Tubacioni “Fuqia e Siberisë 2” mund të sjellë garë mes Evropës dhe Kinës për gazin rus

Nivelet e ulëta të eksporteve të gazit nga Rusia, kanë shkaktuar mungesa në furnizimin me gaz të Evropës dhe rritjen e madhe të çmimeve. Por, paqëndrueshmëria e furnizimit me gaz rus mund të përkeqësohet, pasi Moska po planifikon ndërtimin e një tubacioni të ri në drejtim të Kinës, një investim që i jep Rusisë fuqinë për të shitur gazin e saj aty ku është oferta më e lartë.

Nga sipërfaqet e ngrira të Siberisë, Rusia tashmë po dërgon një sasi të gazit të saj natyror në Kinë.

Tubacioni i quajtur “Fuqia e Siberisë 1” është vënë në punë në vitin 2019. Ai ushqen ekonominë kineze duke shfrytëzuar fushat e gazit në zonat lindore të Rusisë.

“Ky tubacion përdor gazin që nuk vjen nga fushat që mund të furnizojnë tregun evropian. Pra nuk është se dërgimi i gazit nga Rusia në Kinë, është humbje e gazit që mund të shkonte në Evropë“, thotë analisti Tom Marzec-Manser.

Por, së shpejti situata mund të ndryshojë. Moska dhe Pekini janë afër arritjes së marrëveshjes së dytë për një tubacion të ri, “Fuqia e Siberisë 2”, i cili do të dyfishonte eksportet e gazit nga Rusia në Kinë. Ai do të kalonte përmes Mongolisë në zonat industriale afër Pekinit.

Tubacioni gjithashtu do të bashkohej me rrjetin e brendshëm të gazit rus – duke lidhur Kinën me të njëjtat fusha gazi në gadishullin Yamal të Rusisë, prej nga furnizohet Evropa.

“Si eksportuesi më i madh, Gazpromi fiton mundësinë e orientimit të gazit nga njëri treg, tek tjetri”, thotë zoti Marzec-Manser.

Kjo gjë do të rriste fuqinë e Rusisë.

“Teknikisht, është e vështirë të dihet nëse ekziston mundësia që Rusia të krijonte një sistem çmimesh, që gazi të shitej ku të ishte oferta më e lartë, por mendoj se Rusia të paktën e synon një gjë të tillë, për ta përdorur si një mjet gjatë dekadës së ardhshme”, thotë Filip Medunic, nga Këshilli Evropian për Mardhënie me Jashtë.

Rusia ka grumbulluar mbi 100 mijë trupa në kufi me Ukrainën. Perëndimi ka kërcënuar me sanksione të ashpra në rast se Rusia pushton Ukrainën, gjë që sipas analistëve nxiti Moskën të kërkojë klientë të rinj.

“Në periudhën afatmesme dhe afatgjatë gazi rus do të ketë rol në dekarbonizimin në veçanti të Bashkimit Evropian”, thotë analisti Marzec-Manser.

Por depërtimi në tregun e ri kinez nuk do të jetë diça e lehtë për Moskën, thonë njohësit.

“Kina njihet për përdorimin e pozicionit dhe peshës së saj politike, ekonomike dhe ushtarake. Kina është një partner i fortë negociues, që veten e sheh si dominues, ndërsa Rusinë si një partner të vogël”, thotë analisti Medunic.

Sipas disa spekulimeve marrëveshja për tubacionin e dytë mund të nënshkruhet gjatë Lojërave Olimpike Dimërore që fillojnë muajin e ardhshëm në Pekin – por ende nuk ka një konfirmim zyrtar.//VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.