“Unë nuk shes shalqinj e as jam elektricist”, sulmuesi i Besës: Boll më me pleq 35-vjeçarë








Besa përmbysi Burrelin, duke dëshmuar se janë ende aty dhe të fortë. Pas një pjese të parë për t’u harruar, të dytën u transformuan. U shndërruan në një “uragan”, luajtën me cilësi dhe mbi të gjitha treguan karakter. Protagonist në këtë përballje u bë sulmuesi 20-vjeçar. Flavio Meçja qetësoi fillimisht stafin teknik me golin e barazimit dhe më tej “vulosi” fitoren.

flavio mecja

Para seancës së djeshme stërvitore, ai foli për “Panorama Sport” dhe tregoi sekretet e tij. Dha edhe një apel të fortë për presidentët dhe trajnerët, ndërsa nuk ngurroi që të lëshonte disa batuta për golat e shënuar.

Çfarë ndodhi në pushim me Besën, që u kthyet në një “uragan”?
Vinim pas 2 humbjesh dhe presioni ishte i madh. Pas disavantazhit, ekipi sikur u step. Isha me fat që barazova në fund të pjesës së parë, që ishte për t’u harruar. Në pushim, trajneri na ndihmoi psikologjikisht.

Çfarë ju tha?
“Jeni më të mirë se Burreli. Keni epërsinë e moshës dhe dëshirës, ndaj shfrytëzojeni”, këtë na tha. Kështu hymë në 45 minutat e dyta dhe shënuam e fituam. Ishte Bubeqi-Mihani që na “shëroi”.

Shënuat një gol më të bukur se tjetrin, i lumtur?
Po e nis me një batutë të një prindi, kur i biri i tha se shënoi: “Po mirë mor bir ti s’punon elektricist, je sulmues dhe për golat je stërvitur”. Kështu edhe kjo puna jonë, pasi unë nuk shes shalqi. Për këtë punë jam (qesh). Unë dua të shënoj sa më shumë dhe në çdo ndeshje, por mos harroni që dikush vrapon e një tjetër ma jep topin. Golat dëshiroj t’ia dedikoj Mihanit që prej vitesh më suporton në fushë e jashtë saj dhe beson tek unë. Besa ka shumë lojtarë të rinj deri 17-vjeçarë. Ju ndëshkon ky fakt në situata të veçanta loje?

Besa gjithnjë ka mbështetur talentet e saj dhe mirë bën. Nëse një lojtar i ri nuk e mbështet apo aktivizon, si do të rritet ai?
Në Kategorinë e Parë dhe të Dytë, gabojnë që blejnë lojtarë nga jashtë apo të aktivizojnë “pleq” 35-vjeçarë. Kjo vlen edhe për disa ekipe të Superiores. Nëse s’i përkrah, natyrisht do bjerë interesi i rinisë për të vazhduar futbollin.

Keni një apel për këtë pjesë?
Shikoni sa talente kanë ikur nga Shqipëria në Europë këto vite, duke treguar se “brumë” kemi. Prandaj, apeloj te presidentët e trajnerët të na mbështesin, aktivizojnë e përkrahin më shumë ne të rinjve. Ne jemi e ardhmja e futbollit. Më mirë rrit një filiz tëndin sesa të blesh “një pemë” të vjetër që jep prodhim vetëm 2-3 vjet.

Së fundi, çfarë synimesh ka Flavio Meçja?
E para dhe kryesorja, të gëzoj shëndet e të luaj sa më shumë. Të gaboj, të korrigjohem, të shënoj gola e të humb sa më pak raste shënimi. Po djersij fort që një ditë një president, trajner, skaut, të hedhë sytë nga unë për të bërë një hap më lart në karrierë. Jam vetëm 20 vjeç e kam plot shembuj të fanellës verdhezi për të ndjekur nga Karriqi, Bajaziti e Rraklli më herët, e pastaj Lila, Cikalleshi e së fundi Lushkja. Ata si unë, 20- vjeçarë, luajtën verdhezi dhe e dini ku arritën më vonë. Kavaja ta mëson futbollin me rrënjë e themel.

FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.