Ukraina fajëson Rusinë për përkeqësim të situatës së sigurisë

21:16 01/04/2021

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba ka paralajmëruar për “përkeqësim sistematik” të situatës së sigurisë në lindje të vendit dhe në Gadishullin e Krimesë. Kjo deklaratë vjen pas rritjes së dhunës në mes të forcave të Qeverisë ukrainase dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia.

Kievi zyrtar pretendon se separatistët “në mënyrë sistematike po shkelin armëpushimin”, për të cilën palët ishin pajtuar në korrikun e kaluar dhe ka fajësuar Rusinë se po vendos trupa shtesë pranë kufirit në mes të këtyre dy shteteve.

Kryediplomati ukrainas, Kuleba tha se ka biseduar me Sekretaren e Përgjithshme të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Helga Schmid për “përkeqësimin sistematik të Rusisë të situatës së sigurisë në lindje të Ukrainës dhe në Krime”.

Në anën tjetër, Kremlini e ka fajësuar Kievin për rritjen e dhunës së fundmi dhe më 1 prill tha se Rusia “po i lëviz trupat e saj brenda territorit të saj dhe për këtë vendos vet dhe një veprim i tillë nuk duhet ta shqetësojë askënd”.

Moska “duhet të jetë në gjendje gatishmërie” pasi po përballet me “intensifikim të aktiviteteve të trupave të NATO-s” në perimetrin e kufijve rus, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Rusia, që ka aneksuar Krimenë më 2014, mohon se ka forca ushtarake në këtë gadishull dhe vazhdimisht ka mohuar se është e përfshirë në luftimet në rajonet Luhansk dhe Donetsk të Ukrainës, edhe pse dëshmitë e thonë të kundërtën.

Që prej prillit të vitit 2014, konflikti në lindje të Ukrainës ka marrë jetën e mbi 13.000 personave dhe misioni i OSBE-së në Ukrainë ka thënë se ditëve të fundit ka pasur qindra shkelje të armëpushimit në Luhansk dhe Donetsk./REL

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *