Ursula von der Leyen, në kërkim të një mandati të dytë në krye të KE-së

ursula von der leyen ne kerkim te nje mandati te dyte ne krye te ke se
Ursula von der Leyen

10:51 19/02/2024

Ursula von der Leyen do të shpallë planet e saj për të kërkuar një mandat të dytë si Presidente e Komisionit Europian. Siç shkruan The Guardian, pritet që ajo ta shpallë kandidaturën gjatë një takimi të Unionit Kristian Demokrat (CDU) në Berlin që do të mbahet këtë të hënë. Drejtuesja e institucionit më të fuqishëm në Bruksel, Von der Leyen, 65 vjeçe, i ka ruajtur me kujdes synimet e saj gjatë vitit të kaluar, duke shmangur të gjitha pyetjet mbi këtë temë.

Shpallja e kandidaturës së saj për pesë vjet të tjera do të shënojë hapin e parë në një betejë katërmujore për zgjedhje që mund të përfshijë një fushë më të gjerë. Kjo për shkak të spekulimeve se kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, mund të jetë një kandidate për këtë detyrë në verë, kur të bëhet edhe zgjedhja përfundimtare. Pasi të marrë mbështetjen e CDU-së, ajo duhet të mbështetet edhe nga dy partitë e tjera në Partinë Popullore Europiane (PPE), grupin e qendrës së djathtë në Parlamentin Europian, që përfshin partitë që qeverisin në Greqi, Irlandë, Lituani dhe Suedi. Gjatë Kongresit të PPE-së në Mars që do të mbahet në Bukuresht ajo duhet të fitojë një votë. Pas kësaj, siç shkruan The Guardian, do të përballet me pengesën përfundimtare në qershor ku nis edhe “tregtia e kuajve” për postet kryesore në Bruksel.

Sipas procesit “Spitzenkandidaten”, zgjedhja e Presidentit të Komisionit Europian lidhet me rezultatet e zgjedhjeve për Parlamentin Europian që do të mbahen më 6 deri 9 Qershor. Por ajo që do të ndodhë në Qershor do të përcaktojë përqindjen e votave që PPE do të ketë pas zgjedhjeve. Në vitin 2019, PPE fitoi shumicën e deputetëve dhe prisnin që kandidati i tyre, Manfred Weber të përcaktohej në këtë pozicion. Por ai nuk mundi të krijonte një koalicion me socialistët të cilët dolën në vendin e dytë. Ata paraqitën një kandidat tjetër të profilit të lartë, Frans Timmermans.

Kjo ndarje krijoi hapësirë për Von der Leyen e cila ishte një kandidate surprizë nga qeveria gjermane.

“Kujtoni se askush nuk kishte dëgjuar për të në vitin 2019 dhe ajo kaloi nga ministre e Mbrojtjes në Gjermani në pozicionin më të fuqishëm në Bruksel brenda disa javësh”, tha një diplomat, duke rikujtuar se ajo nuk bëri as fushatë, sipas The Guardian.

Në ndarjen që do të bëhet pas zgjedhjeve, sytë ka të ngjarë të drejtohen edhe në pozicionet e tjera kryesore, shkruan The Guardian. Posti i kryediplomatit, i mbajtur deri më tani nga Josep Borrell, është për t’u “rrëmbyer”. Njëjtë edhe posti i kreut të Këshillit Europian, i cili lehtëson marrëdhëniet mes kryeministrave dhe negocion pzicionet, shpesh në situata të ndërlikuara si mosmarrëveshja e fundit me Hungarinë për financimin e Ukrainës.

Pas zgjedhjeve në Qershor këto pozicione ka të ngjarë që të ndahen mes dy grupimeve të tjera të mëdha politike, aktualisht socialistëve e demokratëve dhe grupit të deputetëve liberalë “Renew”./tvklan.al

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne :bopta sotwww.botasot.al

Spread the love

Similar Posts