
16:05 01/03/2022
Me mijëra fëmijë në Ukrainë rrezikohen të humbin jetën në konfliktin e nisur nga Rusia, tha UNICEF në një deklaratë. Duke folur nga qyteti perëndimor i Ukrainës, Lviv, zëdhënësi i UNICEF-it, James Elder, tha se fëmijët ukrainas do të pësonin trauma nga luftimet e ashpra.
Zëdhënësi i UNICEF po fliste, ndërkohë që një autokolonë e blinduar ruse po avanconte drejt kryeqytetit të Ukrainës Kiev, pasi bombardimet vdekjeprurëse të zonave civile në qytetin e saj të dytë më të madh treguan se komandantët rusë të frustruar mund të përdorin taktika më shkatërruese për të arritur qëllimet e pushtimit të tyre.
Më shumë se 500,000 njerëz janë larguar nga Ukraina, sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët, duke shkaktuar një krizë refugjatësh ndërsa mijëra presin kalimin në pikat kufitare europiane.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara u mblodh për të dënuar “agresionin e Moskës kundër Ukrainës” dhe duke kërkuar që trupat e saj të ndalojnë luftën dhe të tërhiqen.
Klan News