“Udhëtimi për në ‘Mariupolin e ferrit’ për të shpëtuar prindërit e mi”, rrëfehet 23-vjeçarja

17:22 22/04/2022

Teksa forcat ruse rrethuan Mariupolin, një vajzë ukrainase ndërmori një udhëtim mjaft të rrezikshëm për në qytetin e rrethuar për të shpëtuar prindërit e saj.

Ajo është në mesin e një numri të vogël njerëzish të cilët përballuan rrezikun e sulmit apo rrëmbimit nga forcat ruse për të hyrë me makinë në vijë e parë.

23-vjeçarja, Anastasia Pavlova ka treguar për BBC News gjithë përjetimet e saj për të shpëtuar prindërit nga Mariupoli.

Brenda disa ditësh nga pushtimi i Rusisë, Anastasia Pavlova kuptoi se çfarë do të thoshte lufta për Ukrainën. 23-vjeçarja i shpëtoi bombardimeve në Kharkiv, një qytet ku sulmet në zonat e banuara ishin të shumta.

Anastasia dhe i fejuari i saj Abakelia shkuan në jug, në qytetin e Dnipros. Ajo ndihej më e sigurt atje. Por 23-vjeçarja vuajti për fatin e prindërve të saj, të cilët jetonin në periferi të Mariupol që ishte në shënjestër të bombardimeve ruse.

Nëna e saj, Oksana, kishte besim. Ajo gjeti paqen në lutje. Por lutjet e saj po “mbyteshin” teksa trupat ruse përparonin.

“Ditë pas dite, predha të kalibrave të ndryshëm fluturonin mbi çatinë e shtëpisë sonë të vogël”, thotë Oksana. “Në ditën e katërt të luftës fillova të mendoj: “Nuk do ta kaloj këtë”.

Mariupol shpejt u kthye në “ferr”, ndërsa forcat e Moskës rrethuan qytetin. Në mes të luftimeve, civilët duhej të kërkonin ushqim dhe ujë. Por uji i rrjedhshëm dhe energjia elektrike u ndërprenë. Mijëra vetë u vranë.

Në foto: Rrugës për në Mariupol

Raketat Grad të epokës sovjetike goditën zonën ku Oksana dhe bashkëshorti i saj Dmitry kanë shtëpinë.

“Nuk mund të merrja frymë,” kujton ajo.

Oksana arriti të fliste me vajzën e saj dhe e paralajmëroi që të mos shkonte atje.

Por në fund të Marsit, pesë javë pas nisjes së luftës, Anastasia vendosi të udhëtojë me makinë për në Mariupol, një udhëtim i mbushur me rreziqe.

Ajo punësoi një shofer dhe u nis me një furgon nga vullnetarët e ndihmës, të cilët po përpiqeshin gjithashtu të ndihmonin në evakuimin e njerëzve nga qyteti. Ata u larguan nga Zaporizhzhia, në veri-perëndim të Mariupolit dhe qyteti i fundit i sigurt përpara vijës së frontit.

“Askush nuk donte të ishte automjeti kryesor,” shpjegon Anastasia. “Ata menduan se nëse dikush dëshiron të qëllojë në kolonë, ata do të qëllojnë së pari në automjetin kryesor. Shoferi im ishte shumë i guximshëm. Ai tha: “Ne do të jemi mjeti kryesor”. U mbajta në ndenjësen time dhe mendova: ‘Mirë, kaq, e mora vendimin, sido që të ndodhë’”.

Ata u bënë një foto pak para se të niseshin.

“Unë jam duke buzëqeshur këtu, por isha shumë e frikësuar”, thotë ajo.

Anastasia ndihej gjithnjë e më e shqetësuar teksa ecën mbi 260 km (160 milje) nga territori i kontrolluar nga Ukraina, nëpër vijat e frontit.

Ndërsa lëviznin më tej në territorin e pushtuar nga Rusia u shfaqën më shumë roje ushtarake.

“Në një nga postblloqet, ndërsa kontrollonin dokumentet, ushtarakët na drejtuan tytën e një automatiku në kokë”, thotë Anastasia.

Ata kërkuan të dinin pse po udhëtonim brenda territorit të rrethuar nga ata. Ajo tregon se iu tha se do të ndihmonte prindërit e saj dhe do t’i sillte ilaçe babait të saj.

“Ndihej sikur nga momenti në moment do t’ju qëllojnë apo përdhunojnë. Vazhdimisht prisnim që kjo të ndodhte. Është e frikshme”, thotë ajo.

Ndërkohë Oksana dhe burri i saj Dmitry po flinin në dysheme për të mbijetuar në Mariupol. Shtëpia po dridhej nën bombardimet dhe valët e shpërthimit.

Anastasia nuk e dinte nëse do t’i gjente prindërit gjallë.

Ata udhëtuan për nëntë orë, duke arritur në një qytet të shkatërruar. Ajo flet për udhëtimin e tmerrshëm përgjatë rrugëve të minuara. Ata hynë në Mariupol pak para shtetrrethimit.

“Rreth jush digjen makina, tanke, ndërtesa të zeza dhe çati të shembura. Fillimisht, ti po shikon varret dhe je e frikësuar dhe e hutuar. Por sapo të shohësh rreth 10 prej tyre, 20, kalon. Ndoshta jam vetëm unë, por disi më duket se shpejt mësohesh me këto mizori.”

Ata u përpoqën të kalonin nëpër zonën e qendrës së qytetit, por luftimet ishin intensive. Në një pikë kontrolli atje, Anastasia thotë se ata ishin në rrezik për jetën si pasojë e bombardimeve. Trupat ruse u thanë atyre se kishin dy minuta për të lëvizur ose do të qëllonin mbi ta.

Më pas, ata vendosën të lëvizin rreth një pjese të qytetit më në perëndim. Po afrohej një shtetrrethim gjatë natës dhe ata morën rrugën për në periferinë perëndimore të Volodarske, ku kishin dëgjuar se një shkollë po shërbente si një kamp refugjatësh.

Anastasia thotë se ajo ishte dëshmitare e një “apokalipsi” atë natë në Mariupol.

“Ndihesha sikur gjithçka u shemb brenda meje. Më dukej sikur gjithçka në të cilën ne besuam, gjithçka e mirë, perceptimi im për njerëzit, ideja se po jetojmë në shoqëri të civilizuar… e gjithë kjo kishte qenë e gabuar, sikur të kisha gabuar gjatë gjithë jetës sime se njerëzit në fakt janë barbarë dhe jeta njerëzore nuk vlen asgjë”, thotë Anastasia.

23-vjeçarja tregon se arriti të bashkohej me prindërit e saj në ditën e dytë.

“Nuk mund të gëzohesha, por as të qaja”, thotë ajo.

Nëna e saj Oksana e quan Anastasian “një heroinë”. Banorët në rrugë ishin të habitur që ajo kishte arritur në Mariupol dhe Anastasia thotë se askush nuk dinte se çfarë të merrte me vete. Ajo i tha nënës së saj të merrte rrobat e saj të preferuara. Ata arritën të evakuojnë disa nga fqinjët e tyre.

Në foto: Anastasia sëbashku me prindërit pas shpëtimit nga Mariupoli i rrethuar

Por Anastasia ende mendon për ata që nuk mund të dalin jashtë.

“Ata duhet të përpiqen të mbijetojnë edhe nëse Mariupol është i pushtuar. Ata janë nën bombardime çdo ditë. Shumë nuk duan të largohen, ata nuk duan të lënë shtëpitë e tyre, ose varrin e një burri ose gruaje.”

Tani prindërit e saj janë në një qytet më të sigurt në perëndim të Ukrainës, ndërsa Anastasia qëndron në Dnipro me të fejuarin e saj Abakelia./tvklan.al

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts