
09:13 24/09/2021
FBI ka lëshuar një urdhër-arresti për të dashurin e blogeres amerikane Gabby Petito, e cila u gjet e vdekur disa ditë më parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Brian Laundrie është shpallur në kërkim për “përdorim të paautorizuar të pajisjeve” pas vdekjes së blogeres, pasi ka përdorur një kartë debiti të llogarisë së 22-vjeçares midis 30 Gushtit dhe 1 Shtatorit.
Laundrie aktualisht nuk dihet se ku ndodhet. Ai konsiderohet si një person kyç për hetimin e FBI në lidhje me vdekjen e blogeres 22-vjeçare.
Ekspertët mjeko-ligjorë kanë thënë se Gabby Petito është vrarë, por nuk kanë dhënë detaje dhe specifike se çfarë e ka shkaktuar vdekjen e saj. Familjarët e të dashurit të blogeres thanë se nuk e kanë parë atë që prej 14 Shtatorit.
Ndërsa avokati i tij thotë se ndaj 23-vjeçarit nuk ka një akuzë për vrasjen e të dashurës së tij blogere, por për përdormin e kartës së saj të debitit, duke përfituar 1000 Dollarë. Megjithatë, për hetuesit ai konsiderohet person kyç për zbardhjen e rrethanave të vrasjes së blogeres.
Gabby Petito u gjet e vrarë të dielën në një park kombëtar. Disa javë më parë, ajo kishte udhëtuar me të dashurin e saj me një furgon të bardhë.
Më 1 Shtator, Brian Laundrie u kthye në shtëpinë e tij në Florida, por i vetëm. Ai nuk lajmëroi policinë për mungesën e blogeres. 10 ditë më vonë, familjarët e 22-vjeçares njoftuan autoritetet që vajza e tyre është zhdukur. Trupi i saj u gjet pak ditë më vonë. /tvklan.al
Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al