
16:07 10/09/2022
Po rimarrin territore në Harkiv e Herson
Armët e sofistikuara që aleatët perëndimorë i dhanë Ukrainës e kanë dhënë efektin e tyre. Kundërofernsiva ukrainase po e ndërpret përparimin rusë në të gjitha frontet, si në lindje ashtu edhe në jug.
Ushtria ukrainase njoftoi se ka rimarrë nën kontroll gjatë ditëve të fundit, të paktën 30 lokalitete në rajonin lindor të Harkivit, përfshirë edhe qytetin e Kupiansk, një prej nyjeve kryesore të furnizimit për trupat ruse në Donbas. Këtë e vërtetojnë këto pamje të trupave ukrainase në ato zona dhe dëmeve që kanë mbetur pas largimit të rusëve.
Humbjet e rënda kanë detyruar Moskën të riorganizojë ushtrinë në këtë rajon, duke dërguar trupa shtesë, siç duket edhe në këto pamje të publikuara nga vetë Ministria ruse e Mbrojtjes. Kievi thotë se në rajonin e Harkivit, ushtarët ukrainas kanë depërtuar 50 kilometra brenda vijës së pushtimit rus. Përparime ka edhe në rajonin jugor të Hersonit, ku ata kanë rimarrë 700 kilometra katrorë.
Përparimin e tyre e përshëndeti edhe Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloid Austin, i cili tha se të dhënat janë inkurajuese për të shtuar ndihmën ndaj ushtrisë ukrainase e për ta bërë pushtimin rus të dështojë brenda pak muajsh.
Tv Klan