“T’i lëmë mënjanë mllefet dhe inatet personale”- Basha: 13 qershori, mundësi e artë për t’i treguar shqiptarëve dhe botës se jemi në këmbë!






Kryetari në detyrë i PD Lulzim Basha, gjatë takimeve në qarkun e Elbasanit, e konsideroi 13 qershorin si mundësinë e artë për t’i treguar shqiptarëve dhe botës se demokratët janë në këmbë.

basha 1

“Është testi i parë pas 25 prillit, pas masakrës zgjedhore për forcën tonë që do ta tregojmë përmes pjesëmarrjes masive në garën e brendshme të 13 Qershorit”, tha Basha.

“Ndaj thirrja ime ndaj çdokujt që mund t’i jetë errësuar mendja është të mos gjej kot arsye për t’i rënë me shkelmë sakrificës së demokratëve të Cërrikut apo për të prishur atë që kemi ndërtuar me 4 vjet sakrificë. Le t’i lëmë mënjanë mllefet dhe inatet personale”, vijoi kryedemokrati.

FJALA E BASHËS 

Librazhd

Dhe kështu me gjithë rikthimin në jetë të sigurimit të shtetit dhe metodave të sigurimit të shtetit, survejimit të qytetarëve, se ajo që ka dalë në Tiranë në fakt ka ndodhur anembanë Shqipërisë, me të gjithë pushtetet e mbajtura në një dorë përfshirë futjen nën thundër të sistemit të drejtësisë, me gjithë ndryshimet në Kushtetutë e në Kodin Zgjedhor, me të gjithë mediat më një përjashtim të rrallë të nënshtruara, me të gjithë oligarkinë me vete, me të gjithë bandat me vete, me të gjithë eksodin masiv të shqiptarëve. Të gjithë e dimë se çfarë ka ndodhur në Librazhd sikundër kudo në Elbasan dhe në Shqipëri, me të gjithë shpërdorimin e parave  të rindërtimit që e patë sesi atyre që i lanë dy dimra nëpër çadra në mënyrë jo transparente dhe pa e ditur fare nëse përputhet me dëmet apo jo brenda 5 ditëve i dhanë 89 herë më shumë para se çfarë kishin dhënë në, që nga tërmeti, me gjithë policinë që në vend të mbronte ligjin dhe qytetarët, në rastin më të mirë përkuli para bandave, në rastin më të keq siç ishte rasti i Librazhdit dhe i Elbasanit, ju shërbente bandave dhe i mbronte bandat.

Me gjithë lejet që dhanë për të mbjellë kanabis, me gjithë lejet, hashashin për vota , me gjithë legalizimet në këmbim të votës, ndërtimet pa leje në këmbim të votës, me gjithë mbylljen e kufirit për emigrantët, karantinë e papritur katër pesë ditore sa kaluan zgjedhjet, me gjithë aleancën me krimin, me të gjitha këto falë sakrificës tuaj, falë punës tuaj, falë vetëmohimit tuaj diferenca mes dy palëve ishte më pak se gjysma e fletëve të pavlefshme si rezultat i marifeteve, i heqjes së emrave nga fletët e votimit, i shkurtimit të emrave të fletës së votimit, pra i heqjes de facto edhe të asaj forme të koalicionit që kishin rënë vetë dakord në tetor ta lejonin ose e barabartë me votat e dhëndrit dhe djalit të Aqif Rakipit.

Në këtë betejë miqtë e mi unë e di që jeni futur me zjarr në shpirtin tuaj dhe nga ai zjarr keni ndezur flakën e shpresës tek qytetarët që të themi të vërtetën kishte dy vjet po venitej. Dolët në këtë betejë dhe dolët në këtë betejë jo për mua, as për kandidatin për deputet, as për karriget tuaja, as për pushtetin tuaj, por dolët për qytetarët dhe kjo është arsyeja pse qytetarët na besuan, pse qytetarët na ndoqën anembanë Shqipërisë dhe këtu në Librazhd.

Gramsh

Ndaj më 25 prill nuk është kryer thjesht një garë e pabarabartë, madje nuk është as masakra zgjedhore gjëma më e madhe që i ka ndodhur vendit, por është rënia e demokracisë dhe ndalja e përkohshme e vullnetit të shqiptarëve për ndryshim. Demokraci do të thotë respekt i vullnetit të shumicës. Shumica e shqiptarëve e donin ndryshimin më 25 prill, e duan edhe më shumë sot, shumica prej tyre vendosën ta ndiqnin si këtu në Gramsh ku numri i votave u dyfishua, pavarësisht prej masakrës zgjedhore. Ndërsa një pjesë prej tyre u trysnuan, u kërcënuan, u intimiduan, u detyruan të qëndrojnë larg përmes mekanizmave që nuk kanë të bëjnë me demokracinë. Rënie e demokracisë me 25 prill nuk është një dramë vetëm për demokratët dhe Partinë Demokratike, nuk është një dramë vetëm për mbështetësit tanë, por është një akt katastrofik për Shqipërinë dhe shqiptarët. Vëllezër dhe motra ne jemi familja politike trashëgimtarë e Lëvizjes së Dhjetorit, ne jemi familja politike që rrëzuam komunizmin  dhe sollën demokracinë, që futën Shqipërinë në  Këshillin e Europës dhe në NATO, që hoqëm vizat dhe që de fakto realizuam statusin kandidat për në Bashkimin Europian, që bëmë zhvillimin ekonomik më të shpejtë në tre dekada, që dyfishuam rrogat e mësuesve, pensioneve dhe rrogat në të gjithë sektorin publik, që thithëm investimet më të mëdha strategjike siç është TAP-i apo Devolli.

Çdo arritje ka vulën tonë dhe kjo nuk është rastësi. Asnjë arritje nuk është kryer në qeverisjen e  Partisë Socialiste ndonëse kemi ndarë faktikisht pothuajse përgjysmë, ata pak më shumë këto 30 vite pluralizmi.  Dhe kjo nuk është rastësi. Nuk mund të jetë rastësi, mund të jetë rastësi herën e parë, herën e dytë, herën e tretë. Ky është produkti i dy mendësive krejtësisht të ndryshme. Ne jemi të bashkuar sepse kemi lindur si një forcë për t’i shërbyer njerëzve.

Belsh

Ndaj më vjen shumë mirë që gjatë kësaj gare që më kanë çuar nga jugu në veri e sot në gjirin tuaj e përsëri do të vazhdoj nesër në veri, kam parë se si gjendja shpirtërore e demokratëve është transformuar. Njeriu kur kalon momente të tilla tronditje siç ishte 25 prilli, siç është edhe 31 marsi i 91, kalon në disa faza, mosbesim, dëshpërim, zhgënjim, tronditje, zemëratë, të cilën e kam parë veçanërisht javën e fundit të shkëndijë nga sytë tuaj demokratëve dhe jo vetëm për dhe pastaj vendosmëri për të mos e pranuar padrejtësinë dhe për të bërë të gjithë së bashku që të shkojë haka tek i zoti dhe i zoti janë shqiptarët që meritojnë dhe do të kenë patjetër ndryshimin për të cilin votuan me 25 prill.

Miqtë e mi sfidat tona janë më të mëdha se para 25 prillit, por fuqia jonë është më e madhe, bashkimi ynë është më i madh.  Më vjen mirë që e shoh këtë bashkim ne bazë kudo, baza demokrate është e qartë, baza demokrate është e vendosur. Kjo gare është një vlerë më shumë për ne dhe familjen tonë. Jemi e vetmja parti që bën garë, që bën debat, që ka konkurrencë.

Ndaj, ndodhem sot këtu për t’ju kërkuar që ta përdorim 13 Qershorin si një mundësi të artë për t’i treguar shqiptarëve dhe botës se jemi në këmbë, se jemi dhe mbetemi familja e vetme politike e vlerave. Është testi i parë pas 25 prillit, pas masakrës zgjedhore për forcën tonë që do ta tregojmë përmes pjesëmarrjes masive në garën e brendshme të 13 Qershorit.

Cërrik

Siç ka avantazhet e veta, kjo garë e cila na diferencon me kundërshtarin që ka vite që nuk s’bën edhe sikur bënë zgjedhje në partinë e vet, ka dhe disavantazhet e veta. Disavantazhi kryesor është që rreziku i dorëzimit përball ndokujt që e shikon 25 prillin si fitore të Edi Ramës dhe jo si masakër zgjedhore mund të lindi një farë të re përçarje mes nesh. Ndaj thirrja ime ndaj çdokujt që mund t’i jetë errësuar mendja është të mos gjej kot arsye për t’i rënë me shkelmë sakrificës së demokratëve të Cërrikut apo për të prishur atë që kemi ndërtuar me 4 vjet sakrificë. Le t’i lëmë mënjanë mllefet dhe inatet personale.

Ndaj ftesa ime është një dhe vetëm një: ne kemi një kundërshtar, armikun e egër të demokracisë, armikun e egër të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kjo është beteja jonë, po në këtë betejë nga 13 qershori jam i sigurt siç e kam par me sytë e mi nga Saranda në Tropojë baza është e bashkuar dhe do të dal e bashkuar, ndaj ju kërkoj që në 13 qershor të merrni vendimet tuaja individuale me ndërgjegje të pastër politike, të vendosni që të dalim të bashkuar nga kjo betejë, të vendosim që të vazhdojmë misionin me të cilin na kanë ngarkuar bashkëqytetarët, se nuk ka as në Cërrik, as në Elbasan, as në Shqipëri, as në bot forcë tjetër për ti bërë ballë dhe për ta rrëzuar këtë regjim përveç jush, përveç nesh, përveç Partisë Demokratike. Ju bëj thirrje të votoni për ta vazhduar këtë betejë  deri në fund dhe ju kërkoj të më jepni besimin ta drejtoj këtë betejë deri në fund

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *