Tenderi për uniformat e policisë, Këlliçi: Kapelet “Armani” të italianëve kushtojnë 135€ ndërsa të efektivëve shqiptarë 350€








belind kellici3

Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike për qarkun e Tiranës, Belind Këlliçi i ka cilësuar “të vogla” operacionet e fundit të SPAK ku janë zbuluar abuzimet me fondet publike e janë arrestuar dhjetra zyrtarë të lartë.

Duke iu referuar tenderit të uniformave të policisë, ai bën një krahasim mes çmimit të kapeleve të një karabinieri në Itali dhe të një efektivi në Shqipëri.

Në një intervistë në News24, ai thotë se kapelja e karabinierëve kushton 135 euro ndërsa e efektivëve shqiptarë 350 euro.

Sipas tij, një tender me një vlerë 2.8 miliardë lekë, nuk mund të zhvillohej kurrë pa miratimin e Ministrit të Brendshëm apo të kryeministrit, për të cilët thotë se duhen hetuar.

“Nuk është çështje mosbesimi ndaj institucioneve. Në MB janë të arrestuar sot që flasim 9 zyrtarë të thjeshtë për një tender 30 miliardë lekë, por nuk kemi asnjë zyrtarë të lartë të arrestuar. Nëse ka një shqiptar që mendon se një tender me këtë vlerë aq të madhe jepet pa dijeninë e ministrit, zyrtarëve të lartë apo dhe kryeministrit, kjo është e pamundur. Ka zyrtarë që nuk kanë firmosur për këtë tender dhe uroj që dëshmitë e tyre të nxjerrin emrat e porositësve të vërtetë. Kapelja e komandantit të përgjithshëm të karabinierëve italianë që është 80% e punuar me dorë, e firmës Armani, që është ndër firmat më të shtrenjta në botë, kushton 135 euro, ndërsa kapelet e policëve të thjeshtë shqiptarë kanë pasur vlerën e 350 euro. Uniformat e Policisë së Shtetit, që vetë policia ankohet se nuk mund t’i lajnë se ju del boja, që janë të nxehta në verë e të ftohta në dimër, kanë kushtuar miliona. Për gjithë këtë abuzim janë të arrestuar vetëm 9 anëtarë të thjeshtë” – tha Këlliçi.

Për arrestimin e kryebashkiakut të Lushnjes, Fatos Tushes, Këlliçi thotë se kryeministri Rama ishte në dijeni pasi është vetë ai që e ka emëruar në krye të atij funksioni zyrtar.

Sipas demokratit, i gjithë hetimi është një farsë që i serviret opinionit public me qëllim krijimin e idesë sikur Rama dëshiron të luftojë korrupsionin.

“Po Fatos Tushen në mandatin e tretë e zbuloi Edi Rama se është i korruptuar? Edi Rama është i vetmi në rajon, por edhe në Evropë, që ka kandiduar në poste të kryebashkiakëve njerëz me precedentë kriminalë. E vetmja arsye e kësaj ka qenë për të vjedhur. Të gjithë këta abuzojnë me buxhetin e shtetit dhe vjedhin vota për Edi Ramën. Pra, e gjitha është një fars, që i serviret opinionit publik, sikur Rama është dashamirës i luftës ndaj korrupsionit, kur gjithë të korruptuarit i ka në gjirin e tij. Unë uroj që lufta ndaj korrupsionit të vazhdojë, se koha i ka dhënë të drejtë PD-së për të gjitha denoncimet.

Ama nuk duhet harruar se SPAK nuk jep përgjigje për denoncimet e bëra ndaj Erion Veliajt për shembjen e Teatrit. Nuk duhet të kemi dy standarde, duhet t’i shkohet deri në fund edhe Erion Veliajt, edhe Edi Ramës. Unë uroj që institucionet e reja të drejtësisë të jenë të pavarura dhe t’i shkojnë deri në fund hetimeve. Në Ministrinë e Brendshme ka dhe tender tjetër, ai i mishit, në vlerë e 30 milionë lekëve. Këtë tender e ka fituar një kompani, që në datën kur është shpallur fituese, nuk kishte emër. Kam frikë se do të shohim sërish ndonjë punonjës të thjesht, që do të mbajë përgjegjësi për këtë tender. Unë jam skeptik për institucionet e reja të drejtësisë. Të gjitha operacionet e SPAK deri më tani kanë qenë minore”, tha Këlliçi.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *