“Ukraina fuçi baruti”! “DW”: E pazakontë, Rusia stacionon në kufi kontigjente të mëdha trupash, ndërsa Perëndimi…!

Perëndimi i forcon krahët Ukrainës. Për shkak të rritjes së tensioneve ushtarake me Rusinë, SHBA, Franca, Britania e Madhe, Italia dhe Gjermania kanë mbështetur demonstrativisht Ukrainën e presidentin e saj.

Sovraniteti i Ukrainës duhet “të respektohet”, deklaruan Shtëpia e Bardhë në Uashington dhe Pallati Élysée në Paris pas një konference telefonike të krerëve të shteteve e qeverive të SHBA-së, Francës, Britanisë së Madhe, Italisë dhe Gjermanisë Jemi gati “për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Europë”, u tha. Ujdia mes krerëve perëndimorë erdhi para video-samitit të pritur me interes të madh mes presidentit të SHBA, Joe Biden, dhe atij rus, Vladimir Putin, të martën (07.12.). Për shkak të lëvizjes masive të trupave ruse në kufirin ukrainas, qeveritë perëndimore i tremben një sulmi të Rusisë ndaj vendit fqinj.

Edhe krerët e shtabeve të përgjithshme të 30 vendeve të NATO-s u bashkuan në një takim të posaçëm. Sipas të dhënave të aleancës ushtarake verio-atlantike, Rusia ka stacionuar në kufi në mënyrë të pazakontë kontigjente të mëdha trupash të gatshme për luftë si edhe armatime të rënda dhe drone.

Konflikt i vazhdueshëm

Zhvillimet më të fundit zgjojnë kujtime të hidhura të vitit 2014. Atëkohë Rusia aneksoi Gadishullin e Krimesë dhe filloi me mbështetjen e vazhdueshme të separatistëve në Ukrainën Lindore. Konflikti deri më sot nuk është zgjidhur, në Ukrainën Lindore rregullisht zhvillohen luftime. Rusia mbështet rebelët që në rajonet Luhansk e Donjeck kanë shpallur republikat e tyre.

Qeveria në Moskë betohet se nuk ka qëllime ushtarake. Ajo argumenton me atë, që në territorin e saj mund të lëvizë trupat si t’i përshtatet. Në të njëjtën kohë Kremlini kritikon prezencën ushtarake të vendeve perëndimore në afërsi të kufirit rus si “provokim”. Putin dëshiron po ashtu garanci, që Ukraina nuk do të bëhet anëtare e NATO-s.

SHBA e kanë kërcënuar Rusinë në rast të shkallëzimit ushtarak me pasoja të rënda. Një përfaqësues i qeverisë amerikane në Uashington është shprehur, se Biden do t’ia bëjë të qartë Putinit në video-samitin e së martës, se çmimi do të jetë shumë i lartë, “nëse Rusia do të vendosë për një procedim të tillë”. Jemi të gatshëm për “sanksione të ashpra ekonomike” dhe stacionim të ushtarëve të tjerë në Europën Lindore. Por nuk merret në shqyrtim një përgjigje ushtarake e perëndimit.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Selenskyj ndërkohë zhvilloi një vizitë tek ushtarët ukrainas në linjën e frontit në lindje të vendit. Ai vizitoi pozicione të ushtarëve në Donjeck dhe falënderoi ushtarët “për mbrojtjen e integritetit territorial të Ukrainës”, bëri të ditur zyra presidenciale në Kiev. “Me njerëz si ju ne qartësisht fitojmë”, u shpreh me besim Selenskyj./DW

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *