”, u tha Amir-Abdollahian gazetarëve.

Ankaraja po ndërton një mur përgjatë kufirit të saj lindor me Iranin. Një funksion do të jetë mbajtja e afganëve që përpiqen të përdorin rrugën për të hyrë në Evropë.

Nga Teherani, Cavusoglu udhëtoi për në Libanin e brishtë politik dhe ekonomik, ku lëvizja e fuqishme shiite Hezbollah mbështetet nga Irani. Ministri tha se dy vizitat nuk ishin planifikuar në të njëjtën kohë.

Administrata amerikane e Presidentit Joe Biden ka pasur marrëdhënie të vështira me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan, ndërkohë që Irani është nën sanksionet ekonomike të dëmshme amerikane të vendosura pasi ish-presidenti amerikan Donald Trump u tërhoq nga një marrëveshje bërthamore e vitit 2015 midis Iranit dhe fuqive botërore.

“Sanksionet e njëanshme që synojnë Iranin duhet të hiqen”, u tha Cavusoglu gazetarëve.

Bisedimet për rivendosjen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 do të rifillojnë në Vjenë më 29 nëntor, pas një pezullimi që nga qershori.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.