“Vetëm një fitore në 8 javë është e papranueshme”, Bylykbashi: Duhet merkato, ja pse ky Partizan s’më bind








Partizani i këtij sezoni deri më tani nuk ka qenë aspak skuadra, që kishin imagjinuar tifozët, vetë lojtarët e stafi, por edhe ish-futbollistët, që në të shkuarën kanë kontribuar me pasion për klubin. Dorian Bylykbashi, ish-fantazist i “demave” dhe një nga lojtarët më të mirë të tyre në fillimet e viteve 2000, në një intervistë për “Panorama Sport” foli për situatën aktuale të skuadrës dhe tregoi zhgënjimin e tij, për aq sa Partizani ka treguar deri më tani.

Bylykbashi parizani

Si ju duket Partizani ne këtë fillim sezoni?

Besoj se është një nga fillimet më të dobëta të Partizanit, për aq sa mbaj mend unë.

7 gola, sulmi i tretë më i dobët i Superiores. Si ishlojtar me tipare sulmuese, ku qëndron defekti i Partizanit që kanë shënuar kaq pak këtë sezon?

Për mendimin tim, Partizani nuk ka rrjedhshmëri në lojë dhe ato pak raste që krijohen, janë spontane. Nuk e kuptoj, ndoshta edhe lojtarët i ka kapur një ngërç psikologjik sepse nuk e shpjegoj dot ndryshe faktin që në 7 ndeshje, të shënosh 7 gola, 2 prej tyre me penallti. Kjo është pak e habitshme.

Ku çaloi ekipi në derbi?

Mos doje të thoshe ekipet? Sepse pashë një derbi që për 90 minuta nuk pati asnjë goditje në portë nga të dyja ekipet. Dhe të mendosh që luanin dy pretendentë për titullin kampion. Nëse nuk godet drejt portës, nuk fiton dot.

Çfarë i mungon Partizanit këtë sezon që nuk është në nivelet e pritshme?

Se çfarë i mungon ekipit, e di trajneri Daja. Mua personalisht më intereson të shikoj Partizanin atje ku e meriton, por me ato lojëra që ka zhvilluar, të them të drejtën jam i zhgënjyer. Të kesh vetëm një fitore në tetë javë, është e papranueshme.

Pas fitores me Kastriotin, a mendoni se e kanë marrë veten tashmë dhe do të vijojnë me triumfe?

Uroj dhe shpresoj që fitorja me Kastriotin t’i ketë liruar sadopak djemtë nga ai ngërç që i kishte kapur. Duhet të kuptojnë se nuk kanë asgjë më pak se ekipet, që janë në krye të tabelës. Duhet besim dhe t’i marrim ndeshjet një nga një, pa menduar se si do të dalin skuadrat e tjera.

Cili nga lojtarët, që u larguan në verë i mungon më shumë Partizanit?

Për mendimin tim lojtari që i mungon më shumë Partizanit është Jasir Asani, sepse në këto momente nuk ka një lojtar të tillë, që driblon, pason dhe shënon si ai. Duhet ta kishin zëvendësuar me patjetër me një tjetër lojtar të këtij kalibri ikjen e tij.

Afrimi më i goditur dhe më pak i goditur i Partizanit këtë verë?

Është shpejt për të folur për afrime të goditura apo jo të goditura sepse ka kaluar vetëm një fazë dhe ka kohë plot në dispozicion për të treguar secili prej tyre më të mirën e mundshme.

A e kanë ata organikën e duhur për të fituar titullin kampion dhe a mund ta fitojnë?

Partizanit për mendimin tim i duhen 2-3 afrime në merkaton e janarit për të vazhduar garën për titull sepse siç e thashë dhe më lart, 7 gola në 8 ndeshje janë shumë pak.

Si ju duket lufta për titull?

Besoj se gara do të jetë e fortë deri në fund sepse nuk ka asnjë ekip me diferenca të mëdha me të tjerët. Javët e fundit kemi parë rezultate të çuditshme.

Cili ju duket ekipi me i fortë këtë sezon?

Të them të drejtën nuk është se shoh ndonjë ekip me kapacitete më shumë se të tjerët. Të gjitha skuadrat kanë rrugë të gjatë përpara dhe ai që del kampion, do të tregojë se është dhe më i forti.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *