U ndalua në aeroportin e Moskës, arrestohet bashkëpunëtori i Navalnyt

Një bashkëpunëtor i politikanit opozitar rus, Aleksei Navalny, është ndaluar në aeroportin e Moskës. Bëhet fjalë për Aleksei Yakovlev, ish-producent i kanalit Navalny LIVE në YouTube. Avokati i tij, Sergei Telnov, tha se klienti i tij u arrestua në bordin e një aeroplani që u ul në Moskë dhe u dërgua në Komitetin Hetimor për t’u marrë në pyetje si dëshmitar në një rast mashtrimi.

Në fund të dhjetorit, autoritetet ruse thanë se kanë nisur një hetim të ri penal kundër Navalnyt nën dyshimet se ai dhe bashkëpunëtorët e tij kishin keqpërdorur rreth 4.8 milionë dollarë fonde të donatorëve dhe mbështetësve tjerë për Fondacionin Kundër Korrupsionit (FBK) të udhëhequr nga Navalny.

Një ditë para arrestimit të Yakovlev, Rusia e vendosi në listën ndërkombëtare të kërkimit drejtorin e FBK-së, Ivan Zhdanov, i cili aktualisht banon në Lituani. Gjatë viteve të kaluara Fondacionin Kundër Korrupsionit ka bërë publike të dhëna për korrupsion ndaj zyrtarëve rusë. Publikimi i tyre është bërë përmes postimit të videove në kanalin në Youtube – Navalny Live. Autoritetet kanë rritur presionin ndaj kësaj organizate para zgjedhjeve parlamentare që pritet të mbahen në shtator. Sondazhet e opinionit tregojnë se po zbehet mbështetja për partinë në pushtet, Rusia e Bashkuar.

Rrjeti politik i Navalnyt ka prezantuar një strategji “të votimit të mençur ” – një projekt i hartuar për të promovuar kandidatë që ka më shumë gjasa të mposhtin figurat e lidhura me Kremlinin. Një gjykatë ruse më 9 qershor miratoi një kërkesë nga prokurorët për të deklaruar FBK-në dhe organizata të tjera të lidhura me Navalnyn si “ekstremiste”. Vendimi i Gjykatës së Qytetit të Moskës parandalon personat e lidhur me FBK-në dhe rrjetin e tij të zyrave rajonale në të gjithë Rusinë të garojnë ose zgjedhen për poste publike.

Navalny është në burg për shkelje të rregullave të një dënimi me kusht, për një rast përvetësimi, akuzë që e konsideron të motivuar politikisht. Ai u ndalua në Rusi, në muajin janar, pas kthimit nga Gjermania. Navalny u trajtua në Berlin, pas helmimit me agjent nervor Noviçok. Opozitari ka fajësuar presidentin rus, Vladimir Putin për dhënie të urdhrit për helmim, mirëpo Kremlini mohon diçka të tillë.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *