U tërhoq nga marrëveshja e grurit, vendet afrikane trysni Moskës: Të merren në konsideratë nevojat tona

u terhoq nga marreveshja e grurit vendet afrikane trysni moskes te merren ne konsiderate nevojat tona

Vendet afrikane po i bëjnë thirrje Moskës t’i rikthehet marrëveshjes për drithin në një takim të nivelit të lartë që Rusia po mban me udhëheqësit e këtyre vendeve. 30 milionë tonë drithë ukrainas u eksportuan në Afrikë para tërheqjes së Rusisë nga marrëveshja, sipas ministrisë britanike të Mbrojtjes. Pezullimi i nismës ka rritur çmimet e ushqimeve duke shkaktuar tensione në gjithë botën. Ndërkohë në takim, Rusia po përpiqet ta paraqesë veten si një partnere e kontinentit afrikan.

Takimi i nivelit të lartë në Shën Petersburg, mbahet në hijen e luftës në Ukrainë dhe përpjekjeve të Rusisë për të zbutur izolimin e saj. Në takim marrin pjesë 17 krerë shtetesh, 18 më pak se sa në takimin e fundit të këtij lloji, katër vjet më parë në Soçi. Moska akuzon Uashingtonin se u ka bërë presion udhëheqësve afrikanë që të mos marrin pjesë. Ndërkohë Presidenti Putin premtoi të enjten ndihmë të konsiderueshme të drejtpërdrejtë për kontinentin.

“Jam gati të fal nga 25 deri në 50 mijë tonë drithë për Burkina Fason, Zimbabven, Malin, Somalinë, Republikën e Afrikës Qendrore, (dhe) Eritrean në muajt e ardhshëm, në tre deri në katër muajt e ardhshëm.”

Takimi mbahet ndërsa rriten tensionet botërore për shkak të rritjes së çmimeve të ushqimeve pas tërheqjes së Moskës nga marrëveshja për transportin e drithit që kishte nënshkruar me Ukrainën dhe Turqinë.

Në raportin e saj të përditshëm për luftën, Ministria britanike e mbrojtjes thotë se bllokada e Moskës ndaj drithit ukrainas jo vetëm që ka rritur çmimet e grurit, por do të shkaktojë pasiguri ushqimore në të gjithë kontinentin afrikan “për të paktën dy vitet e ardhshme”.

Dhe vendet afrikane po e bëjnë të qartë pakënaqësinë e tyre.

“Shpresoj shumë në arritjen e një marrëveshjeje për transportin e drithit, që të marrë në konsideratë nevojat dhe interesat e të gjitha palëve të interesuara, duke i dhënë fund rritjes së vazhdueshme të çmimeve”, tha presidenti i Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi.

Zoti Sisi tha se është thelbësore që Moska t’i rikthehet marrëveshjes.

Edhe për çështje të tjera ka pak shenja për një emërues të përbashkët. Disa nga udhëheqësit i bënë thirrje Rusisë që të ndalojë agresionin në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës.

“Vendet afrikane shkuan në Rusi për të gjetur mënyra për të ushtruar ndikim që Rusia dhe Ukraina të arrijnë një marrëveshje paqeje”, thotë për Zërin e Amerikës Bashir Obasekola, që drejton Organizatën e Diasporës Nigeriane në Evropë.

Shumë në Perëndim e shohin takimin si një lëvizje propagandistike të Kremlinit për të treguar se nuk është i izoluar nga bota. Por vëzhguesit thonë se është gjithashtu një mundësi për të folur sinqerisht me udhëheqësit rusë për nevojën për të sjellë paqe në Ukrainë.

Ndërkohë në sfond të takimit, është shfaqur për herë të parë që pas kryengritjes së dështuar në qershor, udhëheqësi i Grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin, siç shihet në këtë foto të postuar në Twitter nga Catrina Doxsee, eksperte e Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Në foto ai është parë me një zyrtar të lartë të Republikës së Afrikës Qendrore, Freddy Mapoul, i cili po merr pjesë në konferencë, në hotelin Trezzini Palace në Shën Petersburg, që mendohet se është në pronësi të kreut të grupit Wagner./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb


Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts