Ulje kostosh dhe nxitje e punësimit, Komisioni i Sigurisë miraton ndryshimet në ligjin për shërbimin privat të sigurisë fizike

ulje kostosh dhe nxitje e punesimit komisioni i sigurise miraton ndryshimet ne ligjin per sherbimin privat te sigurise fizike
ulje kostosh dhe nxitje e punesimit komisioni i sigurise miraton ndryshimet ne ligjin per sherbimin privat te sigurise fizike

Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi ndryshimet ligjore të propozuara nga qeveria në ligjin për “Për shërbimin privat të sigurisë fizike”. I pranishëm për prezantimin e ndryshimeve ligjore ishte zv/Ministri i Brendshëm, Julian Hodaj.

Sipas tij, ndryshimet ligjore sjellin lehtësime burokratike dhe kostosh për kompanitë e shërbimit privat të sigurisë fizike, si dhe punësim.

“Ka pasur një analizë të Policisë së Shtetit për ecurinë e shërbimit privat të sigurisë fizike. Ligji ekzistues është i vitit 2014 dhe ka pasur mjaftueshëm kohë për t’u arsyetuar problematikat, të cilat përmes ndryshimeve ligjore të propozuara kërkohet t’i jepet dhe zgjidhje. Kemi marrë në konsideratë edhe propozimet e grupeve të interesit”, tha Hodaj në nisje të prezantimit të ndryshimeve ligjore.

“Me ndryshimet ligjore, duam të lehtësojmë barrën burokratike mbi këto shërbime, duke lehtësuar disa kritere mbi të cilat bëhet dhe licencimi i kompanive. Po ashtu, kemi akomoduar dhe një pjesë të kërkesave të paraqitura nga grupet e interesit. Një prej tyre është lehtësimi i barrës burokratike, që do të përkthehet me një standard më të mirë të shërbimit për qytetarët. Projekt ligji ka marrë dakordësinë edhe të ministrive të linjës”, bëri me dije Hodaj.

Zv/Ministri i Brendshëm tej tha se, “Një nga risitë e ndërhyrjes është parashikimi i qendrës së trajnimit privat, ç’ka nuk ka qenë më herët. Punonjësit e shërbimit të sigurisë fizike i nënshtrohen një trajnimi fillestar para se të nisin shërbimin dhe më pas trajnimit periodik vjetor. Këto qendra trajnimi nuk kanë qenë të parashikuara me ligj”, tha Hodaj.

Ai shtoi se këtë shërbim do ta marrin jo vetëm personeli i angazhuar në shoqërimin dhe ruajtjen fizike të personave, por edhe personeli që kryen transportin e vlerave monetare.

“Çështje tjetër, që është një kërkesë që ka ardhur nga ofruesit e shërbimit lidhet me sallat e monitorimit apo kontrollit. Aktualisht parashikohet që sallat e monitorimit të jenë në të gjitha qarqet. Sipas ndryshimit të propozuara, tashmë nuk është më e nevojshme që shoqëritë e sigurisë fizike të kenë sallë monitorimi në çdo qark. Sot, falë teknologjisë monitorimi mund të përqendrohet në një sallë unike, apo në salla të veçuara në territorin e Republikës së Shqipërisë. Në këtë formë do të ulim kostot e shërbimit dhe shpenzimet”, theksoi Hodaj.

Motivimi i fuqisë punëtore dhe rritja e punësimit është një tjetër element i prekur nga ndryshimet ligjore.

“Jemi munduar të lehtësojmë pak kriteret, qoftë punësimit të punonjësve të shërbimit të thjeshtë, qoftë për drejtuesit teknikë apo titullarët. Më herët kemi patur dhe një dikotomi, ku lejohenin edhe shtetas të huaj të ishin titullar”, tha Hodaj.

“Kriterin e arsimit kemi vendosur ta ulim, nga arsim i mesëm, ta bëjmë që pranohen aplikantë edhe me arsimin bazë, duke u munduar t’i japim mundësi të gjithë atyre që kanë interes të punojnë në këtë fushë, që të aplikojnë. Një risi tjetër, janë afatet e certifikatave për përgjegjësit e shërbimit, apo drejtuesit Teknik, pasi certifikatat ishin 4 vjeçare, licencat 5 vjeçare dhe jemi munduar ta rregullojmë dhe këtë, duke ulur kështu burokracitë”, sqaroi Hodaj.

Ai bëri me dije se “sipas ndryshimeve ligjore të propozuara, kompanitë e shërbimit të mbrojtjes fizike private, kur operojnë në më shumë se 3 qarqe, dhe kanë më shumë se 300 punonjës, tanimë do të kenë mundësi të ketë më shumë se një drejtues Teknik. Çështje tjetër që është munduar të rregullohet është shtrirja e shërbimeve në të gjithë territorin, duke lejuar nën-kotraktime, por me kushtin që të ofrohet shërbimi me të njëjtin çmim dhe të njëjtën cilësi”, tha Hodaj.

Zv/Ministri i Brendshëm, po ashtu bëri me dije edhe disa ndryshime ligjore në përdorimin e armëve të zjarrit. “Kemi dispozita të reja për përdorimin e armëve të zjarrit, ku në vetëm dy raste mund punonjësit e këtyre kompanive mund ta mbajnë, së pari në vendin ku kryhet shërbimi, apo kohën kur kryhet shërbimi, në rastet kur flasim për transportim të vlerës monetare. Ndërkohë, që ndalohet mbajtja e armëve jashtë vendit apo hapësirës ku kryhet shërbimi”, tha Hodaj.

Një tjetër ndryshim është dhe ai i licencës për përdorimin e automjeteve të blinduara, që zgjatet nga 3 vite që është me ligjin e vitit 20214 në 5 vite.

Pas diskutimeve dhe debateve, Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi me votat e mazhorancës ndryshimet në ligjin “Për shërbimin privat të sigurisë fizike”, i cili pritet t’i nënshtrohet tanimë dhe shqyrtimit nen për nen.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb


Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts