Tensione në Këshillin e Legjislacionit për ndryshimet kushtetuese, opozita braktis mbledhjen. Bardhi: Nuk vendos Felaj dhe Gogu për kalendarin tonë! Bëjini vetë po i keni votat








Mbledhja e Këshillit të Legjislacionit, ku u prezantuan nismat e Partisë Demokratike për ndryshimet Kushtetuese, u shoqërua me debate të ashpra mes deputetëve të opozitës dhe atyre të maxhorancës.

Shkak u bë mosrënia dakord për kalendarin e seancave dëgjimore për nismat e PD-së, çka solli dhe largimin e këtyre të fundit nga salla.

Tensionet u shtuan kur kryetarja, Lindita Nikolla, hodhi në votim propozimin e socialistëve për të shtyrë seancën për caktimin e kalendarit.

Përfaqësuesit e opozitës u larguan nga salla me argumentin se nuk mund të vendosë maxhoranca se kur do të shqyrtohet nisma ligjore për ndryshimet kushtetuese e propozuar prej tyre.

Pjesë nga debati:

Klotilda Bushka: Në vijim të asaj që ju sapo paraqitët, por edhe të propozimit të zotit Gogu, do t’i ftoja kolegët që ta shtyjmë për mbledhjen e radhës miratimin e kalendarit për ndryshimet kushtetuese. Është mirë t’i rakordojmë datat. Nuk më vjen mirë që nismat konsiderohen, si nisma jonë dhe nisma juaj. Logjika është kjo të dyja nismat janë nisma të paraqitura në kuadër të Kushtetutës. Ndryshimi është në substancë dhe jo se është e njërit apo e tjetrit. Nisma që filloi më datën 1 nëntor është një nismë teknike që kërkon një afat normal për shqyrtimin e saj. Nisma që po shqyrtohet sot është më komplekse dhe kërkon seriozitet në shqyrtimin e ndryshimeve kushtetuese, rasti e sjellë që propozimi për reformën në drejtësi është emergjent. Pasi reforma në drejtësi është në proces e sipër. Nisma që ju propozoni kërkon më shumë kohë. Qëndrimi që nismat do të shqyrtohen veç e veç, ka qenë i qartë nga ne që në mbledhjen e datës 1 nëntor. Për sa kohë kemi një kalendar të paraqitur nga kolegët, ose të rishqyrtohet ky kalendar nga ana e tyre ose të hidhet në votim pasi këto janë zgjidhjet e vetme që kemi në këto momente.

Alfred Rushaj: Zonja kryetare, zonja Bushka, asgjë në Kushtetutë, edhe printimi i Kushtetutës nuk është çështje teknike. Kushtetuta kërkon konsensusin më të madh shoqëror. Në këtë sens, fakti që ju doni që institucionet mos të kryejnë detyrat siç e ka parashikuar kushtetuta vetëm çështje teknike nuk është. Që puna të eci përpara dhe të mos ngeci, propozimi im është ky që të ndryshohen oraret dhe data për ne është në rregull. Edhe për të ekonomizuar kohën e ekspertëve dhe institucioneve që do të thërrasim, propozojmë vetëm ndërrim e orës.

Fatmir Xhafaj: E vlerësoj ndërhyrjen që bëri kryetari i grupit parlamentar të PD, për të gjetur një zgjidhje. Mund të kemi dhe ne një kohë të dytë për të bërë propozimet tona në lidhje kalendarin.

Alfred Rushaj: Duke qenë që propozimin tim e kemi, në të njëjtat ditë që janë parashikuar këtu vetëm të shtohet ora, me qëllim që dhe ekspertët mos të vijnë nga dy ose tre herë.

Ne e kemi problem këtë që kur thërrasim dikë, t’i themi hajde prapë nesër, ju s’doni, atëherë hidheni në votim.

Alibeaj: Nuk ka pse të presim mbledhjen tjetër, bëjmë thirrje të mos demaskojmë pozicionet politike që tani. Të spostohet orari në 17:00 dhe të mos vazhdojmë të shtyjmë mbledhjet.

Gogu: Është e disata e herë që përmes dialogut të gjejmë gjuhë të përbashkët, por paragjykohemi. Ka një propozim konkret, na jepni kohë të njihemi me kalendarin. Duam ta shikojmë dhe duam të vijmë edhe me propozime.

Rushaj: Kemi edhe Komisione të tjera, por ky është prioritar.

Bardhi: Po merremi me të njëjtën çështje, ne kemi të drejtën tonë të propozojmë kalendar dhe seanca dëgjimore dhe e kemi bërë. Ju lutem na jepni mundësinë ti miratojmë këto seanca dëgjimore. Ju nuk mund të na thoni që tek iniciativa jonë do vini kur të duam ne dhe te iniciativa juaj do të vini po kur të thoni. Ne kemi propozuar një kalendar dhe po zgjatemi kot.

Gazmend Bardhi: Jemi duke u marr me të njëjtën çështje. Ne kemi të drejtë të propozojmë kalendarin dhe seancat dëgjimore. Na jepni mundësi ta miratojmë këtë kalendar. Në vijim të shqetësimit të zotit Xhafaj, po e marrim përsipër që dhe në seancën tjetër të plotësojmë kalendarin, por të ecim me kalendarin që propozojmë ne fillimisht. Ju nuk mund të na thoni ne se në iniciativën tuaj do të vini në datën dhe orën që duam ne dhe në iniciativën tonë do të vini prapë në orën dhe datën që duam ne.

Lindita Nikolla: Kemi një propozim nga zoti Rushaj dhe një nga zoti Gogu dhe le ta hedhim në votim.

Dhurata Çupi: Ç’punë ka zoti Gogu me kalendarin tonë.

Gazmend Bardhi: Nuk është fare serioze që në kohët që ne diskutojmë që ju keni dy kolegët aty, që i keni si këshilltarë. Ju si këshilltarë mund të keni punonjësit e Kuvendit jo ata. Ju thoni që seancat dëgjimore të opozitës do t’i vendosi Toni Gogu dhe Ermonela Felaj. Seancat dëgjimore do t’i bëjmë kur të duam ne dhe jo kur të doni ju.

Lindita Nikolla: Patjetër kur të doni ju!

Gazmend Bardhi: Si mund ta hedhësh në votim kur do të bëjë seancat dëgjimore opozita. Nëse keni votat për ndryshimet kushtetuese vazhdojeni.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *