Vazhdojnë anulimet e fluturimeve nga linjat ajrore amerikane

22:52 25/12/2021

Linjat ajrore vazhduan të anulojnë qindra fluturime të shtunën pasi problemet e personelit të lidhura me COVID-19 prishën planet për festat në një nga periudhat më të ngarkuara të vitit me udhëtime. FlightAware, një faqe interneti që mbledh të dhënat e fluturimeve, njofton se 888 fluturime ndërkombëtare dhe brenda Amerikës u anuluan të shtunën, krahasuar me 690 që u anuluan të premten. Rreth 200 fluturime të tjera janë anuluar për të dielën. FlightAware nuk thotë se cilat janë arsyet e anulimit.

Linjat ajrore Delta, United dhe JetBlue kishin thënë të premten se varianti Omicron po shkaktonte probleme me personelin dhe kjo ka sjellë si rezultat anulimet e fluturimeve. Zëdhënësja e agjencisë United, Maddie King tha se mungesat e personelit po vazhdonin të shkaktonin anulime dhe ishte e paqartë se kur do të riktheheshin në normalitet operacionet.

“Kjo ishte e papritur,” tha ajo për ndikimin e përhapjes së Omicronit tek personeli. Delta dhe JetBlue nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment të shtunën.

Sipas FlightAware, të tre linjat ajrore anuluan më shumë se 10% të fluturimeve të tyre të planifikuara për të shtunën. Edhe American Airlines anuloi 90 fluturime të shtunën, rreth 3% të atyre të planifikuara, sipas FlightAware. Zëdhënësi i American Airlines Derek Walls tha se anulimet erdhën nga “rastet me COVID” dhe linja ajrore kishte kontaktuar pasagjerët të premten. Linjat ajrore evropiane dhe australiane gjithashtu kanë anuluar fluturime gjatë sezonit të festave për shkak të problemeve të personelit të lidhura me COVID-in.

Vonesat dhe anulimet e fluturimeve të lidhura me mungesën e personelit kanë qenë një problem i vazhdueshëm për industrinë ajrore të Shteteve të Bashkuara këtë vit. Linjat ajrore kishin inkurajuar punonjësit e tyre të linin punën në vitin 2020, kur udhëtimet ajrore u reduktuan ndjeshëm dhe këtë vit kur rifilluan udhëtimet u gjendën me mungesa në personel.

Për të lehtësuar mungesën e personelit, vende të ndryshme, përfshirë Spanjën dhe Britaninë e Madhe kanë reduktuar kohëzgjatjen e karantinës për COVID-19 duke i lënë njerëzit të kthehen në punë më shpejt pasi janë testuar pozitivë ose janë ekspozuar ndaj virusit.

Shefi ekzekutiv i Deltës, Ed Bastian, ësht ndër ata që i kanë bërë thirrje administratës së Presidentit Biden të ndërmarrë hapa të ngjashëm ose përndryshe ndërprerjet në udhëtimet ajrore do të vazhdojnë. Të enjten, SHBA shkurtoi periudhën e izolimit nga COVID-19 vetëm për punonjësit e kujdesit shëndetësor./VOA

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *