Tërhiqet qeveria, pas bordit ngre taskë-forcë për çmimet e shportës






çmimet e shportësVALENTINA MADANI/ Kryeministri para pak ditësh deklaroi se Shqipëria ka ekonomi tregu dhe nuk mund të ndërhyjë qeveria tek ulja e çmimeve, por dje Edi Rama paralajmëroi ngritjen e një komiteti teknik për çmimet bazë, njësoj si në kohën e pandemisë.

Sipas z. Rama, kjo do të ndodhë për shkak se distributorët të mos shkojnë në skajet e mbijetesës, pasi kjo mund të sjellë edhe bllokimin e furnizimit. “Çmimet e tjera do të fillojnë të balancohen, me shpresë. Për çmimet bazë, po krijojmë një task-forcë, po krijojmë një komitet teknik. Siç bëmë me pandeminë, që edhe këto teoritë e ekonomisë së tregut mund të sjellin probleme. Mund të komprometosh furnizimin. Në gjendje lufte dhe do të futemi në një mënyrë ose një tjetër, se ndodh. Dhe duke shtrënguar atë që bën distributori, mund ta çosh në bllokim. E tendenca është ta ulësh, ta çosh në cep, por mund ta bllokosh zinxhirin”, tha Rama.

Kryeministri u prezantoi dje pikat e Paketës së Rezistencës Sociale përfaqësuesve të biznesit të vogël, teksa u shpjegoi se si qeveria do t’i mbrojë ata përballë pasojave që po sjell lufta. “Për 95 mijë biznese të vogla, ne kemi bërë atë që s’e ka bërë askush, as në Europë e as në botë. Zero taksa, zero TVSH, zero tatimfitimi. Me një tavan shumë më të lartë, se deri dje tavani ishte 80 milionë të vjetër xhiro, sot tavani është 140 për pa tatimfitimi dhe 100 milionë xhiro pa TVSH dhe, plus kësaj, ne i mbrojmë biznesit të vogël faturën e energjisë, se do të ishte goditje”, deklaroi kreu i qeverisë.

Ai shpjegoi se përse nuk bënte dot qeveria ndërhyrje në çmimin e naftës apo të hiqet taksa siç kërkohet nga opozita apo protestuesit në shesh.

”Duke pasur këtë strukturë, si mundet tani të heqësh edhe taksat e naftës, që sjellin një të ardhur të rëndësishme në buxhet, ndërkohë që nga e ardhura e rritur në buxhet, për shkak të rritjes së çmimit, është bërë gjithë kjo paketë që u kthehet prapë njerëzve dhe më shumë se kaq. Nuk ua kthejmë atyre që kanë fuoristrada, ua kthejmë njerëzve që janë më pak të mbrojtur sot. Ia kthejmë biznesit të vogël, s’ka taksë mbi fitimin, s’ka TVSH dhe s’ka faturë të rritur energjie. Me pjesën tjetër, u japim mbi gjysmë milioni individëve, 30 mijë lekë plus të vjetra për 3 muaj. Janë ca që thonë, pse me 30 mijë lekë? Sepse llogaria e bërë për rritjen e çmimeve të shportës, produkteve bazë është 25 mijë lekë, mesatarja e nxjerrë nga INSTAT, që do të thotë me këtë 30 mijë lekësh ne garantojmë ushqimin. Garantojmë që çdo pensionist, nga ato kategoritë që kemi zgjedhur, që nga pensionisti invalid deri tek ata që janë çift, jo me fëmijë që i mbajnë, të mos ketë problem ushqimin, për shkak të goditjes nga kriza e çmimeve. Që asnjë invalid, asnjë paraplegjik, asnjë tetraplegjik, asnjë i verbër, asnjë familje në ndihmë ekonomike të mos ketë problem këtë rritjen”, deklaroi Rama.

Kryeministri bëri me dije se i ka kërkuar OSHEEsë që në faturat e energjisë, të shkruajë edhe pjesën që paguan qeveria. Kreu i qeverisë foli edhe për protestën e qytetarëve, duke thënë se kjo i leverdis Rusisë.

“Më mirë dhe më bukur nuk i organizonte dot Kremlini këto protesta, të bësh punën e dikujt tjetër, në këtë rast të armikut të demokracisë, për të luftuar qeverinë tënde në Shqipërinë tonë të vogël”, deklaroi z. Rama. Kryeministri e cilësoi Ballkanin e Hapur një sukses, duke kujtuar faktin që Serbia ka bërë të mundur furnizimin me grurë të Shqipërisë. ”Ballkani i Hapur funksionoi, sepse Serbia liroi vetëm sasinë për Shqipërinë. Ministrja ka disa ditë që merret. Ne nuk kemi problem furnizimin. Problemi në tërësi i çmimit është pjesë e sfidës sonë për të mos lejuar që çmimi të reflektohet. Nga pikëpamja e furnizimit, kjo është shumë e rëndësishme”, tha Rama.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.