
09:31 27/12/2022
Policia në Indi kanë vënë në pranga 7 persona të cilët dyshohet se dhunuan për vdekje një ushtar. E gjitha ka ndodhur pasi viktima kundërshtoi postimin e një video të vajzës së tij, e cila u bë virale.
Sipas asaj që shkruajnë mediat, Melaji Vaghela u sulmua nga anëtarët e familjes së një adoleshenti, të cilin ai e akuzonte se kishte ngarkuar videon.
Bashkëshortja dhe djali i viktimës mbetën të lënduar nga sulmi. BBC raporton se Vaghela, gruaja e tij, dy djemtë dhe nipi kishin shkuar në shtëpinë e adoleshentit për t’u ankuar për ngarkimin e videos së vajzës në rrjetet sociale.
Shumë media lokale e kanë përshkruar videon si “të pahijshme”, por BBC thotë se nuk ka qenë në gjendje ta konfirmojë këtë.
Sipas kallëzimit në polici, debati përshkallëzoi në sherr dhe të afërmit e djalit e sulmuan familjen kundërshtare me shkopinj druri dhe objekte të mprehta. Vaghela mbeti i lënduar rëndë dhe vdiq menjëherë. Një prej djemve të tij ndodhet në spital me plagë në kokë. /tvklan.al