
13:33 30/03/2022
23 vende të botës ende i mbajnë shkollat e mbyllura duke zgjeruar pabarazitë në aksesin në arsim
Shkollat në 23 vende të botës, me 405 milionë nxënës, janë ende pjesërisht ose plotësisht të mbyllura për shkak të Covid-it.
UNICEF vlerëson se 147 milionë fëmijë kanë humbur të paktën gjysmën e shkollimit të tyre. Disa fëmijë veçanërisht vajzat, nuk janë kthyer në ato shkolla që janë rihapur.
Drejtoresha ekzekutive e organizatës, Catherine Russell, thotë se fëmijët janë viktimat e fshehura të pandemisë. Ndërsa fëmijët kanë qenë më pak të prekshëm ndaj efekteve më serioze shëndetësore të koronavirusit, jeta e tyre ka ndryshuar nga mbyllja e shkollave si pasojë e pandemisë.
Në Mars 2020, 150 vende në mbarë botën mbyllën plotësisht shkollat e tyre, me mbyllje të pjesshme në 10 të tjera. Dy vjet më vonë, 19 ende kanë disa nga shkollat e tyre të mbyllura.
Filipinet, Hondurasi, Ishujt Solomon dhe Vanuatu në Paqësorin Jugor, mbeten të mbyllura në të paktën 70% të tyre. Ekspertët janë shprehur se ekziston frika që një pjesë e madhe e fëmijëve mund t’a braktisin përgjithmonë shkollën dhe të bien pre e shfrytëzimit.
Trinidad dhe Tobago ka pasur një nga mbylljet e pjesshme të shkollave më të gjata në botë, ndërsa shkollat fillore do të rihapen vetëm në Prill.
UNICEF mblodhi të dhëna nga 122 vende dhe se vetëm 60% kishin publikuar plane për rimëkëmbjen e arsimit. Organizata paralajmëron se Covid ka ekspozuar dhe zgjeruar pabarazitë e thella në aksesin e fëmijëve në arsim. Ajo po bën thirrje për investime më të mëdha për të shmangur një reaksion zinxhir shkatërrues.
Klan News