‘Vetingu’ e Reforma Territoriale, Balla: Nuk kemi asnjë kusht/ LSI, tre anëtarë në komisionet parlamentare





MARIGLEN KUME/ Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, deklaroi se maxhoranca nuk ka asnjë kusht për të bashkëpunuar me opozitën, por e njëjta gjë duhet të vlejë edhe për kundërshtarin politik.

taulant balla

Në një prononcim për mediat nga oborri i Kuvendit, Balla tha se asnjë çështje nuk është tabu për t’u diskutuar, nga zgjatja e mandateve të organeve të vetingut si pjesë e Reformës në Drejtësi e deri te Reforma Territoriale. “Asnjë çështje nuk është tabu për t’u diskutuar, të gjitha kërkojnë të diskutohen. Këto janë çështje që kërkojnë shumë kohë edhe pas dakordësisë, si dhe procedura parlamentare. Në këtë këndvështrim mendoj që ajo që kemi thënë është se nuk kemi asnjë kusht, për t’u ulur në tryezë, pa kushte. Kur njerëzit heqin kushtet, ulen bashkë për parimet dhe qëllimi do të jetë që cila është ajo gjë që do të jetë në të mirë të Shqipërisë.

Ajo që tha Rama është e qartë, dora jonë ka për të vazhduar të qëndrojë e shtrirë”, u shpreh ai. Duke folur për shtyrjen e afateve të institucioneve të drejtësisë, Balla u shpreh se ato janë mjaft të rëndësishme për vetingun. “Ky është një diskutim që ka vijuar në Kuvendin e Shqipërisë për më shumë se një viti. Ka qenë një rekomandim edhe i atyre që monitorojnë reformën në drejtësi, pra i partnerëve të drejtësisë. Mendoj që edhe PD, do të bindet se Reforma në Drejtësi duhet të shkojë përpara.

Vota që PD do të japi duhet të burojë nga nevoja e një ndryshimi kursi, në lidhje me Reformën në Drejtësi. Të mos harrojmë që ka pasur një vlerësim të komisionit të Venecias për ruajtjen e barazisë në një proces, të gjithë magjistratëve që kalojnë në veting. Në këtë këndvështrim, është rekomanduar që ashtu sikurse janë vetuar sot rreth 400 e ca prokurorë dhe gjyqtarë, edhe pjesa e mbetur të shkojë në të njëjtën test. Në vlerësimin tim do të duhen jo më shumë se 2 vite.

Propozimi që kemi diskutuar me kryetarët e komisioneve është duke qenë se ndryshimet në Kushtetutë, kërkojnë rreth 2 muaj, ne të marrim kohën e nevojshme për t’i draftuar. Dua t’ju sqaroj që ekspertët ligjorë na kanë rekomanduar që këto ndryshime janë kushtetuese”, tha kreu i grupit të PS-së. Sa i takon debateve që shkaktoi vendimi i Konferencës së Kryetarëve për zhvillimin e Komisioneve Parlamentare online Balla u shpreh se Rregullorja thotë që kryesitë e komisioneve vendosin për rregullimin.

“Natyrshëm do ketë komisione që do zhvillojnë punën online dhe po aq natyrshëm do ketë mbledhje të komisioneve që do shfrytëzojnë dy sallat e vetme, mendoj që opozita të gjejë arsye të tjera për t’u shqetësuar. Nëse do ketë një seancë të rëndësishme do jetë fizikisht. Këtu nuk ka asnjë lloj përpjekje për të vrarë parlamentarizmin, për të mos i dhënë hapësirë opozitës. Unë mendoj që le të vijojë puna normalisht. Ne sot kemi rënë dakord me Konferencën e Kryetarëve me z. Rushaj për disa ndryshime në rregulloren e Kuvendit. 8 komisione janë shumë pak për një punë efektive.

Them të kalojmë në 12 komisione. Në konferencën e kryetarëve ramë dakord për vaksinimin e detyrueshëm të të gjithë deputetëve. Afati i dy dozave është përcaktim që e bëjnë ekspertët, varet dhe nga lloji i vaksinës. Mua më vjen keq, nuk e di ku e kanë dëgjuar që Shqipëria nuk është në kushtet e një gjendje të jashtëzakonshme, vendimi i qeverisë është vijues, ne vazhdojmë të jemi të kujdesshëm. Të mos fryhet tullumbacja kot”, tha Balla.

LSI, tre anëtarë në komisionet parlamentare

Lëvizja Socialiste për Integrim arriti të siguroje tri vende në komisionet parlamentare për legjislaturën e 10-të, që u miratua dje në Kuvend. Në seancën e djeshme, nga kjo parti u konfirmuan Petrit Vasili si anëtar i Komisionit të Shëndetësisë, Erisa Xhixho si anëtare e Komisionit për Integrimin Europian dhe Agron Çela si anëtar i Komisionit për Sigurinë Kombëtare. LSI-ja, e mbetur pa grup parlamentar, pasi në zgjedhjet e 25 prillit mori vetëm 4 mandate, kërkoi në seancën e kaluar mundësinë për të propozuar kandidatë në komisione, e cila krijoi një debat mes PS-së e PD-së.

Demokratët pasi kishin bërë propozimet e tyre nuk pranuan zvogëlimin e numrit dhe tërheqjen e kandidatëve të saj nëpër komisione. Nga ana tjetër, PS-ja shprehu mosdakordësi për këtë listë duke theksuar se numrat nuk tregonin vullnetin e qytetarëve në zgjedhje pasi në komisione PS duhet të ishte shumicë, ashtu si në parlament. Partia Socialiste vendosi t’i japë kohë LSI-së për propozimin e kandidaturave por mos tërheqja e PD-së, detyroi maxhorancën që të shtonte një anëtar në çdo komision për të qenë shumicë.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *