
22:53 16/03/2021
Shërbimi i Sigurimit të Shtetit të Ukrainës tha se ka parandaluar një sulm të madh kibernetik nga hakerët rusë, që kishte në shënjestër të dhënat e klasifikuara të Qeverisë.
Sipas këtij shërbimi, qëllim i sulmit ka qenë “qasja në të dhënat e klasifikuara të institucioneve më të larta të Ukrainës”. Shërbimi ukrainas tha se Shërbimi Federal i Sigurisë në Rusi qëndron prapa hakerëve.
Kievi, edhe më herët, ka akuzuar Moskën për orkestrimin e sulmeve të mëdha kibernetike, por Rusia i ka mohuar ato. Shërbimi Federal i Sigurisë në Rusi nuk i komentoi ende akuzat e fundit.
Shërbimi i Sigurimit në Ukrainë nuk tregoi nëse është shkaktuar ndonjë dëm në incidentin e fundit.
Marrëdhëniet midis Kievit dhe Moskës janë tensionuar prejse Rusia ka aneksuar ilegalisht Gadishullin e Krimesë nga Ukraina, në vitin 2014.
Moska po ashtu i mbështet separatistët që luftojnë forcat qeveritare në lindje të Ukrainës. Mbi 13,000 njerëz janë vrarë në këtë konflikt që po ashtu ka nisur në vitin 2014./REL

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al