Ursula Von der Leyen: BE do të mbështesë plotësisht Ukrainën

21:40 16/12/2021

Kancelari austriak Karl Nehammer tha se Unioni nuk do ta braktisë Kievin

Çështja Rusi-Ukrainë ishte në planin e parë në samitin e Partneritetit Lindor me Bashkimin Europian, i cili u mbajt në Bruksel.

Udhëheqësit evropianë u takuan me krerët e qeverive të pesë ish-republikave sovjetike (Ukraina, Azerbajxhani, Armenia, Gjeorgjia dhe Moldavia) me qëllim thellimin e marrëdhënieve politike, tregtare, energjetike dhe kulturore.

Në këtë samit u la simbolikisht bosh një karrige  për Bjellorusinë, pasi Minsku  nga 28 Qershori i këtij viti pezulloi në mënyrë të njëanshme pjesëmarrjen në marrëveshjen me Brukselin, pas sanksioneve të BE-së kundër regjimit të Aleksander Lukashenkos. Presidentja e Komisionit Europian Ursula Von der Leyen deklaroi mbështetjen e plotë për Ukrainën në ngërcin e krijuar me Rusinë.

“Ne i bëmë thirrje Rusisë që të ulë tensionet  dhe të përmbahet nga çdo veprim i mëtejshëm agresiv. Ne e siguruam Ukrainën për mbështetjen dhe angazhimin tonë ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të saj”.

Në krah të Ukrainës u rreshtua edhe kancelari i ri austriak Karl Nehammer.

“Çfarë përgjigje do të jetë dhe çfarë forme do të marrin sanksionet duhet të caktohen në kohë dhe të shpallen në detaje. Por ajo që është e qartë për Rusinë është se ne po vëzhgojmë nga afër dhe asgjë nuk po kalon pa u vënë re. Ajo që është e dukhme është se ne si union nuk do ta braktisim Ukrainën”.

Ndërsa Presidenti lituanez Gitanas Nauseda tha se duhet bërë gjithçka për të parandaluar skenarin më të keq përfshirë ndërhyrjen ushtarake në territorin e Ukrainës.

Ukraina është aktualisht pika kryesore e përplasjes midis Rusisë dhe Perëndimit. Shtetet e Bashkuara thonë se Rusia ka grumbulluar më shumë se 100,000 trupa në kufijtë e Ukrainës, ndoshta në përgatitje për një pushtim por  Moska thotë se veprimet e saj janë thjesht për t’u mbrojtur.

Klan News

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.