
21:54 11/03/2022
Trajneri gjerman mendon se qeveria britanike do ta gjejë një zgjidhje për klubin londinez pas sanksioneve ndaj Abramovic
Trajneri i Çelsit, Tomas Tuhel beson se qeveria britanike do ta gjejë një zgjidhje për “blutë” e Londrës deri në fund të sezonit, pasi sanksionet e vendosura ndaj pronarit rus Roman Abramoviç e kanë lënë klubin në udhëkryq.
Abramoviç deklaroi javën e shkuar se do ta nxirrte në shitje Çelsin, por procesi është bllokuar, ndërsa klubi po operon në bazë të një licence speciale të qeverisë.
Skuadra mund të luajë ndeshjet sipas kalendarit e lojtarët dhe stafi mund të paguhen, por kampionët e Europës dhe të Botës nuk mund të transferojnë futbollistë.
Tekniku gjerman foli për situatën para takimit të së dielës kundër Njukastëllit në kampionat.
“Ka bisedime dhe negociata rreth licensës. Besoj se njerëzit e ngarkuar nga qeveria do ta gjejnë zgjidhjen, që të vazhdojnë të luftojmë gjatë sezonit dhe pataj të veprojmë në verë. Na befasoi kjo situate”
Ndërsa trajneri i Liverpulit Jurgen Klop mendon se qeveria britanike bëri mirë që vendosi sanksione ndaj miliarderit rus që ka lidhje me presidentin rus Vladimir Putin, por lojtarët dhe punonjësit në klub nuk kanë pse të vuajnë.
Klan News