“U emocionuat zoti Braho, sepse unë…”/ Komisioni Hetimor publikon video si prova për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta! Ja çfarë përmbajnë pamjet filmike






Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta sot ka publikuar disa video me deklaratat e Kreut të Shtetit, të bëra para zgjedhjeve të 25 prillit.

Videot nisin me përplasjen e Presidentit Meta me policinë bashkiake në selinë e Frymës së Re Demokratike dhe vazhdojnë me deklaratat ku i bën thirrje qytetarëve që në 25 prill të rrëmbejnë sfurqet për të mbrojtur votën.

Sipas Komisionit, këto janë të tjera prova që Ilir Meta ka shkelur Kushtetutën.

Ndërkohë që në Komision transmetohen videon, kryetari Alket Hyseni i drejtohet Spartak Brahos duke i thënë: “U emocionuat zoti Braho, sepse unë ndjeva keqardhje”.

Ndërkohë, anëtarja e ketij komisionit, Klotilda Bushka citoi disa nga deklaratat e Kreut të Shtetit dhënë për mediat, apo edhe postimet në Facebook të Presidentit.

Alket Hyseni: Janë dhjetëra CD, këto ishin disa që ne kemi përzgjedhur për tu shfaqur, por unë do të ftojë secilin nga anëtarët që të njihen me volumin e pamjeve. Administrata të mos bëjë përsëritje të deklaratave. E rëndësishme është që të referohen shqetësimet që ngrihen nga 49 deputetët. Secili nga ju nëse dëshiron të njihet me këto pamje, ne mund ta publikojmë. Dua t’ju sqaroj që është e pamundur si kohë që ne ti publikojmë. Ju njihuni me pamjet dhe çdo shqetësim mund të përcillet dhe ta trajtojmë në mbledhjet e ardhshme” tha Hyseni.

Klotilda Bushka: Referuar kërkesës që kanë bërë 49 kolegët tanë për procedurën e shkarkimit, në argumentet që japin citohen materialet nga ku bazohen argumentet. Ju vë në dukje se një pjesë e materialeve ka të bëjë me deklarata nga studio televizive dhe një pjesë nga postimet në Facebook. Pjesën e materialeve vizive secili mund ta ketë në email. Për efekt të procedurës, në i shfaqim, por është mirë që edhe anëtarët e komisionit ti kenë këto pamje.

Alket Hyseni: Ka ardhur përgjigje nga Gjykata Kushtetuese ku paraqitet një korrespondence e Gjykatës Kushtetuese me Presidentin e republikës. Kjo korrespondencë është konsideruar se e nevojshme në lidhje me faktin nëse ka apo jo ndërhyrje nga Presidenti i Republikës. Ndërkohë sekretaria t’ja bëjë me dije gjithë anëtarëve të komisionit.

Stojku: Mendoj që në objektin e hetimit të shtohet edhe diskutimi mediatik prej dy vitesh për dhënien e shtetësive. Presidenca të na verë në dispozicion edhe materialet.

SHQETESIMI I SPARTAK BRAHOS

Anëtari i Komisionit, Spartak Braho ngriti shqetësimin se të gjitha akuzat e bërë nga Presidenti duhet të ishin adresuar në institucionet përkatëse. Ndërkohë, Kryetari Alket Hyseni tha se do ti drejtohen Presidencës me një shkresë për korrespondencat që ka pasur Ilir Meta me institucionet.

Braho: Numërova me shumë kujdes të gjitha deklarimet e Metës në mediat elektronike dhe postimet që ka bërë. Shkojnë rreth 40 denoncime me përmbajtje kriminale në shkelje të ligjit për çështje që lidhen me zgjedhjet, me zhvillime të tjera që lidhen me korrupsionin, komplote, akuza dhe fyerje në drejtim të shumë personaliteteve. Këto janë konstatimet e presidentit. Çështja shtrohet a i është drejtuar Presidenti, atëherë dhe tani më vonë ndonjë organi shtetëror ligj-zbatues për ti paraqitur këto denoncime? Në dijeninë time jo, por kjo duhet hetuar. Nuk mund të hedhësh akuza, ti je president. Respekto organet ligj-zbatuese, ndjekin, procedojnë dhe arrestojnë. Nuk arreston dhe procedon asnjë njeri, qoftë ky edhe Presidenti.

Hyseni: Shqetësimi është i drejtë, kjo zgjidhet vetëm duke iu drejtuar me një shkresë zyrës së Presidentit dhe ti themi që për këtë periudhë që ne veprojmë, të na verë në dispozicion, korrespondencën që Presidenti ka pasur me institucione të tjera. Po nuk ktheu përgjigje do të thotë që nuk respekton institucionin e Parlamentit, por mos ta paragjykojmë.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *