Teoria e mendjes: Ç’mund të na mësojnë Shahu dhe shpërndarësit e drogës, për manipulimin

Teoria e mendjes është aftësia që ne të gjithë kemi për t’i parë gjërat nga këndvështrimi i tjetrit. Është thelbësore në të gjitha ndërveprimet tona. Një studim i ri nga Shkolla e Mjekësisë Mount Sinai tregon se sa shumë e përdorim këtë kur bindim të tjerët. Manipulimi i të tjerëve shfrytëzon një pjesë të trurit tonë të përdorur shpesh në lojëra si shahu. Ndoshta të qenit më i mirë në njërën të bën më të mirë në tjetrin?

Takticienët më të mëdhenj të botës janë ata që mendojnë përpara. Mjeshtrat e shahut, gjeneralët e famshëm, liderët e mëdhenj botërorë dhe donët e mafias ndajnë të gjithë një aftësi: Ata janë të gjithë shumë më tepër hapa përpara se rivalët e tyre.

Secili prej nesh ka aftësinë për të menduar përpara. Në fakt, është e vështirë të imagjinohet një njeri funksional që nuk ka menduar përpara të paktën disa herë. Ju ndoshta keni planifikuar se çfarë të bëni sonte dhe me siguri e dini rrugën që do të bëni për të shkuar në shtëpi. Të menduarit përpara është një shenjë dalluese e inteligjencës. Pa të, ne jemi thjesht skllevër të instinkteve dhe reflekseve tona – paksa si një bimë apo një fëmijë.

Po ç’mund të themi për rolin e të menduarit përpara kur kemi të bëjmë me të tjerët? Është diçka e trajtuar në një studim të fundit nga Shkolla e Mjekësisë Mount Sinai. Tregon se sa larg mendojmë kur ndërveprojmë – dhe manipulojmë – me njerëz të tjerë.

Një teori e mendjes

Problemi me botën është se ajo është plot me njerëz të tjerë. Ndryshe nga ju (sigurisht!), ata njerëz janë shpesh të paparashikueshëm, të pavarur dhe jashtëzakonisht të palexueshëm. Nuk ka asnjë mënyrë që ne të futemi në kokën e tyre për të ditur se çfarë po mendojnë ose çfarë do të bëjnë. Por duke pasur parasysh se njerëzit janë një specie shoqërore, nuk është çudi që kemi zhvilluar mënyra për të llogaritur se çfarë mund të mendojnë njerëzit e tjerë.

Kjo njihet si “teoria e mendjes”, aftësia që shumica prej nesh kanë për ta vënë veten në vendin e dikujt tjetër.  Në shkallë të ndryshme, njerëzit me autizëm mund të mos e kenë këtë aftësi.) Teoria e mendjes është diçka që ne e mësojmë ndërsa rritemi. Fëmijët do të mësojnë se njerëzit e tjerë kanë jetën e tyre mendore – dëshirat e tyre, emocionet, e kështu me radhë – që rreth 15 muajsh, por ata janë ende jo shumë të zotë në kompensimin dhe përshtatjen me këtë për një farë kohe. Për shembull, nëse një dyvjeçar sheh një person tjetër në ankth, ai do të kërkojë t’a ndihmojë duke i dhënë lodrën ose gjënë e preferuar. Ata e kuptojnë se dikush ka ndjenjat e veta, por nuk mund të kalojnë përtej kësaj për të menduar se çfarë mund të dëshirojë personi tjetër.

Shumica e njerëzve kanë një teori jashtëzakonisht të sofistikuar të mendjes. Ja një shembull: Le të themi se unë dhe ti po flasim për diçka, dhe ti më sheh mua duke parë orën. Cilat supozime apo mendime kalojnë tani nëpër kokën tënde? A mos po më mërzit? A duhet të jem diku? A ka një merimangë tek ora? Në fakt, njerëzit që “mendojnë tepër” gjërat shpesh humbasin dhe bllokohen në këtë lojë të përpunuar të teorisë spekulative të mendjes. Ashtu si me shumë gjëra, një zakon i dobishëm i trurit bëhet toksik kur e çon shumë larg.

Gjithmonë dy hapa përpara

Ajo që studimi i fundit shton diskutimit është shqetësimi se sa shumë e përdorim ne këtë teori të mendjes kur përpiqemi të bindim ose manipulojmë të tjerët. Ekipi nga Mount Sinai kishte 48 pjesëmarrës të ulur në një skaner truri dhe që luanin një lloj “lojë ultimatum”. Në thelb, ata u ndanë në ekipe dhe iu tha të ndajnë 20 dollarë me njëri-tjetrin. Në një version të lojës, nuk kishte asnjë rregull. Ata mund të bënin pazare, të negocionin, të manipulonin sa të donin.

Studimi zbuloi dy gjëra:

Së pari, pas një analize llogaritëse të të gjitha lojërave të përfunduara, ata zbuluan se rezultatet ishin ato që priten nga njerëzit që mendonin “dy, tre ose katër hapa përpara” nga të tjerët. Me fjalë të tjera, nëse njerëzit do të mendonin vetëm një hap përpara, ose vetëm bazuar tek reagimi, rezultatet do të dukeshin krejtësisht të ndryshme.

Së dyti, skanimet e trurit zbuluan se zgjedhjet e bëra gjatë negociatave u shoqëruan me aktivitet në korteksin paraballor ventromedial. Kjo është e njëjta pjesë e trurit që përdoret në shumicën e vendimeve që mendohe përpara. Pra, të paktën në aspektin neurofiziologjik, manipulimi i të tjerëve është pothuajse i njëjtë me çdo komplot tjetër.

Çdo ndërveprim është një lojë shahu

Ka një skenë të paharrueshme tek “The Wire”, ku D’Angelo përdor botën reale të tregtisë së drogës për të shpjeguar rregullat e shahut. Funksionon mirë, dhe tani mund ta dimë pse. Kur ne përpiqemi të lëkundim ose manipulojmë të tjerët, truri ynë aktivizohet në të njëjtën mënyrë si kur luajmë shah.

Çdo ndërveprim shoqëror është një lojë shahu, përpjekja për të hyrë brenda kokës së dikujt për të lundruar atë që ata po mendojnë ose çfarë do të bëjnë. Është fatkeqësia e marrëdhënieve dhe burimi i shumë konflikteve. Pra, po sikur të mund të jemi më të mirë në të? Ne e dimë se shahu na jep një mori përfitimesh, por ndoshta mund të shtojmë “ju bën më të mirë në rrugën tuaj” në jetë? Është koha për të hequr pluhurin nga tabela e shahut, vërtetë.

Jonny Thomson jep filozofi në Oksford.  / Big Think – Bota.al

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb


Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts