Tentativa për ribashkimin e PD ngec në mbledhjen e grupit! Pas vendimit të Gjykatës, deputetët pranë Berishës “zot shtëpie” në seli!






MARIGLEN KUME/ Pas vendimit të Gjykatës së Tiranës që njohu Kuvendin e thirrur nga Sali Berisha më 11 dhjetor bashkë me të gjithë vendimet, në selinë blu “zot shtëpie” janë anëtarët e Komisionit të Rithemelimit.

pdsaliberisha

Me marrjen e drejtimit të selisë së Partisë Demokratike nga ana e Komisionit, nisi heqja e dyerve prej hekuri që u vendosën para protestës së 8 janarit. Po ashtu, punonjës të shumtë sanitar janë parë në selinë blu për të bërë pastrimin nga pasojat e protestës së 8 janarit.

Ndërkohë, dje në mëngjes në fasadën e godinës së Partisë Demokratike u hoq edhe logo e PD-së e ngjitur me adezivë.

Ajo do t’ia lerë vendin logos së re të miratuar në Kuvendin e 11 dhjetorit. Ndërkohë, që prej ditës së shtunë, një ditë pas vendimit të Gjykatës, shumë prej deputetëve dhe punonjësve të administratës të cilët qëndruan në Partinë Demokratike pas vendimit të 9 shtatorit nuk kanë shkuar më në selinë e tyre.

MBLEDHJA E GRUPIT PARLAMENTAR

Përtej punëve administrative në selinë blu, Komisioni i Rithemelimit në të njëjtën linjë me qëndrimet e Berishës për bashkimin e demokratëve kërkon që të ketë një mbledhje të të gjithë deputetëve në selinë e Partisë Demokratike.

Burime të gazetës “Panorama”, bën me dije se deputetë demokraët të Komisionit të Rithemelimit janë në diskutime me kryetarin e Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, për të zhvilluar një mbledhje të përbashkët me synim bashkimin e grupit, por deri më tani nuk ka pasur konsensus.

Një tjetër burim pohoi se Enkelejd Alibeaj njësoj si në takimin që zhvilluan ditën e premte në zyrën e sekretarit të përgjithshëm Gazment Bardhi, është i gatshëm të bëjnë mbledhje me të gjithë deputetët por duke mos pranuar ish-Kryeministrin, Sali Berisha. Mësohet se kreu i grupit të PD-së i ka thënë disa prej deputetëve se nuk ka ndërmend të thërrasë në mbledhje grupin parlamentar me Sali Berishën prezent.

Kjo duket se është pengesa e vetme e ish-Kryeministrit Berisha për të marrë edhe politikisht drejtimin e Partisë Demokratike pasi pas vendimit të gjykatës ditën e premte vetëm grupi parlamentar i PD-së është funksional pasi kryesia dhe Këshilli Kombëtar janë nul.

Ndonëse në selinë blu mjafton vetëm vullneti politik e verbal për të bashkuar të gjithë deputetët e djathtë, në Kuvend duhet firma e kryetarit të grupit, Alibeajt në rastin konkret për ta realizuar bashkimin.

Kujtojmë që në mesnatën e 11 janarit, pas protestës para selisë, blu Lulzim Basha përjashtoi nga PD-ja dhe grupi parlamentar i PD-së Sali Berishën, Flamur Nokën, Edmond Spahon dhe Albana Vokshin. Për të rikthyer këta në grup duhet që Alibeaj të zhbëjë vendimin e 11 dhjetorit.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.