Urdhër nga ambasadorja e SHBA për përjashtimin e Tom Doshit nga zgjedhjet? Celibashi: Nuk besoj që Yuri Kim do t’ia lejonte vetes që…

Kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi ka komentuar sot deklaratat e ambasadores amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, lidhur me kandidaturën e Tom Doshit në zgjedhjet e 25 prillit.

Celibashi shprehet se diplomatja ka sjellë në vëmendje rastin, por nuk ka dhënë një urdhërim ndaj KQZ-së për të marrë një vendim për Tom Doshin.

Pyetje: A ju duken normale thirrjet e vazhdueshme të Yuri Kim për përjashtimin e Tom Doshit nga lista, për sa kohë në vendin tonë nuk ka një vendim?

Celibashi: Ajo çka ambasadorja ka thënë lidhet vetëm me sjelljen në vëmendje të rastit. Në asnjë rresht në deklarimet e ambasadores së SHBA-ve nuk kam lexuar urdhërimin e saj për të marrë një vendim të caktuar nga ana e KQZ, dhe jam i sigurt se ajo në asnjë rrethanë nuk do t’ia lejonte vetes ta bënte këtë. Padyshim që rasti i sjellë në vëmendje qoftë prej ambasadores së SHBA-ve apo PD është një sjellje një vëmendje më shumë për këtë rast, apo raste të tjera, dhe unë sinqerisht nuk shoh asnjë gjë të keqe. E shoh si të shëndetshme dhe ndihmuese për institucionin e KQZ. Në morinë e thirrjeve ka adresime me interesa të ndryshme politike. Mendoj që SHBA-të kanë vetëm një interes në Shqipëri, forcimin e demokracisë dhe nuk kanë asnjë lloj interesi tjetër politik, si mund ta kenë të tjerët. Prandaj e vlerësoj si gjest të mirëpritur.

Presioni i Yuri Kim 

Javët e fundit ambasadorja Yuri Kim ka rritur presionin mbi partitë politike, duke u kërkuar të filtrojnë listat e kandidatëve për deputetë, në mënyrë që të shmangen personat me rekorde kriminale. Së fundmi ajo është shprehur se  Doshi nuk është i pafajshëm dhe prokurorët duhet të bëjnë punët e tyre.

“Mendoj që KQZ-ja ka përgjegjësi të shqyrtojë të gjitha rekordet në mënyrë që të sigurohet që kandidatët të kualifikohen. Në këtë rast ai nuk është s’kualifikuar, e kjo nuk do të thotë që ai është i pafajshëm”, tha Kim.

“Dua të them që është një gjë shumë e mirë që Partia Demokratike ka qenë e qartë në dënimin e këtij personi duke kërkuar që ky person të largohet nga lista e kandidatëve për deputetë”, tha ajo. Ndërsa sa i takon PS-së, Yuri Kim u shpreh: “kam krijuar pak konfuzion por mendoj që është koha e duhur për të qartësuar çdo konfuzion dhe për të qenë absolutisht të qartë se ku qëndrojmë të gjithë”.

Një ditë më parë gjatë një interviste televizive kryeministri Rama tha se Tom Doshi është engjëll në krahasim me Ilir Metën dhe Sali Berishën.

 

Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *